Zgjedhja e Pap?s, nga tymi i bardh?, n? “Habemus Papam”
R.SH. / Vatikan
Tymi i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sikstine në Vatikan u njofton besimtarëve dhe botës se u zgjodh një Ipeshkëv i ri i Romës, pasardhës i Pjetrit. Por çfarë ndodhi nën qemerët e afreskuar nga Mikelanxhelo disa minuta më parë, e çfarë do të ndodhë deri në shpalljen e emrit të Papës së ri, shqiptuar pas “Habemus Papam” nga Lozha e Bekimeve e Bazilikës së Shën Pjetrit e nga protodiakoni, kardinali francez Dominique Mamberti?
Riti i pranimit
Në përputhje me atë që është përcaktuar dhe rregulluar nga Ordo rituum Conclavis dhe Kushtetuta Apostolike Universi Dominici Gregis, një kardinal i pranishëm në Kapelën Sikstine arrin shumicën e kërkuar të votave dhe zgjedhja zhvillohet kanonikisht. I pari i kardinalëve sipas radhës së vjetërsisë, ose i dyti, në emër të të gjithë Kolegjit të zgjedhësve, kërkon, në latinisht, pëlqimin e të zgjedhurit me fjalët e mëposhtme: “A e pranoni zgjedhjen tuaj kanonike si Papë?”. E menjëherë pasi merr pëlqimin, i bën pyetjen e dytë: "Si dëshironi t’ju thërrasin?".
Pastaj, mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, në rolin e noterit dhe duke pasur dy prijës ceremonish si dëshmitarë, harton një dokument që dëshmon pranimin e Papës së ri dhe emrin që zgjodhi.
Përfundimi i Konklavit
Konklavi, siç saktëson Kushtetuta Apostolike Universi Dominici Gregis, përfundon pasi Papa i ri e jep - a nuk e jep - pëlqimin për zgjedhjen, duke vendosur ose jo, ndryshe. Prandaj mund të hyjnë në Kapelën Sikstine, zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe të tjerë, që duhet të merren me Papën e zgjedhur, për çështje të nevojshme në atë kohë.
Tymi i bardhë dhe “Dhoma e Lotëve”
Pas përfundimit të ritit të pranimit, të gjitha fletët e votimit dhe dokumentet e tjera të përdorura për zgjedhjen digjen dhe tymi i bardhë dëshmon se është zgjedhur një Papë i ri.
Ndërsa besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan duartrokasin dhe e gjithë bota pret të mësojë emrin e Papës së ri.
Papa i zgjedhur largohet nga Kapela Sikstine dhe hyn në sakrestinë e ashtuquajtur "Dhoma e Lotëve". Këtu, me ndihmën e Mjeshtrit të Kremtimeve Liturgjike, lë veshjen kardinalore dhe zgjedh njërën nga tri veshjet papnore, tashmë të përgatitura, duke ndenjur në lutje për disa minuta.
Ceremonia e parë, homazhet dhe “Te Deum”
Me kthimin e tij në Kapelën Sikstine, Papa i sapozgjedhur ulet në katedër dhe ndjek një ceremoni të shkurtër, e cila fillon me përshëndetjen nga kardinali i parë i Urdhrit të Ipeshkvijve. Kardinali protodiakon lexon, më pas, një fragment nga Ungjilli, i cili mund të jetë "Ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time" ose "Kulloti delet e mia". E, së fundi, i pari nga kardinajtë presbiterë thotë një lutje për Pasardhësin e sapozgjedhur të Pjetrit.
Pastaj të gjithë kardinajtë zgjedhës të pranishëm, sipas rendit të përparësisë, kalojnë pranë Papës së ri për t’i treguar respektin dhe bindjen e tyre.
Në përfundim, të gjithë së bashku, këndojnë himnin “Te Deum”, intonuar nga Papa i sapozgjedhur.
Lutja e Papës së ri në Kapelën Paoline
Kardinali protodiakon Dominique Mamberti arrin në Lozhën a Ballkonin e Bekimit të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe e njofton popullin për zgjedhjen dhe emrin e Papës së ri, me formulën e mirënjohur në shekuj:“Annuntio vobis gaudium magnum: habemus Papam!”. (Ju kumtoj një gëzim të madh: kemi Papën!)
Ndërkohë, Papa i zgjedhur, ndërsa largohet nga Kapela Sikstine për të shkuar në Lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, ndalohet për disa çaste në Kapelën Pauline, në pallatin apostolik. E lutet në heshtje, para të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë, për të nisur, më pas, vijimin drejt Lozhës së Bazilikës së Vatikanit, nga ku i drejton përshëndetjen dhe u jep bekimin e parë apostolik "Urbi et Orbi" turmës që tund Sheshin e Shën Pjetrit me duartrokitje të vazhdueshme.