Tymi i par? nga oxhaku i Kapel?s Sikstine ?sht? i zi. Kisha, ende pa Pap?
R.SH. – Vatikan
Kisha Katolike nuk ka ende Papën e ri. Tymi i oxhakut sipër Kapelës Sikstine, ku mbahet Konklavi, është i zi.
Kardinajtë e mbledhur në Konklavin, që filloi sot, 7 maj, bënë votimin e parë e të vetmin e kësaj dite. Pasi shprehën votat e tyre e pas numërimit e lidhjes me fill, fletëvotimet u dogjën në dy sobat, që përdoren për të prodhuar tymin, i cili lajmëron për zgjedhjen ose jo të Papës së ri. Tymi mbi Kapelën Sikstine, që u duk rreth orës 21.00, ishte i zi, shenjë e qartë se kardinajtë nuk kanë rënë dakord për emrin e Atit të Shenjtë, i cili ende nuk është zgjedhur.
Besimtarët, të cilët e ndoqën tymin nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, si edhe katolikët e gjithë botës, që e ndoqën nga ekranet, ftohen të vazhdojnë lutjet që Shpirti Shenjt t’ua shndrisë mendjet e zemrat kardinajve për gjetjen e atij emri, që i duhet më shumë sot Kishës dhe botës.
Tymi i parë i zi i Konklavit
Një pritje e gjatë që filloi pas Extra Omnes, formulës latine me të cilën mbyllen dyert e Kapelës Sikstine për fillimin e Konklavit. Brenda, 133 kardinajtë dëgjuan meditimin e atë Raniero Cantalamessa-s, ish-predikatarit të Shtëpisë Papnore dhe, më pas, filluan përgatitjet dhe shpërndarja e fletëvotimeve nga ceremonierët, që u thirrën sërish në Kapelë së bashku me sekretarin e Kolegjit të Kardinajve, kryeipeshkvin Ilson de Jesus Montanari, si edhe me Mjeshtrin e Kremtimeve Liturgjike Papnore, imzot Diego Ravelli. U vijua me hedhjen e shortit për tre kontrollorë e numërues votash, tre infirmarii – të caktuarit për të mbledhur votat e të sëmurëve - dhe tre revizorë. Më pas, votimi.
Ndërkohë, rreth 45.000 njerëz u dyndën në Sheshin e Shën Pjetrit, me kokën lart për të parë oxhakun e Kapelës Sikstine, të cilit, për një farë kohe, iu afruan disa pulëbardha, që shpesh monopolizonin vëmendjen e turmës. Një shesh i ngjyrosur nga flamuj të vendeve të ndryshme të botës, i ndriçuar nga dritat e telekamerave, nga blicet e aparateve fotografike dhe ato të telefonave celularë. Herë pas herë, dëgjoheshin duartrokitje, biseda me zë të lartë për të kaluar kohën e pritjes, flitej pse e si ende nuk po dilte tym nga oxhaku.
Në orën 21 doli më në fund tymi, që kësaj radhe ishte i zi. Sheshi shpërtheu në një ushëtimë zërash. Tym i zi, pra, kardinajtë me të drejtë vote nuk e kanë zgjedhur ende Papën e 267-të në historinë e Kishës.