杏MAP导航

K?rko

Papa udh?heq?sve fetar?: t’i themi “jo” luft?s, riarmatimit dhe ekonomis? q? varf?ron

Leoni XIV priti n? audienc? p?rfaq?suesit e Kishave dhe bashk?sive t? tjera kishtare si dhe t? feve t? tjera dhe i nxiti p?r nj? angazhim t? p?rbashk?t, t? lir? nga kusht?zimet ideologjike dhe politike, p?r paqen n? bot?. Inkurajoi edhe rrug?n ekumenike, nxiti vazhdimin e dialogut nd?rmjet hebrenjve e t? krishter?ve dhe shprehu d?shir?n q? marr?dh?niet me mysliman?t t? bazohen "mbi respektin e nd?rsjell? dhe lirin? e nd?rgjegjes".

R.SH. / Vatikan

Të përpiqemi për të rivendosur “bashkimin e plotë dhe të dukshëm ndërmjet të gjithë atyre që ndjekin të njëjtin besim në Hyjin Atë, Birin e Shpirtin Shenjt”, të vazhdojmë dialogun teologjik me hebrenjtë, duke “ndërtuar ura” ndërmjet bashkësive të krishtera dhe myslimane, të kontribuojmë për paqen njëherësh me traditat e ndryshme fetare: këto janë prioritetet e Leonit XIV, i cili sot paradite, 19 maj, u takua në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik me përfaqësuesit e Kishave, të bashkësive kishtare dhe të feve të tjera, që dje morën pjesë në kremtimin përurues të “shërbesës së tij si Ipeshkv i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit”.

Në fjalimin e hapjes, Papa Prevost i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në takim e, veçanërisht, Patriarkun Ekumenik të Konstandinopojës, Bartolomeun, Patriarkun Ortodoks Grek të Jerusalemit, Teofilin III dhe Patriarkun Katolik të Kishës Asiriane të Lindjes, Mar Awa III, të cilëve u shprehu "dashurinë e tij vëllazërore".

Të lirë nga kushtëzimet, për t'i thënë "po" paqes

Pastaj, duke iu drejtuar përfaqësuesve të traditave të tjera fetare, Papa shprehu “mirënjohjen” lidhur me kontributin e tyre për paqen.

Në një botë të plagosur nga dhuna dhe konfliktet, secila bashkësi e përfaqësuar këtu, sjell kontributin e vet të mençurisë, dhembshurisë dhe përkushtimit për të mirën e njerëzimit dhe mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët. Jam i bindur se, po të jemi dakord dhe të lirë nga kushtëzimet ideologjike dhe politike, mund t’i themi “jo” luftës dhe “po” paqes; “jo” garës së armatimeve dhe “po” çarmatimit; “jo” ekonomisë që varfëron popujt dhe Tokën e “po” zhvillimit të gjithanshëm.

Rruga drejt vëllazërisë universale

Leoni XIV foli, para së gjithash, për “vëllazërinë universale”. Kujtoi “hapjet dhe nismat e ndërmarra nga Papët e mëparshëm, duke nisur veçanërisht me Shën Gjonin XXIII”, si dhe me “udhëtimin ekumenik” e “dialogun ndërfetar” të Papës Françesku, “mbi të gjitha duke kultivuar marrëdhënie ndërpersonale” dhe duke vlerësuar “aspektin njerëzor të takimit”. Pastaj kujtoi përvjetorin, këtë vit, të “1700-vjetorit të Koncilit I Ekumenik të Nikesë”, “etapë themelore për hartimin e Besojmës së përbashkët të të gjitha Kishave dhe bashkësive kishtare”.

