Leoni XIV i fton ipeshkvijt? italian? t? edukojn? mosp?rdorimin e dhun?s
R.SH. – Vatikan
Është marrëdhënie "e përbashkët dhe e veçantë", siç e quajti Papa shenjt Pali VI në vitin 1966, ajo ndërmjet ipeshkvijve italianë dhe Papës. Vërtet, Ati i Shenjtë është edhe Ipeshkëv i Romës e Primat i Italisë. Kjo lidhje u kujtua nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Zuppi dhe nga vetë Papa gjatë takimit të sotëm me ipeshkvijtë italianë në Vatikan, në Sallën e Bekimeve, nga e cila kalojnë Papët gjatë rrugës për në Lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit. Ishte takimi i tyre i parë zyrtar.
Kolegjialiteti, në qendër të fjalës së Papës, është mënyra me të cilën ipeshkvijtë janë të thirrur ta jetojnë shërbesën e tyre: kolegjialitet ndërmjet tyre dhe kolegjialitet me Pasardhësin e Shën Pjetrit. E nuk duhet të mungojë as “bashkëpunimi i shëndoshë me autoritetet civile”, pasi Konferenca Ipeshkvnore është “vend diskutimi dhe trajtimi të mendimit të ipeshkvijve rreth temave më të rëndësishme për të mirën e përbashkët” të gjithë shoqërisë.
Sfidat e Kishës në Itali
Megjithëse Kisha në Itali është realitet jetësor dhe tejet e gjallë në terren, siç theksoi Benedikti XVI në vitin 2006, ajo duhet të përballet me sfida të reja, që lidhen me "shekullarizmin, me njëfarë largimi nga feja dhe me krizën demografike", vërejti Leoni XIV. Para tyre, ajo duhet të tregojë guxim. Ati i Shenjtë përvijoi disa shtigje për t'u ndjekur.
Para së gjithash, nevojitet një “hov i ripërtërirë në kumtimin dhe transmetimin e fesë”, për ta vendosur Jezu Krishtin në qendër dhe për t’i “ndihmuar njerëzit të jetojnë një marrëdhënie personale me Të, që të zbulojnë gëzimin e Ungjillit”. Duhet të kthehemi te themelet e fesë, te “kerygma”, pohoi Leoni XIV. Prandaj, ipeshkvijtë italianë duhet të gjejnë mënyrën më të mirë për ta bërë këtë, përmes “veprimtarive baritore të afta të arrijnë tek më të largëtit”, duke gjetur “mjetet më të përshtatshme për ripërtëritjen e katekizmit dhe të gjuhëve të kumtimit të Ungjillit”.
Paqja në jetën e përditshme
Më pas, një nga temat më të dashura për Papën: paqja. Leoni XIV i nxiti ipeshkvijtë të bëhen "artizanë të saj në ambientet e jetës së përditshme". Kisha duhet të tregojë se është “e aftë për pajtim”. Të gjithë besimtarët kanë përgjegjësi për të, prandaj Ati i Shenjtë kërkoi që “çdo dioqezë të promovojë kurse edukimi mbi mospërdorimin e dhunës, nisma ndërmjetësimi në konfliktet lokale dhe projekte mikpritjeje, që e shndërrojnë frikën nga tjetri në mundësi takimi. Çdo bashkësi të bëhet një “shtëpi paqeje” ku mësojmë ta zbusim armiqësinë përmes dialogut, ku praktikojmë drejtësinë dhe ku kultivojmë faljen”. “Paqja nuk është utopi shpirtërore, është udhë e përvuajtur, e përbërë nga gjeste të përditshme, që ndërthurin durimin dhe guximin, dëgjimin dhe veprimin. Sot, më shumë se kurrë, ajo kërkon praninë tonë të vëmendshme dhe bujare”, nënvizoi Papa.
Ati i Shenjtë i paralajmëroi ipeshkvijtë italianë edhe për disa sfida të tjera, si ajo e inteligjencës artificiale, e bioteknologjive, e ekonomisë së të dhënave dhe e rrjeteve sociale, të cilat e “transformojnë thellësisht perceptimin dhe përvojën tonë të jetës”. Ka rrezik që dinjiteti njerëzor të mos respektohet, ose të lihet mënjanë, kur njeriu konsideorhet një sistem algoritmesh e jo “një krijesë, një marrëdhënie, një mister”. “Pa reflektimin e duhur mbi qenien njerëzore – në materialitetin e saj, në brishtësinë e saj, në etjen e saj për amshim dhe në aftësinë e saj për lidhje – etika reduktohet në kode dhe feja ka rrezik të çmishërohet”, paralajmëroi Ati i Shenjtë.
Të ecim përpara të bashkuar
Për t’iu kundërvënë këtyre rreziqeve, Leoni XIV theksoi nevojën e dialogut, sepse “vetëm aty ku ka dëgjim, lind bashkësia dhe vetëm aty ku ka bashkësi, e vërteta bëhet e besueshme”.
Përpara se të përfundonte takimin me ipeshkvijtë italianë, Papa u dha atyre dy këshilla: “Ecni përpara të bashkuar, sidomos duke menduar për rrugën sinodale”. Objektivi është i qartë: “Që sinodaliteti të bëhet mendësi, në zemra, në proceset e vendimmarrjes dhe në mënyrat e veprimit”. Së fundi: “Shikojeni të nesërmen me qetësi dhe mos kini frikë nga vendimet e guximshme”, “askush të mos ju pengojë në kumtimin e Ungjillit”.
Këshilla e fundit, në frymën e sinodalitetit: laikët, të ushqyer nga Fjala e Zotit dhe të formuar në doktrinën shoqërore të Kishës, të jenë protagonistë të ungjillëzimit kudo që veprojnë.