Leoni XIV te varri i Sh?n Palit: d?shmitar? t? dashuris?, t? af?rt me t? tjer?t
R.SH. – Vatikan
"Ashtu si Jezusi Zot e transformoi jetën e Shën Palit (Saulit), edhe ne duhet të kërkojmë të jemi "dëshmitarë të dashurisë"". Kështu u shpreh, mes tjerash, Papa Leoni XIV në homelinë e tij gjatë vizitës në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, në Romë. "I kërkojmë shën Palit të na mësojë të kultivojmë dhe të përhapim dashurinë e tij, duke u bërë të afërt me njëri-tjetrin, në të njëjtën garë dashurie që, nga takimi me Krishtin, e shtyu persekutuesin e dikurshëm të bëhej 'gjithçka për të gjithë' deri në martirizim. Kështu, për ne si për të, në dobësinë e mishit do të zbulohet fuqia e fesë në Zotin që justifikon".
Kështu, sot pasdite, Papa Leoni XIV shkoi për vizitë në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, një nga Bazilikat papnore më të rëndësishme të Romës, ku ndodhet varri i Shën Palit apostull. Ati i Shenjtë Prevost, ashtu si të gjithë shtegtarët që kanë ardhur për Jubileun e sivjetëm kushtuar shpresës, kaloi Portën Shenjte dhe u lut te varri i Apostullit të Popujve. Gjatë homelisë së kremtimit të Fjalës së Zotit, Papa komentoi pikërisht pjesën nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve, që u lexua në liturgjinë e sotme, duke ia besuar apostullit fillimin e papnisë e duke reflektuar mbi mesazhin e tij, i cili përqendrohet në tri tema kryesore: hiri, feja dhe drejtësia.
Është Zoti ai, që na zgjedh i pari
Shën Pali nënvizon se ka pasur prej Zotit hirin e thirrjes, pra, vetë Hyji e thirri për një jetë të re, ndërsa persekutonte të krishterët. Të njëjtën përvojë e konfirmon edhe Shën Augustini, nënvizoi Papa në homeli, duke vënë në dukje se është Zoti ai, që zgjedh i pari, me “mëshirën e tij, me mirësinë bujare si ajo e një nëne, që natyrshëm, përmes trupit të vet, ushqen fëmijën kur nuk është ende i aftë të ushqehet vetë”, siç thotë shenjti, që i jep emrin Urdhrit ku bën pjesë edhe Leoni XIV, në tesktin e tij “Shpjegime mbi Psalmin 130”. Por, Shën Pali, vuri në dukje Ati i Shenjtë, flet edhe për bindjen e fesë.
“Zoti, në fakt, - vërejti Papa - duke iu dukur atij në rrugën e Damaskut (shih Vap 9,1-30), nuk e privoi nga liria, por i la mundësinë e një zgjedhjeje, të një bindjeje, fryt i mundimeve, i luftërave të brendshme dhe të jashtme, të cilat ai pranoi t’u bënte ballë. Shpëtimi nuk vjen me magji, por me anë të një misteri hiri dhe feje, mister i dashurisë paraprirëse të Hyjit dhe i pranimit me besim e liri nga ana e njeriut (shih 2 Tim 1,12)”.
Zoti na do e pikërisht kjo i jep kuptim gjithë jetës
Leoni XIV i kërkoi Hyjit t’u japë të gjithëve hirin për t’iu përgjigjur thirrjes së tij, duke u bërë dëshmitarë të dashurisë së Shpirtit Shenjt, të afërt me njëri-tjetrin në bamirësi, që tek secili të dëshmohet “fuqia e fesë në Zotin, që shpërblen”, pra, justifikon çdo besimtar me drejtësi. U kujtoi benedektinëve, që kujdesen për Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, Rregullën e themeluesit të tyre, që u kërkon dashuri vëllazërore dhe mikpritje për të gjithë, pasi kjo është rruga për kumtimin e Ungjillit. E, kujtoi fjalët e Papës Benedikti XVI, që u thoshte të rinjve se Zoti i do e pikërisht kjo i jep kuptim gjithë jetës. Në zanafillën e saj është plani i dashurisë së Hyjit.
“Këtu qëndrojnë rrënjët e thjeshta dhe unike të çdo misioni, përfshirë edhe timin, si pasardhës i Shën Pjetrit dhe trashëgimtar i zellit apostolik të Shën Palit. Zoti më dhëntë hirin t'i përgjigjem me besnikëri thirrjes së tij”, përfundoi homelinë Papa Leoni XIV.