Papa Trupit Diplomatik: “t’i l?m? pas grindjet e t? nisim nj? udh? t? re, s? bashku”
R.SH. - Vatikan
FJALIMI I SHENJTËRISË SË TIJ PAPA LEONI XIV
Trupit diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë
16 maj 2025
Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj!
Falënderoj Sh.T. Z. George Poulides, Ambasador i Republikës së Qipros dhe Dekan i Trupit Diplomatik, për fjalët e përzemërta që më drejtoi në emër të të gjithëve ju dhe për punën e tij të palodhur, të cilën e kryen me energjinë, pasionin dhe simpatinë që e karakterizojnë, cilësi për të cilat ka merituar vlerësimin e të gjithë Paraardhësve të mi të takuar gjatë këtyre viteve të misionit në Selinë e Shenjtë dhe, në veçanti, të të ndjerit Papa Françesku.
Dëshiroj t'ju shpreh mirënjohjen për mesazhet e shumta të urimit pas zgjedhjes sime, si edhe për ato të mëparshme të ngushëllimit për vdekjen e Papa Françeskut, që kanë ardhur edhe nga vende me të cilat Selia e Shenjtë nuk mban marrëdhënie diplomatike. Kjo është dëshmi e rëndësishme vlerësimi, e cila inkurajon thellimin e marrëdhënieve reciproke.
Në dialogun tonë, dëshiroj që gjithmonë të mbizotërojë ndjenja e të qenit një familje – komuniteti diplomatik përfaqëson në fakt të gjithë familjen e popujve – e cila ndan gëzimet dhe dhimbjet e jetës dhe vlerat njerëzore e shpirtërore, që e frymëzojnë. Diplomacia papnore është, në fakt, shprehje e vetë katolicizmit të Kishës dhe, në veprimtarinë e saj diplomatike, Selia e Shenjtë nxitet nga një urgjencë baritore, që e shtyn jo të kërkojë privilegje, por të intensifikojë misionin e saj ungjillor në shërbim të njerëzimit. Ajo lufton çdo indiferencë dhe u bën thirrje vazhdimisht ndërgjegjeve, siç bëri pa u lodhur Paraardhësi im i nderuar, gjithmonë i vëmendshëm ndaj britmës së të varfërve, të nevojtarëve dhe të përjashtuarve, si dhe ndaj sfidave që karakterizojnë kohën tonë, nga ruajtja e Krijimit te inteligjenca artificiale.
Përveçse është shenja konkrete e vëmendjes së vendeve tuaja ndaj Selisë Apostolike, prania juaj sot është për mua një dhuratë, e cila më lejon t'ju përtërij aspiratën e Kishës – dhe timen personale – për të arritur dhe për të përqafuar çdo popull dhe çdo njeri të kësaj toke, që ka dëshirë dhe nevojë për të vërtetën, drejtësinë dhe paqen! Në njëfarë kuptimi, vetë përvoja ime e jetës, kaluar midis Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut dhe Evropës, e përfaqëson këtë aspiratë për të kapërcyer kufijtë, për të takuar njerëz dhe kultura të ndryshme.
Nëpërmjet punës së vazhdueshme dhe plot durim të Sekretarisë së Shtetit, synoj të konsolidoj njohjen dhe dialogun me ju dhe me vendet tuaja, shumë prej të cilave kam pasur tashmë hirin t'i vizitoj gjatë jetës sime, veçanërisht kur isha Epror i Përgjithshëm i Augustinianëve. Kam besim se Provania Hyjnore do të më japë raste të tjera takimi me realitetet nga të cilat vini, duke më lejuar të shfrytëzoj mundësitë, që do të paraqiten, për të përforcuar në fe shumë vëllezër e motra të shpërndarë nëpër botë dhe për të ndërtuar ura të reja me të gjithë njerëzit vullnetmirë.
