Leoni XIV shuguron 11 meshtar? t? rinj p?r dioqez?n e Rom?s
R.SH. / Vatikan
"Duhet të jemi brenda Popullit të Zotit, për të qenë në gjendje të qëndrojmë para, me një dëshmi të besueshme". Kështu, së bashku, "do të rindërtojmë besueshmërinë e një Kishe të plagosur, të dërguar në gjirin e njerëzimit të plagosur, brenda një krijimi të plagosur. Nuk jemi ende të përsosur, por është e nevojshme të jemi të besueshëm". Me këto fjalë Papa Leoni XIV, në Meshën e tij të parë për shugurimin meshtarak të njëmbëdhjetë diakonëve të Dioqezës së Romës, në festën e Vizitës së Zojës, u drejtohet meshtarëve të rinj pas paraqitjes dhe shprehjes "ja ku jam!".
Në homelinë, nisur duke kujtuar gëzimin e kësaj dite për Kishën dhe për secilin prej meshtarëve të rinj, familjeve të tyre, miqve dhe shokëve në formim, si dhe 5,500 të pranishmëve në Bazilikën e Vatikanit, Papa Leoni XIV u ndal në lidhjet që ekzistojnë dhe që do të rriten ndërmjet tyre dhe popullit të Zotit, "nga i cili vini - shtoi Prevost – e nga i cili mbeteni pjesë dhe për të cilin jeni dërguar". Duke pasur gjithnjë parasysh, vijoi, "se identiteti i meshtarit varet nga bashkimi me Krishtin, kryemeshtarin e përjetshëm".
“Ne jemi populli i Zotit. Koncili II i Vatikanit e bëri më të gjallë këtë vetëdije, gati duke parashikuar një kohë në të cilën përkatësitë do të ligshtoheshin e ndjenja e Zotit do të rrallohej më shumë”.
Ungjilli erdhi ndër ne përmes lidhjeve
Ju, vazhdoi Leoni XIV duke iu drejtuar njëmbëdhjetë diakonëve, të cilët e paraprinë në procesionin e hyrjes e para se të vendoste duart mbi kokën e secilit prej tyre, nga Gabrieli te Enriko Maria, "jeni dëshmi e faktit se Zoti nuk është lodhur duke i mbledhur bijtë e tij, edhe pse janë të ndryshëm, e edhe duke i formuar ata në një unitet dinamik". E duke kujtuar Ungjillin e Gjonit, Papa theksoi se Jezusi nuk është "i shtypur nga vdekja e afërt, as nga zhgënjimi për lidhjet e thyera ose të papërfunduara".
Në vend që të mendojë për fatin e tij personal, Jezusi i vë në duart e Atit lidhjet që ka ndërtuar këtu poshtë. Ne jemi pjesë e tij! Ungjilli na erdhi nëpërmjet lidhjeve që bota mund t'i ligështojë, por jo t'i shkatërrojë.
Shenjtërojini njerëzit që Zoti i vë në rrugën tuaj
Prej këndej, ftesa për të shuguruarit, që të ecin "në rrugën e Jezusit", sepse "Të jemi të Zotit - shërbëtor të Zotit, njerëz të Zotit - na lidh me tokën: jo në një botë ideale, por me atë reale".
Ashtu si Jezusi, ata që Ati vë në rrugën tuaj janë njerëz prej mishi e prej gjaku. Shenjtërohuni përmes tyre, pa u ndarë, pa u izoluar, pa e bërë dhuratën e marrë një lloj privilegji. Papa Françesku na ka paralajmëruar shumë herë kundër kësaj, sepse vetë-vlerësimi e shuan zjarrin e shpirtit misionar.
Shpirti Shenjt ju bën rojtarë, jo zotërinj
Në një Kishë "konstituitive ekstroverse", i sqaron Papa Leoni XIV meshtarët e rinj, ju do t'i bëni fjalët e Jezusit tuajat në çdo Eukaristi: është "për ju dhe për të gjithë". Zoti na dha fuqinë për t’u bërë bijtë e tij, kujtoi: “Të mos kërkojmë pushtet tjetër!” - tha Papa Prevost, që përsërti më pas Leximin e parë dhe përshëndetjen e Shën Palit drejtuar të moshuarve të Efezit, përmes së cilës u transmeton “sekretin e çdo misioni: Shpirti Shenjt ju ka caktuar roje”.
