Papa, universiteteve t? Veriut, Jugut e Qendr?s s? Amerik?s: t? jeni ura integrimi
R.SH. / Vatikan
“Është përshëndetje e madhe”, e shoqëruar nga inkurajimi i punës “për drejtësi ekologjike, sociale e ambientale”, kjo që Papa Leoni XIV u dërgon rektorëve të 200 universiteteve të Amerikës Veriore, Jugore, Qendrore dhe Gadishullit Iberik, të mbledhur që sot, deri më 24 maj, në Universitetin Katolik Papnor të Rio de Janeiros (PUC-Rio) për një takim sinodal organizuar nga Rrjeti Universitar për Kujdesin e Shtëpisë së Përbashkët, me ndihmën e Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Katër ditë dialogu, shqyrtimi dhe propozimesh për të përballuar krizën shoqërore-ambientale, me rastin e dhjetëvjetorit të enciklikës Laudato si’ të Papës Françesku dhe në përgatitje për Cop30, që do të mbahet në Belém të Brazilit, nëntorin e ardhshëm.
Integrimi dhe drejtësia
“E di që jeni gati të bëni një punë sinodale në përgatitje për COP30” - kujton Papa në video - “Do të reflektoni së bashku për faljen e mundshme të borxhit publik dhe të borxhit ekologjik, propozim që Papa Françesku e pati këshilluar në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes. E, në këtë vit jubilar, vit shprese, ky mesazh është tejet i rëndësishëm”.
Papa i inkurajon rektorët për misionin e tyre, i nxit "të jenë ndërtues të urave të integrimit ndërmjet Amerikave dhe Gadishullit Iberik, duke punuar për drejtësi ekologjike, sociale dhe ambientale". “Ju falënderoj të gjithëve për përpjekjet dhe punën tuaj. E ju inkurajoj të vazhdoni të ndërtoni ura” - vijon Papa - duke u dërguar të gjithëve bekimin përmes videos.
Mesazhi i kardinalit de Mendonça
Edhe pjesëmarrësit e takimit pranë Universitetit Katolik Papnor të Rio de Janeiro morën një mesazh nga Prefekti i Dikasterit për Kulturë dhe Edukim, Kardinali José Tolentino de Mendonça. Kardinali e kishte përqendruar reflektimin mbi Laudato si’, që e ka ndryshuar mendësinë e përbashkët me “vetëdijen se nuk jemi më vetëm, se kemi nevojë për njëri-tjetrin, se gjithçka është e ndërlidhur dhe se duhet t’u bëjmë ball njëkohësisht sfidave të shtëpisë së përbashkët dhe sfidave të vëllazërisë”. Me rastin e COP30 e në periudhën e Jubileut, “mund t’i bëjmë vërtet, së bashku, universitetet dhe rrjetet tona universitare laboratorë bashkimi dhe ardhmërie” - vijon Kardinali - Universiteti nuk është “flluskë në kufijtë e realitetit”. Është “i përfshirë në proceset e mëdha të reflektimit, inovacionit, kualifikimit etik dhe drejtësisë së shoqërive tona”. Vetëm në këtë mënyrë mund të “pasqyrohet vërtet identiteti katolik”.