Ati i Shenjt? takon l?vizjet kishtare: t? jeni tharm bashkimi n? bot?n e p?r?ar? nga dhuna
R.SH. – Vatikan
Vendoseni gjithmonë Krishtin në qendër, bëhuni “tharm për bashkim”, mbajeni gjallë “hovin misionar”: këto ishin këshillat, që u dha sot Papa Leoni XIV shoqatave, lëvizjeve dhe bashkësive kishtare, përfaqësuesit e të cilëve i priti sot në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Moderatorët, përgjegjësit ndërkombëtarë dhe delegatët e 115 grupeve të ndryshme kishtare ndodhen në Romë që nga e mërkura për takimin vjetor të organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën me temën “Shpresa e jetuar dhe e shpallur: dhurata e Jubileut për bashkësitë kishtare”. Gjithashtu, ata do të marrin pjesë në Jubileun e tyre, që kremtohet nesër e pasnesër e do të përfundojë me meshën e Atit të Shenjtë, të dielën paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Rrëshajëve. Gjatë audiencës, Papa u shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe inkurajimin e “vëllezërve në rrugëtimin e krishterë”, i cili “nënkupton përgjegjësi, impenjim, shpesh, edhe vështirësi dhe keqkuptime, por është detyrë e domosdoshme, me vlerë të madhe”.
Jeta e krishterë nuk jetohet në izolim
Shoqatat e lëvizjet kishtare janë të ndryshme për nga natyra dhe historia e tyre, por janë gjithnjë shumë të rëndësishme për Kishën, nënvizoi Papa. Ato tregojnë se "askush nuk është i krishterë i vetëm" dhe se "jemi pjesë e një populli, e një korpi, që Zoti e ka krijuar".
“Jeta e krishterë nuk jetohet në izolim, sikur të ishte një aventurë intelektuale ose sentimentale, e kufizuar vetëm në mendjen dhe zemrën tonë. Jetojmë me të tjerët, në një grup, në një bashkësi, sepse Krishti i Ringjallur bëhet i pranishëm ndër dishepujt e mbledhur në emrin e tij”.
Bashkëpunoni me Ipeshkvin e Romës
Në fjalën e tij, Leoni XIV vuri në dukje thirrjen e gjithë të krishterëve dhe i nxiti grupet kishtare të impenjohen përkrah Ipeshkvit të Romës.
“Uniteti dhe misioni janë dy gurë themeli të jetës së Kishës dhe dy përparësi në shërbesën e Shën Pjetrit. Prandaj, i ftoj të gjitha shoqatat dhe lëvizjet kishtare të bashkëpunojnë me besnikëri dhe bujari me Papën, veçanërisht në këto dy fusha”.
Mbajeni gjallë hovin misionar
Ati i Shenjtë i ftoi grupet e ndryshme, që veprojnë në Kishë, ta shtrijnë unitetin, që përjetojnë brenda tyre, edhe më tej: “në bashkim me Barinjtë e Kishës, në afërsi me realitetet e tjera kishtare, duke ndihmuar njerëzit që takoni”, për të qenë tharm bashkimi e vëllazërimi, në botën e përçarë nga dhuna. Pastaj, duke kujtuar përvojën e tij personale si misionar në Peru, Papa u kërkoi shoqatave e lëvizjeve të krishtera ta mbajnë gjallë hovin misionar, pasi kanë rol themelor në ungjillëzimin e botës.
“Ndërmjet jush ka njerëz bujarë, të formuar mirë, me përvojë “në terren”. Kjo trashëgimi duhet të sjellë fryte, duke treguar vëmendje ndaj realitetit të sotëm dhe sfidave të tij të reja. Shfrytëzojini talentet tuaja në shërbim të misionit, si në vendet e ungjillëzimit të parë, ashtu edhe në famullitë dhe në strukturat kishtare lokale, për të arritur te shumë njerëz larg Kishës, që, ndonjëherë pa e ditur, presin Fjalën e jetës”.
Të thirrur për të imituar Krishtin
Papa Leoni XIV bëri një histori të shkurtër të grupeve kishtare, duke pasur parasysh se ato kanë lindur ose me nismën e besimtarëve, ose nga karizma e themeluesit a e ndonjë instituti rregulltar. Gjithçka është hir në Kishë e shërben “për të zgjuar në zemra dëshirën e takimit me Krishtin, etjen për jetën hyjnore, që Ai ofron”.
“Të gjithë jemi të thirrur të imitojmë Krishtin, i cili e mohoi vetveten për të na pasuruar. Kështu, kushdo i vë vetes një objektiv apostolik bashkë me të tjerët, ose kushdo është bartës i ndonjë karizme, është i thirrur t’i pasurojë të tjerët, duke e mohuar vetveten. E ky është burim lirie dhe gëzimi të madh”.