Papa i telefonon kardinalit Karlic p?r t'i shprehur af?rsin? pas nj? operacioni
R.SH. / Vatikan
Në moshën 99-vjeçare dhe në fazën e shërimit pas një operacioni të fundit, kardinali Estanislao Esteban Karlic, kryeipeshkëv nderi i Paranás (Brazil) mori të martën më 20 maj një surprizë të këndshme: një telefonatë nga Papa Leoni XIV, i cili shprehu mirënjohjen e tij ndaj kardinalit të moshuar për shërbimin e bërë Kishës, afërsinë dhe lutjet e tij. Kryedioqeza e Paranás e ka botuar lajmin e bisedës përmes faqes së saj zyrtare, duke e cilësuar atë si një moment "hiri të madh" për kardinalin, i cili që nga viti 2005 është anëtar i Urdhrit të Shën Augustinit, komunitet në të cilin Papa aktual ka shërbyer si Epror i Përgjithshëm. Gjatë udhëtimeve në Romë, Karlic shpesh qëndronte në Shtëpinë Gjenerale të Etërve Augustinianë, ku pati mundësinë të njihej me atëherë Atë Prevost.
Më 10 maj, kardinali u shtrua në spital pas një arresti kardiak; pak ditë më vonë iu nënshtrua një operacioni për implantimin e një stimuluesi kardiak. Pas një rezultati pozitiv, ai doli të martën nga spitali dhe u transferua në shtëpinë e klerit Jesús Buen Pastor për të vazhduar shërimin. Po atë ditë, pra, erdhi telefonata nga Leoni XIV. Krijuar kardinal nga Benedikti XVI në vitin 2007, kardinali Karlic festoi ditëlindjen e tij të 99-të më 7 shkurt në kuvendin e Zojës Sonë të Paranás, në Aldea María Luisa, në prani të murgeshave benediktine.