Ndërsa jemi për udhë drejt rivendosjes së bashkimit të plotë të  krishterëve, ne e pranojmë se ky unitet mund të jetë vetëm bashkim në besim. Si Ipeshkëv i Romës, e konsideroj një nga detyrat e mia kryesore të kërkoj rivendosjen e bashkimit të plotë dhe të dukshëm të të gjithë atyre që besojnë të njëjtën fe në Hyjin Atë, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

Të bashkohemi në Zotin Jezu Krisht

Papa nënvizoi se “uniteti” ka qenë gjithmonë “shqetësimi i tij i vazhdueshëm, siç dëshmohet nga motoja, që zgjodhi për shërbesën e tij ipeshkvore: “In Illo uno unum”, shprehje me të cilën Shën Augustini i Ipponës kujton se “ne, megjithëse shumë, ‘në Atë Një – domethënë në Krishtin – jemi një’”. Për këtë arsye, thekson Papa Leoni XIV, bashkimi arrihet “nëse bashkohemi në Zotin Jezu Krisht”. Sepse "sa më shumë që jemi besnikë dhe të bindur ndaj Tij, aq më shumë jemi të bashkuar ndërmjet nesh" e, për këtë arsye, të krishterët janë "të gjithë të thirrur të luten dhe të punojnë së bashku për të arritur hap pas hapi këtë qëllim, i cili është e mbetet vepër e Shpirtit Shenjt".

Të ndërtojmë ura

Për Leonin XIV, “sinodaliteti dhe ekumenizmi lidhen ngushtë”, prandaj edhe qëllimi “për të vazhduar angazhimin e Papës Françesku në nxitjen e karakterit sinodal të Kishës Katolike dhe në zhvillimin e formave të reja e konkrete për një sinodalitet gjithnjë e më intensiv në fushën ekumenike”, si dhe ftesa për ta kuptuar “rrugën e përbashkët” edhe “në një kuptim të gjerë, që i përfshin të gjithë, në frymën e vëllazërisë njerëzore”.

Sot është koha për dialog dhe ndërtim urash. Prandaj jam i lumtur dhe mirënjohës për praninë e Përfaqësuesve të traditave të tjera fetare, të cilët kanë të përbashkët kërkimin e Zotit dhe të vullnetit të Tij, që është gjithmonë dhe vetëm vullneti i dashurisë e i jetës për burrat, gratë e për të gjitha krijesat.

Ngul këmbë Papa Prevost tek nevoja për dialog ndërfetar, duke kujtuar “përpjekjet e bëra nga Papa Françesku dhe fjalët e veprimet me të cilat “ai hapi perspektiva të reja takimi, për të nxitur ‘kulturën e dialogut si udhë’; bashkëpunimin e përbashkët si sjellje; njohurinë e anasjelltë si metodë dhe kriter’, të inkurajuara në Dokumentin e Abu Dabit mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore e Jetën e Përbashkët. Në këtë drejtim, Leoni XIV falënderon edhe “Dikasterin e Vatikanit për Dialogun Ndërfetar për rolin themelor që luan në këtë punë të durueshme të inkurajimit të takimeve dhe shkëmbimeve konkrete, me synim, ndërtimin e marrëdhënieve të bazuara mbi vëllazërinë njerëzore”.

Marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike dhe myslimanëve

Përsa i përket “marrëdhënieve të Kishës Katolike me myslimanët”, Papa vëren “angazhimin në rritje për dialog dhe vëllazëri, të nxitur nga respekti për këta vëllezër e motra ‘që adhurojnë të vetmin Zot, të gjallë dhe ekzistues, të mëshirshëm dhe të gjithëpushtetshëm, krijues të ‘qiellës e të dheut’, që u foli njerëzve, dhe saktëson se ky ‘afrim, i bazuar mbi respektin e ndërsjelltë dhe mbi lirinë e ndërgjegjes, përfaqëson një bazë të fortë për ndërtimin e urave ndër bashkësitë tona”.

Të krishterët dhe hebrenjtë vazhdojnë dialogun

Në fjalimin e tij, Papa u ndalua më pas te “marrëdhëniet e veçanta të gjithë të krishterëve me judaizmin”, “për shkak të rrënjëve hebraike të krishterimit” dhe kërkoi që dialogu të vazhdojë.

Dialogu teologjik ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve mbetet i rëndësishëm dhe e kam shumë për zemër. Edhe në këto kohë të vështira, të përshkuara nga konflikte dhe keqkuptime, është e nevojshme ta vazhdojmë me entuziazëm dialogun tonë shumë të çmuar.

Nga Leoni XIV, urimi i fundit: që dëshmia e vëllazërisë ndërmjet feve të kontribuojë "në ndërtimin e një bote më paqësore, siç e dëshirojnë në zemrat e tyre mbarë burrat e gratë me vullnet të mirë".

19 maj 2025, 14:27