Papa kremtoi Mesh?n n? Kript?n e Vatikanit: duhet t? dim? t? d?gjojm?, pa gjykuar
R.SH. / Vatikan
Sot paradite Papa Leoni XIV shkoi në Kriptën e Vatikanit për të kremtuar Meshën në altarin pranë varrit të Pjetrit. Njoftimin e dha Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, duke kujtuar edhe se Eprori i përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, Atë Alejandro Moral Anton, bashkëkremtoi me Papën. Në fund të Meshës, Ati i Shenjtë u ndal për t'u lutur te varret e paraardhësve të tij dhe përpara vendndodhjes së Palliumit.
Jepjani jetën tuaj Krishtit, nga i cili varemi
Në homelinë e kësaj së dieleje, “kaq domethënëse për stinën e Pashkëve”, të mbajtur anglisht e italisht, Papa Prevost komentoi Ungjillin e Bariut të Mirë, propozuar nga liturgjia e sotme. Në fillim të “misionit të ri të shërbesës së Pjetrit”, kujtoi shembullin e vetë Jezu Krishtit, “të cilit i dhurojmë jetën dhe nga i cili varemi”. Në Ditën e Nënës, të cilën Papa nuk e la pa e kujtuar, saktësoi se “një nga shprehjet më të bukura të dashurisë së Zotit është dashuria që dhurojnë nënat, veçanërisht fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre”.
Profesionet lindin nga shembulli i mirë
Duke folur për thirrjet, temë e Ditës Botërore që kremtohet sot, Leoni XIV vërejti se gjatë punës së fundit të kardinalëve, para dhe pas zgjedhjes së Papës së ri, u fol shumë për këtë temë, "tejet e rëndësishme që të gjithë duhet ta kërkojmë së bashku”.
Para së gjithash, duke dhënë shembull të mirë në jetën tonë, me gëzim, duke jetuar gëzimin e Ungjillit, duke mos i çkurajuar të tjerët, por përkundrazi - përsëriti - duke kërkuar mënyra për t'i inkurajuar të rinjtë të dëgjojnë zërin e Zotit, ta ndjekin dhe të shërbejnë në Kishë".
Duhet të dish si të dëgjosh
Pastaj Papa Prevosti theksoi frymën universale të shpalljes së Ungjillit dhe nxiti: “Guxim! Pa frikë!”. Misioni ndonjëherë përfshin edhe flijime, kujtoi duke u ndaluar një çast për të menduar se sa e rëndësishme është të dëgjosh. I vetëdijshëm se duhet të mësohemi gjithnjë e më shumë për ta dëgjuar Fjalën dhe të tjerët e për “të hyrë në dialog”, Papa pohoi se ky është parakushti për ndërtimin e urave, ato që i citoi që nga fjalët e para pas zgjedhjes së tij në Selinë e Pjetrit.
“Duhet të dimë të dëgjojmë, që të mos gjykojmë, të mos i mbyllim dyert duke menduar se kemi në dorë gjithë të vërtetën dhe askush tjetër nuk mund të na tregojë asgjë”, përsëriti Leoni XIV.
“Prej këtu do të vijë një qartësi më e madhe për ta kuptuar drejtimin, në të cilin po na thërret Zoti”.