Leoni XIV me augustinian?t, p?r dit?lindjen e gjeneralit t? m?parsh?m
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV në drekë me sivëllezërit e tij rregulltarë augustinianë në Kolegjin Ndërkombëtar Santa Monica, pak metra larg apartamentit të tij në Vatikan. Pas Meshës kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit për Jubileun e familjeve, fëmijëve, gjyshërve dhe të moshuarve, Papa Prevost arriti në bashkësinë rregulltare, në Rrugën Pali VI, ku jetojnë studentë të Urdhrit të Shën Augustinit nga vende të ndryshme të botës dhe disa mësues të Institutit Patristik Augustinian, për të marrë pjesë në një çast shoqëror të organizuar për të festuar 70-vjetorin e lindjes së gjeneralit të mëparshëm, Atë Alejandro Moral.
Rrugë paralele
Një miqësi e gjatë e lidh Papën dhe Atin Alejandro, i lindur në La Vid, Spanjë, më 1 qershor 1955. Të dy u takuan në vitet 1980 në Romë, në Kolegjin Santa Monica, kur Prevost studionte të drejtën kanonike në Universitetin Papnor të Shën Tomës Akuini, Shkrimin Shenjt në Institutin Papnor Biblik dhe Teologjinë Dogmatike në Universitetin Papnor Gregorian. Rrugët e tyre u ndanë në vitin 1985, kur Atë Roberti i ri, i shuguruar meshtar në vitin 1982, u dërgua në misionin augustinian të Chulucanas, në Piura, Peru, ndërsa Ati Alejandro, pasi përfundoi studimet, u kthye në Spanjë. Të dy rregulltarët u takuan përsëri në Romë, në vitin 2001, për kapitullin e Urdhrit Augustinian.
Rrugë të ndryshme, lidhje që mbetet
I zgjedhur gjeneral, Prevost zgjodhi Atë Moralin si vikar të tij, duke e konfirmuar atë edhe në mandatin e të dytë. Për 12 vjet punuan krah për krah dhe miqësia e tyre u rrit dhe u forcua. Një lidhje vëllazërore që vazhdoi edhe kur rrugët e tyre u ndanë përsëri. Në vitin 2013, në fund të mandatit të tij të dytë gjashtëvjeçar në krye të Urdhrit të Shën Agustinit, Prevost u kthye në Provincën e tij Agustiniane, në Çikago, ndërsa Atë Moral u emërua gjenerali i 97-të.
Dhe nëse një vit më vonë, Atë Roberti u emërua nga Papa Françesku administrator apostolik i dioqezës së Çiklajos, në Peru, e më vonë ipeshkëv i së njëjtës, miqësia augustiniane me Atë Alejandro vijoi, ajo miqësi aq e lavdëruar nga shën Augtustini, Ati i madh i Kishës, që e donte jetën e përbashkët në "unitet të mendjes dhe zemrës" (Rregulla), "për të kërkuar Zotin së bashku, në harmoni të plotë", në mënyrë që kushdo që "e kishte gjetur të vërtetën i pari" të mund t’i "printe të tjerët drejt saj, pa mundim" (Solil. 1, 12, 20-13, 22.).