杏MAP导航

K?rko

2025.06.03  Incontro Leone e le cose nuove

Leoni XIII, Leoni XIV dhe gj?rat e reja

N? nj? konferenc? t? organizuar n? Rom?, n? selin? e Uninettuno-s, u vu n? dukje kontributi i Pap?ve n? transformimet e m?dha t? epok?s moderne dhe bashk?kohore, duke u nisur nga figura e Papa Pecci-t, autor i enciklik?s “Rerum Novarum”. Imzot Dario Edoardo Viganò: "nj? nga lidhjet nd?rmjet dy papnive ka t? b?j? me fjal?n revolucion"

R.SH. – Vatikan

         Paralelizmi ndërmjet papnisë së Leonit XIII dhe asaj të Papës Leoni XIV, që sapo ka filluar, megjithëse në rrethana të ndryshme historike, ishin në qendër të një takimi, mbajtur në Romë në selinë e Universitetit Ndërkombëtar online Uninettuno. Veprimtaria e titulluar “Leoni dhe gjërat e reja. Papët në revolucionet teknologjike”, u paraqit nga gazetari Stefano Maria Paci: “Papa Leoni XIII i dha një hov të ri doktrinës shoqërore të Kishës dhe Papa Prevost – nënvizoi vatikanisti i revistës italiane ‘L’Espresso’ – e lidhi papninë e tij me këtë traditë”.

Papa Pecci dhe kohët moderne

Në këtë drejtim u përqendrua edhe ndërhyrja e imzot Dario Edoardo Viganò, zëvendëskancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore. Papnia e Leonit XIV "krijoi, që në fillimet e saj, një lidhje të drejtpërdrejtë me atë të Leonit XIII", shpjegoi Viganò. "Ishte vetë Papa Prevost", kujtoi dekani i Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Uninettuno, i cili e krijoi "lidhjen, duke përdorur fjalën revolucion": ashtu si Leonit XIII iu desh t’i bënte ballë "revolucionit të parë të madh industrial", sot, Kisha, siç deklaroi vetë Leoni XIV menjëherë pas zgjedhjes së tij, duhet t'i përgjigjet "një revolucioni tjetër industrial dhe zhvillimit të Inteligjencës Artificiale".

Për të kuptuar aktualitetin e papnisë së Leonit XIII, imzot Viganò sugjeroi përqendrimin në një imazh me titull "Artet e bukura të bekuara nga feja", i cili mund të admirohet në galerinë e shandanëve në Muzetë e Vatikanit. Ky afresk na tregon shumë për Leonin XIII, pasi në të duket veçanërisht "një gjë e re" e epokës së Papës Pecci. Është një aparat fotografik, model i tregtuar në vitin 1839. Ndër gjërat e reja, që ndërthuren me periudhën historike të Leonit XIII, është edhe kinemaja. Papa Pecci, pohoi imzot Viganò, e mirëpriti këtë risi "duke vendosur të filmohej në vitin 1898 nga kameramani William Dickson i kompanisë American Biograph". Leoni XIII "nuk tërhiqet përballë zbulimit të fundit të kohëve moderne, por e shndërron atë menjëherë në mjet apostullimi".

Papët dhe fake news

Paralelizmi ndërmjet papnisë së Leonit XIII dhe asaj të Leonit XIV karakterizoi edhe relacionin e Gianluca della Maggiore, profesor në Universitetin Uninettuno dhe autor i një libri mbi Leonin XIII. Pas shfaqjes së një videoje të rreme, krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku pasqyrohet një fjalim i pa mbajtur kurrë nga Leoni XIV për presidentin e Burkina Fasos, profesori vuri në dukje se ai është parë një milion herë, duke e detyruar Vatikanin të mbajë qëndrim. Edhe pamjet kinematografike të vitit 1898, pohoi Gianluca della Maggiore, u përdorën si një lloj "lajmi i rremë". “Neë York Journal i dha rëndësi, në faqen e parë, një deklarate të rreme nga delegati apostolik në Uashington, sipas të cilit bekimi i filmuar, me dëshirën e Papës, ishte në gjendje t'u transmetonte shikuesve të njëjtat përfitime si një bekim i dhënë në praninë e vërtetë të Papës”. Duke u kthyer te fjalët e fundit të Leonit XIV, Gianluca della Maggiore vërejti se "qëndrimi i duhur kur jemi përballë risive teknologjike është mendimi kritik, analiza e thellë dhe studimi".

Përkimet ndërmjet botëve të ndryshme

Pavarësisht se janë të largëta në kohë, papnitë e Leonit XIII dhe Leonit XIV duket se përballen me sfida të ngjashme. Profesoresha Anna Maria Carito, rektore e Universitetit Uninettuno, kujtoi disa pika të përbashkëta ndërmjet epokave të dy Papëve. Së pari, luftën, që shoqëroi papninë e tyre. Një tjetër element ka të bëjë me transformimet e thella të revolucionit industrial dhe të epokës aktuale dixhitale. Papa Leoni XIII, kujtoi profesoresha Carito, dëshmoi se vënia e rregullave për kapitalin ishte përparësi për të. Sot, sfidat kryesore paraqiten nga sistemi i algoritmeve, prandaj, është e nevojshme vënia e rregullave për botën dixhitale.

Gianni Piacitelli Pecci, pasardhës i Leonit XIII, kujtoi fjalët e para mbi paqen, që Papa aktual shqiptoi pas zgjedhjes. Impenjimi për pajtim shënoi edhe papninë e Leonit XIII, i cili, në shekullin XIX, luajti rolin e ndërmjetësuesit në një mosmarrëveshje ndërmjet Spanjës dhe Gjermanisë mbi Ishujt Karoline. Përmasa misionare është qendrore në jetën e Papës Leoni XIV, por edhe Leoni XIII, kujtoi Gianni Piacitelli Pecci, strukturoi misionet në botë. Ai nënvizoi edhe marrëdhëniet e Papës Pecci me SHBA-të: enciklika “Longinqua Oceani” i kushtohet, për shembull, Kishës Amerikane. Më në fund, profesor Luis Okulik, sekretar i Komisionit për Baritorinë Sociale në Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, përmendi disa fjalë kyçe në papninë e Leonit XIII: dinjitet, punë, familje. Fjalë mbi të cilat u ndal edhe Leoni XIV në fillim të papnisë së tij. Nëpërmjet tyre dhe udhëzimeve të tjera duket se përvijohet përqafimi i Kishës për epokën moderne dhe bashkëkohore, duke i parë ato me të njëjtin vështrim të formuar nga Ungjilli.

04 qershor 2025, 18:09