Në dialogun tonë dëshiroj të mbajmë parasysh tri fjalë kyçe, të cilat përbëjnë shtyllat e veprimtarisë misionare të Kishës dhe të punës së diplomacisë së Selisë së Shenjtë.
Fjala e parë është paqja. Shumë shpesh e konsiderojmë atë fjalë "negative", pra, thjesht, si mungesë lufte dhe konflikti, pasi kundërvënia është pjesë e natyrës njerëzore dhe na shoqëron gjithmonë, duke na shtyrë shumë shpesh të jetojmë në një "gjendje konflikti" të vazhdueshme: në shtëpi, në punë, në shoqëri. Paqja, atëherë, duket thjesht si armëpushim, një çast pushimi midis një grindjeje dhe tjetrës, pasi, sado të përpiqemi, tensionet janë gjithmonë të pranishme, pak a shumë si prushi, që fshihet nën hi, gati për të marrë flakë në çdo moment.
Në perspektivën e krishterë – si edhe në atë të përvojave të tjera fetare – paqja është, para së gjithash, dhuratë: dhurata e parë e Krishtit: «Paqen time po jua jap» (Gjn 14,27). Megjithatë, ajo është dhuratë aktive, gjithëpërfshirëse, që prek dhe angazhon secilin prej nesh, pavarësisht nga prejardhja kulturore dhe përkatësia fetare dhe që kërkon, para së gjithash, punë me vetveten. Paqja ndërtohet në zemër dhe duke filluar nga zemra, duke çrrënjosur krenarinë e pretendimet dhe duke e mbajtur gojën, pasi mund të plagosësh dhe të vrasësh edhe me fjalë, jo vetëm me armë.
Në këtë këndvështrim, e konsideroj thelbësor kontributin që fetë dhe dialogu ndërfetar mund të japin për të favorizuar kontekste paqeje. Kjo natyrisht kërkon respektimin e plotë të lirisë fetare në çdo vend, pasi përvoja fetare është një përmasë themelore e njeriut e, nëse lihet mënjanë, është e vështirë, nëse jo e pamundur, të kryhet ai pastrim i zemrës, i nevojshëm për të ndërtuar marrëdhënie paqeje.
Duke filluar nga kjo punë, të cilën të gjithë jemi të thirrur ta bëjmë, mund të çrrënjosen premisat e çdo konflikti dhe të çdo vullneti shkatërrimtar pushtimi. Kjo kërkon edhe një vullnet të sinqertë për dialog, frymëzuar nga dëshira për t'u takuar më shumë sesa për të hyrë në konflikt. Në këtë perspektivë, i duhet dhënë frymëmarrje diplomacisë shumëpalëshe dhe atyre institucioneve ndërkombëtare, që janë ngritur dhe menduar, para së gjithash, për të zgjidhur grindjet ,që mund të lindin brenda Bashkësisë Ndërkombëtare. Sigurisht, duhet edhe vullneti për të ndaluar prodhimin e mjeteve të shkatërrimit dhe të vdekjes, pasi, siç kujtonte Papa Françesku në Mesazhin e tij të fundit Urbi et Orbi, «asnjë paqe nuk është e mundur pa një çarmatim të vërtetë [dhe] nevoja që çdo popull ka për të siguruar mbrojtjen e vet nuk mund të shndërrohet në një garë të përgjithshme riarmatimi».
Fjala e dytë është drejtësia. Arritja e paqes kërkon praktikimin e drejtësisë. Siç kam pasur rastin të përmend, e zgjodha emrin duke menduar para së gjithash për Leonin XIII, Papën e enciklikës së parë të madhe sociale, Rerum Novarum. Në ndryshimet epokale që po jetojmë, Selia e Shenjtë nuk mund të mos e ngrejë zërin para pabarazive dhe padrejtësive të shumta, që çojnë, ndër të tjera, në kushte pune të padenja dhe në shoqëri gjithnjë e më të fragmentuara dhe konfliktuale. Duhet të punohet për të zgjidhur problemin e pabarazive globale, për shkak të të cilave pasuria e tepruar dhe varfëria krijojnë hendeqe të thella midis kontinenteve, vendeve dhe madje, edhe brenda çdo shoqërie.
