Leoni XIV Veprave Papnore Misionare: Ungjilli i paqes mes luft?rave dhe padrejt?sive
R.SH. – Vatikan
“Bota jonë”, e tronditur dhe e plagosur “nga lufta, dhuna dhe padrejtësia”, ka nevojë urgjente të “dëgjojë” dhe ta shohë të mishëruar “premtimin ungjillor për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme”. Kisha është e thirrur t’i kapërcejë kufijtë e "famullive, dioqezave dhe kombeve", duke e gjetur "bashkimin dhe harmoninë e përsosur" në Krishtin. Papa Leoni XIV priti sot në audiencë anëtarët e asamblesë së përgjithshme të Veprave Papnore Misionare, të cilëve u përsëriti thirrjen për unitet, që e ka veçanërisht "për zemër", siç mund të shihet edhe në moton e zgjedhur prej tij “In Illo uno unum”, marrë nga një predikim i Shën Augustinit.
Katër degët e Veprave Papnore Misionare
Papa nënvizoi fillimisht përmasën “e domosdoshme” të misionit ungjillëzues të Kishës, duke kujtuar edhe përvojën e tij të gjatë baritore në Peru. “Mbështetja” dhe “gjallërimi” i bashkësisë kishtare janë dy shtyllat e Veprave Papnore Misionare, që ndahen në katër degë: Veprave Papnore për Përhapjen e Fesë, e cila mbështet programet baritore dhe katekistike, “ndërtimin e kishave të reja”, asistencën mjekësore dhe “nevojat arsimore në territoret e misionit”; Veprave Papnore e Fëmijërisë Misionare, e cila promovon “formimin e krishterë të fëmijëve”, duke siguruar edhe realizimin e “nevojave të tyre parësore”; Vepra Papnore e Shën Pjetrit Apostull, e cila mbështet “thirrjet misionare, si meshtarake, ashtu edhe rregulltare; e së fundi, Bashkimi Papnor Misionar, kushtuar formimit misionar të “meshtarëve, murgeshave e rregulltarëve” dhe të “gjithë popullit të Zotit për veprën misionare të Kishës”.
Hapjani krahët botës
Papa Leoni XIV theksoi urgjencën e “promovimit të zellit apostolik ndërmjet njerëzve”, duke e përcaktuar atë si “aspekt thelbësor të ripërtëritjes së Kishës” të dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit.
“Bota jonë, e plagosur nga lufta, dhuna dhe padrejtësia, ka nevojë të dëgjojë mesazhin ungjillor të dashurisë së Zotit dhe të përjetojë fuqinë pajtuese të hirit të Krishtit. Në këtë kuptim, vetë Kisha, në të gjithë anëtarët e saj, është gjithnjë e më e thirrur të jetë Kishë misionare, që ia hap krahët botës, që shpall Fjalën e Hyjit dhe bëhet tharm harmonie për njerëzimin”.
Bashkësia kishtare është e thirrur të jetë bartëse e “premtimit ungjillor për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme” për çdo krijesë, këmbënguli Leoni XIV, sepse – siç pohon Papa Françesku në Nxitjen apostolike “Evangelii gaudium” – “Zoti e ka mposhtur mendësinë e kësaj bote dhe konfliktualitetin e saj të përhershëm, duke e paqtuar me gjakun e kryqit të tij”.
Vizita në dioqeza dhe famulli
Kisha, shtegtare në histori “me besim, gëzim dhe guxim”, impenjohet edhe përmes veprimtarisë së Veprave Papnore Misionare, të cilat angazhohen në “koordinimin e formimit” dhe gjallërimin e “shpirtit misionar në nivel lokal”. Atyre, Papa Leoni u drejtoi ftesën:
“Jepuni përparësi vizitave në dioqeza, famulli dhe bashkësi, duke i ndihmuar kështu besimtarët të njohin rëndësinë themelore të misioneve dhe të përkrahjes së vëllezërve dhe motrave tona, në ato zona të botës ku Kisha është e re dhe në rritje”.
Uniteti i Kishës në Krishtin
“Bashkësia” dhe “universaliteti” janë dy tiparet dalluese të Veprave Papnore Misionare, vënë në dukje nga Papa, i cili nënvizoi nevojën për të promovuar “më tej” një vizion të Kishës si “bashkësi besimtarësh”, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, pjestare në harmoninë “e përsosur” të Trinisë Shenjte.
“Në fakt, pikërisht në Trini, gjejnë bashkimin e tyre të gjitha gjërat. Këtë përmasë të jetës dhe të misionit të krishterë e kam për zemër dhe pasqyrohet në fjalët e Shën Augustinit, që zgjodha për shërbimin tim ipeshkvor dhe për shërbesën time papnore: ‘In Illo uno unum’. Krishti është Shpëtimtari ynë dhe në të, ne jemi një, një familje e Zotit, pavarësisht nga shumëllojshmëria e pasur e gjuhëve, kulturave dhe përvojave”.
Vetëdija se jemi “gjymtyrë të Korpit të Krishtit” është hapje “ndaj përmasës universale të misionit ungjillëzues”, që na nxit të “shkojmë përtej kufijve të famullive, dioqezave dhe kombeve, për të ndarë me çdo vend dhe me çdo popull madhështinë e njohurive mbi Zotin tonë Jezu Krisht”.
Misionarët e Shpresës
Duke riafirmuar besimin e tij në “karizmën e vërtetë” të Veprave Papnore Misionare, Papa Leoni XIV kujtoi edhe një herë Papën Françesku dhe fjalët e tij të zgjedhura si temë për Ditën Botërore të Misionit të këtij viti: të vazhdojmë të jemi “misionarë shprese ndërmjet njerëzve”.