Papa: i p?rqafoj popujt q? vuajn? nga lufta. Guxim p?r k? k?rkon paqen
R.SH. / Vatikan
Lutja jonë i përqafon të gjithë popujt që vuajnë për shkak të luftës; u bëjmë thirrje për guxim dhe këmbëngulje edhe atyre që janë të angazhuar për dialogun dhe kërkimin e sinqertë të paqes.
Kjo, thirrja e Papës Leoni XIV, pas lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore - thënë për herë të parë nga dritarja e Pallatit Apostolik - që të shprehte afërsi dhe mbështetje për të gjunjëzuarit nga dhuna dhe konfliktet në botë, si dhe të gjithë ata “që luftojnë” për t’i ndaluar mbarë luftërat. Ndërsa lajmet për sulme, vdekje, shtëpi dhe fshatra të shkatërruara vazhdojnë të mbërrijnë nga bota, kryesisht nga Gaza dhe Ukraina, zëri i Papës jehon në mendjet e zemrat e mijëra besimtarëve, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Dita e Lutjes për Kishën në Kinë: dëshmimi i Ungjillit edhe në mes të provave
Papa kujtoi edhe Ditën e Lutjes për Kishën në Kinë, dje, e shtunë, 24 maj. E themeluar nga Benedikti XVI në vitin 2007, festohet në kujtimin liturgjik të Virgjërës Mari, Ndihma e Krishterëve.
Në Kishat dhe Shenjtoret e Kinës e në të gjithë botën, iu lartuan Zotit lutje në shenjë kujdesi e dashurie për katolikët kinezë dhe bashkimin me Kishën universale. Ndërmjetësimi i Shën Marisë i nxjerrtë atyre e edhe neve hirin për të qenë dëshmitarë të fortë e të gëzuar të Ungjillit, edhe në mes të provave, për të nxitur gjithmonë paqen dhe harmoninë.
Dhjetë vjet më parë, enciklika Laudato si’
Papa Prevost kujtoi, më pas, një tjetër përvjetor të rëndësishëm: dhjetëvjetorin e enciklikës së Françeskut “Laudato si’” mbi kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët, botuar më 24 maj 2025. Papa Leoni thekson ndikimin themelor që pati dokumenti në të pesë kontinentet:
“Pati përhapje të jashtëzakonshme, duke frymëzuar nisma të panumërta dhe duke i mësuar të gjithëve të dëgjojnë britmën e dyfishtë të Tokës dhe të të varfërve”.
Papa përshëndeti edhe ata që vepruan të frymëzuar nga enciklika: “Përshëndes dhe inkurajoj Lëvizjen “Laudato si’” dhe të gjithë ata që e çojnë përpara këtë angazhim”.
Shembulli i të Lumit të ri Stanislaus Kostka Streich
Së fundmi, Leoni XIV u kujtoi besimtarëve shembullin dhe dëshminë e meshtarit dhe martirit polak Stanislaus Kostka Streich, shpallur i Lum dje, në qytetin e Poznanit. “U vra nga urrejtja për fenë në vitin 1938, sepse puna e tij në favor të të varfërve dhe punëtorëve i bezdiste ndjekësit e ideologjisë komuniste”, theksoi Papa.
Shembulli i tij i inkurajoftë veçanërisht meshtarët të shkrihen bujarisht për Ungjillin dhe për vëllezërit.