Është detyrë e atyre, që kanë përgjegjësi qeveritare, të punojnë për të ndërtuar shoqëri civile të harmonishme dhe paqësore. Kjo mund të bëhet, para së gjithash, duke investuar në familjen e bazuar në bashkimin e qëndrueshëm midis burrit dhe gruas, «shoqëri e vogël, por e vërtetë, që i paraprin çdo shoqërie civile». Përveç kësaj, askush nuk mund të mos favorizojë kontekste, në të cilat mbrohet dinjiteti i çdo njeriu, veçanërisht i më të brishtëve dhe i më të pambrojturve, nga i palinduri te i moshuari, nga i sëmuri te i papuni, qoftë ai qytetar vendas apo emigrant.
Vetë historia ime është ajo e një qytetari, pasardhës i emigrantëve, i emigruar edhe vetë. Secili prej nesh, gjatë jetës, mund të jetë mirë me shëndet, ose i sëmurë; i punësuar, ose i papunë; në atdhe, ose në tokë të huaj: megjithatë, dinjiteti i tij mbetet gjithmonë i njëjtë, ai i krijesës së dëshiruar dhe të dashur nga Zoti.
Fjala e tretë është e vërteta. Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie vërtet paqësore, edhe brenda Bashkësisë Ndërkombëtare, pa të vërtetën. Atje ku fjalët marrin kuptime të paqarta e të dyfishta: atje ku bota virtuale, me perceptimin e ndryshuar të realitetit, mbizotëron pa kontroll, është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie të vërteta, pasi mungojnë premisat objektive dhe reale të komunikimit.
Nga ana e saj, Kisha nuk mund të shmanget kurrë nga shpallja e së vërtetës për njeriun dhe botën, duke përdorur, kur është e nevojshme, edhe një gjuhë të drejtpërdrejtë, e cila mund të shkaktojë ndonjë keqkuptim fillestar. E vërteta, megjithatë, nuk është kurrë e ndarë nga dashuria, e cila, në rrënjë, ka gjithmonë shqetësimin për jetën dhe të mirën e çdo burri dhe gruaje. Nga ana tjetër, në perspektivën e krishterë, e vërteta nuk është pohimi i parimeve abstrakte dhe të pamishëruara, por takimi me personin e vetë Krishtit, i cili jeton në bashkësinë e besimtarëve. Kështu e vërteta nuk na largon, përkundrazi na mundëson të përballemi me më shumë forcë me sfidat e kohës sonë, si migrimet, përdorimin etik të inteligjencës artificiale dhe mbrojtjen e Tokës sonë të dashur. Këto janë sfida, që kërkojnë angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve, pasi askush nuk mund të mendojë t'i përballojë i vetëm.
Të dashur ambasadorë, shërbesa ime fillon në zemër të një viti jubilar, kushtuar veçanërisht shpresës. Është kohë kthimi e ripërtëritjeje dhe, mbi të gjitha, është rast për të lënë pas grindjet dhe për të filluar një rrugë të re, të nxitur e të frymëzuar nga shpresa për të ndërtuar - duke punuar së bashku, secili sipas ndjeshmërive dhe përgjegjësive të veta -një botë, në të cilën secili mund të realizojë përmasën e vet njerëzore në të vërtetën, në drejtësinë dhe në paqen. Shpresoj që kjo të ndodhë në të gjitha kontekstet, duke filluar nga ato më të prekura si Ukraina dhe Toka e Shenjtë.
Ju falënderoj për gjithë punën që bëni për të ndërtuar ura midis vendeve tuaja dhe Selisë së Shenjtë dhe me gjithë zemër ju bekoj ju, familjet tuaja dhe popujt tuaj.