Papa: n? nj? bot? t? sfilitur nga lufta, bashkimi i t? krishter?ve luan rol jet?sor
R.SH. – Vatikan
Dashuria për njëri-tjetrin, jeta në unitet, shërbimi: këto fjalë janë në qendër të mesazhit, që u drejtoi sot Papa Leoni XIV anëtarëve të Lëvizjes anabaptiste, e cila, me moton "Guximi për të dashur", kremton 500-vjetorin e themelimit. Ati i Shenjtë lutet që marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe menonitëve të jenë vëllazërore, “të thellohen dhe të zhvillohen”.
Lëvizja anabaptiste
Lindur në botën e trazuar të Reformës Protestante të shekullit XVI, anabaptizmi u dallua për vizionin e tij radikal të fesë, duke iu kundërvënë pagëzimit në moshë të njomë e duke pohuar se vetëm të rriturit e vetëdijshëm për fenë e tyre duhet të pagëzohen. Kjo lëvizje sfidoi jo vetëm Kishën Katolike, por edhe Kishat e reja të Reformuara, duke propozuar një botëkuptim tjetër mbi bashkësinë dhe impenjimin e krishterë. Lëvizja anabaptiste e ka zanafillën më 21 janar 1525 në Zyrih, nga një grup dishepujsh të Ulrich Zwingli-t, që u dhanë për herë të parë pagëzimin të rriturve në kohët moderne. Anabaptistët më të moderuar njohin si udhëheqës të tyre shpirtëror Menno Simons (1496-1561), prej të cilit vjen emri menonitë, përmendur nga Papa Leoni XIV në mesazhin e sotëm.
Të gjithë ndjekësit e Jezu Krishtit mund të zhyten në risitë e fesë
Ati i Shenjtë Prevost përdor fjalët e Jezusit të ringjallur, i cili u jep paqen dishepujve dhe, kujton ai, “nuk i fshehu shenjat e Mundimeve, ende të dukshme në korpin e tij në lavdi”.
“Duke marrë paqen e Zotit dhe duke pranuar thirrjen e tij, e cila përfshin hapjen ndaj dhuratave të Shpirtit Shenjt, të gjithë ndjekësit e Jezusit mund të zhyten në risitë rrënjësore të fesë dhe të jetës së krishterë. Në fakt, kjo dëshirë për ripërtëritje karakterizon edhe vetë lëvizjen anabaptiste”.
Purifikimi i kujtesës dhe interpretimi i përbashkët i historisë
Papa i fton anëtarët e saj të “bëjnë çdo përpjekje për ta jetuar urdhërimin e dashurisë, thirrjen për bashkimin e të krishterëve dhe mandatin për t’u shërbyer të tjerëve”. Janë të nevojshme edhe cilësi si “ndershmëria dhe mirësia në reflektimin mbi historinë tonë të përbashkët", thekson Leoni XIV, duke vënë në dukje se kjo histori "përbëhet edhe nga plagë e rrëfime të dhimbshme, që ndikojnë në marrëdhëniet dhe në perceptimet katoliko-menonite deri në ditët e sotme".
“Sa i rëndësishëm është, pra, ai purifikim i kujtesës dhe ai interpretim i përbashkët i historisë, që mund të na lejojë t’i shërojmë plagët e së kaluarës dhe të ndërtojmë një të ardhme të re përmes “guximit për të dashur”. Gjithashtu, vetëm në këtë mënyrë dialogu teologjik dhe baritor mund të japë fryte afatgjata”.
Sa më të bashkuar të krishterët, aq më e frytshme dëshmia për Krishtin
I vetëdijshëm se kjo nuk është detyrë e lehtë, Papa kujton disa çaste nga jeta e Jezusit, kur ai u sprovua tej mase, por – pohon ai – janë çaste, që vunë në pah më shumë se çdo gjë tjetër sa të rëndësishme janë urdhërimet e dashurisë. Duke iu rikthyer temës së unitetit, Pasardhësi i Pjetrit citon Shën Augustinin: “E gjithë shpresa ime është ekskluzivisht në mëshirën tënde të madhe. Në jep atë që urdhëron dhe na urdhëro ç’të duash” (Rrëfimet, X, 29-40). Pastaj, Papa shton:
“Së fundi, në kuadrin e botës sonë të shkatërruar nga lufta, rrugëtimi ynë i vazhdueshëm i shërimit dhe i thellimit të vëllazërimit ka një rol jetësor për të luajtur, sepse sa më të bashkuar të jenë të krishterët, aq më e frytshme do të jetë dëshmia jonë për Krishtin, Princin e Paqes, në ndërtimin e një qytetërimi të takimit plot dashuri”