Papa: zgjodha emrin Leoni XIV p?r t'iu p?rgjigjur sfidave p?r drejt?sin? dhe pun?n
R.SH. /. Vatikan
Leoni XIV, emër (papnor) që ilustron një program të tërë. Vetë Papa Prevost e shpjegoi “arsyen kryesore” për këtë zgjedhje në takimin e tij të parë me kardinalët - të gjithë kardinalët e Kolegjit të Shenjtë, jo vetëm ata që e zgjodhën në Konklav - të pritur këtë mëngjes në Pallatin Apostolik. Domethënë, referencë e qartë për Leonin XIII i cili, nga fundi i shekullit të 19-të, me enciklikën historike Rerum Novarum "trajtoi çështjen sociale në kontekstin e revolucionit të parë të madh industrial".
Sot Kisha u ofron të gjithëve trashëgiminë e Doktrinës shoqërore, për t'iu përgjigjur një revolucioni tjetër industrial dhe zhvillimeve të inteligjencës artificiale, të cilat sjellin sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të drejtësisë dhe punës.
Pas Koncilit e me trashëgiminë e Françeskut
Kështu, ky vendim i Leonit XIII është urë lidhëse e së kaluarës me të tashmen. Duke shikuar drejt së ardhmes, në fjalimin e tij (të paraprirë nga një lutje në latinisht), u shpjegon kardinalëve udhëzimet e papnisë, që sapo ka filluar: “E vërteta, drejtësia, paqja dhe vëllazëria”, “parimet e Ungjillit që gjithmonë e frymëzuan dhe e gjallëruan jetën dhe veprën e familjes së Zotit”. E gjithë kjo, në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit, që Papa Prevost u kërkon bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë t’i “përmbahen plotësisht”, duke mbledhur trashëgiminë e fortë të Papës Françesku, i cili “ia kujtoi dhe ia përditësoi mjeshtërisht përmbajtjen në Nxitjen Apostolike “Evangelii gaudium”.
Nga nxitja e parë apostolike, udhërrëfyese e papnisë së Bergoglios, Ati i Shenjtë Leoni XIV nënvizoi disa raste themelore: "kthimi tek primati i Krishtit në shpallje", para së gjithash, pastaj "konvertimi misionar i të gjithë bashkësisë së krishterë; rritja e kolegjialitetit dhe sinodalitetit; vëmendja ndaj sensus fidei, veçanërisht në format e më të duhura dhe gjithëpërfshirëse, siç është devotshmëria popullore; kujdesi për të fundmit dhe të braktisurit; dialogu i guximshëm dhe i besueshëm me botën bashkëkohore në përbërësit dhe realitetet e saj të ndryshme".
Mbështetja e kardinalëve
Në këtë udhë Papa i sapozgjedhur kërkon të shoqërohet nga vëllezërit e tij kardinalë, në mënyrë që ta mbështesin në pranimin e një zgjedhe që - thekson - është qartësisht shumë përtej fuqisë sime, ose asaj të kujtdo tjetër".
Prania juaj - vëren në vijim - më kujton se Zoti, që ma besoi këtë mision, nuk më lë vetëm në mbartjen e përgjegjësisë së tij. Para së gjithash, e di se mund të mbështetem gjithnjë në këtë ndihmë, në ndihmën e Zotit dhe, me Hirin e Provaninë e Tij, edhe në afërsinë tuaj e të aq shumë vëllezërve e motrave që në mbarë botën besojnë në Zot, e duan Kishën dhe e mbështesin Vikarin e Krishtit me lutje dhe vepra të mira.
E fortë është mirënjohja e Papës Leoni për kardinalët, duke filluar nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, i cili - thotë - “meriton duartrokitje, të paktën një, nëse jo më shumë”. “Urtia e tij” – shtoi - “fryt i një jete të gjatë dhe i viteve të panumërta të shërbimit besnik ndaj Selisë Apostolike, na ndihmoi shumë në këtë kohë”. Falënderime edhe për Kamerlengun e Kishës së Shenjtë Romake, Kevin Joseph Farrell, për “rolin e çmuar dhe të kërkuar” që luajti gjatë kohës së Sede Vacante dhe falënderime për kardinalët që, për arsye shëndetësore, “nuk mundën të ishin të pranishëm në këtë bashkim dashurie dhe lutjeje”.
Por Papa i shpreh mirënjohjen e tij më të thellë sidomos paraardhësit të tij, Françeskut, vdekja e të cilit - kujton - do të përjetësohet si "ngjarje Pashkësh". Në këtë perspektivë, Leoni XIV inkurajon:
“Ia besojmë Atit të mëshirshëm dhe Zotit të çdo ngushëllimi shpirtin e Papës së ndjerë dhe të ardhmen e Kishës”.
"Fllad i lehtë"
Papa kujtoi edhe “stilin plot përkushtim të Françeskut në shërbimin dhe maturinë e jetës, në lëshimin në dorë të Zotit gjatë kohës së misionit dhe besimit të qetë në çastin e kthimit në Shtëpinë e Atit”.
Ta mbledhim këtë trashëgimi të çmuar dhe të rifillojmë shtegtimin tonë, të frymëzuar nga e njëjta shpresë, që vjen nga besimi.
“Zotit - shton Ipeshkvi i Romës - i pëlqen të komunikojë vetveten, më shumë sesa në gjëmimin e bubullimave dhe tërmeteve, në pëshpëritjen e një flladi të lehtë ose, siç e përkthejnë disa, në një zë të hollë heshtjeje”. U takon Papës dhe kardinalëve të bëhen “dëgjues të bindur të zërit të tij dhe shërbëtorë besnikë të planeve të tij të shëlbimit”, në mënyrë që “të edukojnë dhe të shoqërojnë të gjithë Popullin e shenjtë të Zotit, që na u besua”.
Dëshira e Palit VI
Për ta përfunduar fjalën e tij, Ati i Shenjtë Prevost citoi një Papë tjetër nga e kaluara, Shën Palin VI. Leoni XIV i bëri të vetat fjalët e Montinit të cilat, në vitin 1963, i pati vënë në fillim të shërbesës së tij, ndërsa kardinalëve tani u bëri një urim të veçantë:
Kaloftë mbi gjithë botën si flakë e furishme feje dhe dashurie që ndriçon të gjithë njerëzit vullnetmirë, ndriçon shtigjet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe tërheq mbi njerëzimin, tani e përsëri, begatinë dhe vetëkënaqësisë hyjnore, vetë forca e Zotit, pa ndihmën e të cilit asgjë nuk është e vlefshme, asgjë nuk është shenjte.
Përshëndetja e Kardinalit Re
Para Papës, Kardinali Re mori fjalën dhe drejtoi një përshëndetje, duke kujtuar menjëherë "entuziazmin me të cilin bota e priti zgjedhjen e tij si Pasardhës i Pjetrit".
“E gjithë bota u gëzua, por edhe ne u gëzuam, tha dekani”. E, në emër të të gjithë kardinalëve, e siguroi Papën për afërsinë, besnikërinë dhe dëshirën e bashkëpunimit:
“Të bashkëpunojmë, që Kisha të jetë arkë shpëtimi e fanar në errësirën e natës”, veçanërisht në një çast historik, në të cilin “bota është e kapërthyer nga kaq shumë luftëra, që për fat të keq nuk duan të mbarojnë, pavarësisht vdekjeve dhe shkatërrimeve”.