Jo zotërinj, por roje. Misioni është i Jezusit. Ai u ngjall, prandaj është i gjallë dhe na paraprin. Asnjë prej nesh nuk u thirr ta zëvendësojë. Dita e Ngjitjes në Qiell na edukon për praninë e tij të padukshme.
Në gjirin e popullit të Zotit, si dëshmitarë të besueshëm
E nëse Jezusi na lë vend, duke na besuar, edhe ne ipeshkvijtë, theksoi Leoni XIV, “duke ju përfshirë në misionin e sotëm, bëjmë vend për ju. Dhe ju bëni vend për besimtarët dhe për çdo krijesë", sepse "populli i Zotit është më i shumtë se sa e shohim. Të mos i përcaktojmë kufijtë e tyre". Duke kujtuar fjalimin e lamtumirës së Shën Palit në Efez, Papa theksoi më pas sjelljen e tij, "transparencën e jetës". E kështu janë jetët e priftërinjve të rinj "jetë të njohura, jetë të lexueshme, jetë të besueshme!".
Jemi brenda popullit të Zotit, për të qenë në gjendje të qëndrojmë përpara, me një dëshmi të besueshme. Së bashku, pra, do të rindërtojmë besueshmërinë e një Kishe të plagosur, të dërguar në një njerëzim të plagosur, brenda një krijimi të plagosur. Nuk ka rëndësi të jesh i përsosur, por është e nevojshme të jesh i besueshëm.
E vetmja pasuri për t’u ndarë: jemi të Zotit
Jezusi i Ngjallur - përfundoi Papa Leoni - e fal njerëzimin që e mohoi dhe na bën kështu “shërbëtorë të shpresës”. E me fjalët e Shën Palit, kujton se “Dashuria e Krishtit na zotëron”, me një zotërim “që na çliron dhe na mundëson të mos zotërojmë askënd”.
Çlironi, mos zotëroni. Jemi të Zotit: nuk ka pasuri më të madhe për ta vlerësuar dhe për ta bashkëndarë. Është e vetmja pasuri që, kur ndahet, shumëfishohet. Së bashku duam ta sjellim në botën që Zoti e deshi aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëm.
Të gjitha çastet e Liturgjisë së shugurimit
Liturgjia e shugurimit meshtarak të njëmbëdhjetë diakonëve të dioqezës së Romës, nga të cilët 7 nga Seminari i Madh Papnor Romak dhe 4 nga Kolegji Dioqezan Redemptoris Mater, vazhdoi me angazhimet e të zgjedhurve, të cilët u përkulen para Ipeshkvit të Romës, ndërsa vijonin litanitë e shenjtorëve, vendosja e duarve, lutja e shugurimit e thënë nga Papa dhe, së fundmi, vënia e stolës dhe e kazulës.
Papa Leoni XIV, sipas ritit liturgjik, lyen pëllëmbët e çdo të shuguruari me Vajin e shenjtë dhe u jep atyre bukën mbi tabaka dhe kupën me verën, përgatitur për Meshën. Pastaj shkëmben përqafimin e paqes me secilin prej tyre. Të gjitha çastet e liturgjisë shoqërohen nga Kori i Dioqezës së Romës, drejtuar nga Imzot Marco Frisina.
Në bashkëkremtim me Leonin XIV ishin Kardinali Baldo Reina, Vikari i Përgjithshëm për Dioqezën e Romës, kardinalë të tjerë, ipeshkvij ndihmës, eprorë të seminareve dhe priftërinj famullitarë të të shuguruarve. Për Liturgjinë Eukaristike, njëmbëdhjetë meshtarët e sapo-shuguruar vendosen rreth altarit dhe anash Ipeshkvit të Romës dhe vikarit të tij.
Atmosferë feste në Bazilikën e Shën Pjetrit, kurorëzuar me lule e mbushur përplot me besimtarë, simbol i vazhdimësisë pa fund të një feje që na kujton se “Krishti është qendra. Krishti është zemra e Kishës. Pa Të, Pjetri dhe Kisha nuk do të ekzistonin dhe as nuk do të kishin asnjë arsye për të ekzistuar”. Po ekzistojnë, e deri në fund të fundit të kohëve!”.