Leoni XIV: l?vizjeve t? Aren?s s? Paqes, "n?se do paqe, p?rgatit institucione paqeje"
R.SH. / Vatikan
Dëshira për paqe nënkupton krijimin e institucioneve të paqes. Ky është mesazhi kryesor i fjalimit të Leonit XIV në audiencën e sotme me lëvizjet dhe shoqatat që i dhanë jetë "Arenës së Paqes", realitet dinamik në të cilin bashkohen grupe shumëpalëshe, pacifiste, popullore. Audienca është një rilançim i asaj iniciative të 18 majit 2024, për të cilën dioqeza e Veronës së bashku me Kombonianët ishte interpretuesja, duke konfirmuar traditën e saj si vend zhvillimi dhe propozimesh rreth Doktrinës Shoqërore të Kishës.
Në grupin prej rreth 300 personash, mbledhur sot në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, ishin edhe izraeliti Maoz Inon, prindërit e të cilit u vranë nga Hamasi, dhe palestinezi Aziz Sarah, vëllai i të cilit u vra nga ushtria izraelite, tani miq dhe bashkëpunëtorë. Priten me duartrokitje të vazhdueshme, si protagonistët e atij përqafimi historik dhe të guximshëm një vit më parë në Verona, në prani të Papës Françeskut, i cili mbetet, siç pranoi Prevost, "dëshmia dhe shenja e shpresës".
Rruga drejt paqes është e përbashkët
Leoni XIV niset pikërisht nga ndarja e perspektivës së inkurajuar nga Bergoglio në takimin e 18 majit 2024 në arenën e qytetit venecian, atë të viktimave. Ta vemë veten në vendin e tyre, thotë edhe sot Papa, "është themelore për çarmatosjen e zemrave, shikimeve, mendjeve; dhe t’i denoncojmë padrejtësitë e një sistemi që vret dhe bazohet në kulturën e hedhurinave". Paqja dhe e mira e përbashkët janë të ndërlidhura, thekson Papa, duke cituar Shën Gjon Palin II kur fliste për paqen si për një të mirë të pandashme. Në fjalimin e sotëm të Pasardhësit të Pjetrit përsëritet se paqja nuk është diçka inerte, por aktivizuese e ndërgjegjes.
Rruga drejt paqes rikërkon zemra dhe mendje të stërvitura dhe të formuara për t'u kushtuar vëmendje të tjerëve dhe të afta për të njohur të mirën e përbashkët në kontekstin e sotëm. Rruga që të çon drejt paqes është e përbashkët, kalon përmes kujdesit të marrëdhënieve të drejtësisë ndërmjet të gjitha qenieve të gjalla.
Ndryshimet duhet të njihen, të merren përsipër, të kapërcehen.
Të ndërtosh paqen do të thotë të realizosh procese të gjata formimi për paqen, kohë që duhen kërkuar në një epokë, në të cilën pëlqehet më shumë shpejtësia dhe përfundimi.
Paqja e vërtetë është ajo që merr formë duke u nisur nga realiteti (territoret, bashkësitë, institucionet lokale e kështu me radhë) dhe duke e dëgjuar atë. Pikërisht për këtë arsye e kuptojmë se kjo paqe është e mundur kur dallimet dhe konfliktet që ato sjellin nuk zhduken, por njihen, merren përsipër, kapërcehen.
Ka shumë dhunë në botë
Papa vlerëson angazhimin e lëvizjeve për paqen duke i quajtur "të çmuara". Janë realitete nga "poshtë", dialoguese, të cilat vënë në lojë "frymën krijuese dhe gjenialitetin". E kështu, saktëson Papa, lind shpresa. "Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për përvoja që të edukojnë me kulturën e jetës, me dialogun e respektin e ndërsjellë", pohon përsëri Papa, që vëren më pas me hidhërim: "Ka tepër dhunë në botë, tepër dhunë në shoqëritë tona".
Nga niveli lokal dhe i përditshëm, deri në atë të rendit botëror, kur ata që pësuan padrejtësi dhe viktimat e dhunës dinë t'i rezistojnë tundimit të hakmarrjes, ata bëhen protagonistët më të besueshëm të proceseve jo të dhunshme të paqes. Jodhuna si metodë dhe si stil duhet të dallojë vendimet tona, marrëdhëniet tona, veprimet tona.
"Ne" duhet të përkthehet në nivel institucional
Në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar është e nevojshme që institucionet politike, ekonomike, arsimore dhe shoqërore ta ndjejnë thirrjen për të bashkëpunuar në kulturën e paqes. Papa Leoni XIV kujton Fratelli tutti dhe atë "ne" që - këshillon - duhet të përkthehet edhe në nivel institucional. Prej këndej, inkurajimi përfundimtar për angazhim dhe prani, i shoqëruar nga lutja, në mënyrë që puna për paqe të jetë gjithmonë e gjallëruar nga durimi dhe këmbëngulja:
[...] të pranishëm brenda brumit të historisë si tharmi i unitetit, i bashkësisë, i vëllazërisë. Vëllazëria duhet të zbulohet, të duhet, të përjetohet, të shpallet dhe të dëshmohet, me shpresën e sigurt se është e mundur, falë dashurisë së Zotit.
Një mozaik angazhimi për paqen
Grupet e lëvizjes të pranishme në Vatikan, në audiencë tek Papa, ishin një botë e përbërë dhe e bashkuar nga udha e njëjtë për ndërtimin e drejtësisë shoqërore e të paqes: kujtojmë Mediterranea Human Saving, Libera, Rete Italiana Pace e Disarmo; kryesitë e Veprimit Katolik të Aclit, Movimento Nonviolento, Medici senza Frontiere, l'associazione Comunità Papa Giovanni, Economy of Francesco, l’Anpi, l’Agesci, Cipax, Colibrì, Pax Christi, Fondazione Perugia Assisi, Il mondo di Irene, Beati i costruttori di pace, Movimento dei Focolari, Aipec, Amnesty, Comunità Cristiane di Base, Mamme NoPFas, Ultima Generazione.
Morën pjesë edhe ‘Assopace Palestina’ e ‘Un Ponte Per’, të angazhuar gjithnjë në territoret palestineze. E pranishme, edhe Olga Karach, atktivistja bjelloruse e mërgimtare në Lituani, e cila për shkak të angazhimit në emër të kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, është e dënuar me vdekje.