Papa: t? ndalet lufta n? Ukrain?. Nga Gaza lartohet britma e atyre, q? kan? humbur f?mij?t
R.SH. – Vatikan
Trupat pa jetë të fëmijëve, shtëpitë e shkatërruara, dëshpërimi i atyre që kanë mbetur gjallë, por u duhet të provojnë një dhimbje pa fund e pa shpjegim. Këto janë pamjet, që të sjellin ndërmend lufta në Ukrainë dhe ofensiva në Rripin e Gazës. Papa Leoni XIV, që kur u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, nuk ka qëndruar indiferent dhe ka kërkuar pa pushim paqen e mbrojtjen e civilëve.
Edhe sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme, mendimi i tij shkoi tek populli ukrainas, "i goditur nga sulme të reja serioze kundër civilëve dhe infrastrukturave". Sulmet vazhdojnë, ndërsa në nivelin diplomatik po punohet për të realizuar propozimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili do të provojë të arrijë armëpushimin në bisedime tripalëshe, me pjesëmarrjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe të presidentit rus, Vladimir Putin.
“U siguroj afërsinë dhe lutjet e mia të gjitha viktimave, veçanërisht fëmijëve dhe familjeve. Përsëris me forcë thirrjen për ta ndalur luftën dhe për të mbështetur çdo nismë për dialog e paqe. U kërkoj të gjithëve të bashkohen në lutje për paqen në Ukrainë dhe kudo ku ka vuajtje, për shkak të luftës”.
Një strehë e sigurt
Skenari ndryshon, por vuajtjet mbeten të njëjta në Rripin e Gazës. Mendimi i Papës Leoni shkon tek fëmijët e vrarë.
“Nga Rripi i Gazës, lartohet gjithnjë e më intensive drejt qiellit, britma e nënave dhe e baballarëve, që shtrëngojnë trupat pa jetë të fëmijëve dhe që detyrohen vazhdimisht të lëvizin në kërkim të pak ushqimeve dhe të një strehe më të sigurt nga bombardimet”.
Pikërisht sot, UNICEF-i boton disa shifra mbresëlënëse: më se 50 mijë fëmijë janë vrarë, ose janë plagosur që nga tetori i vitit 2023. Kërkesa e Papës është e qartë:
“Përgjegjësve u drejtoj sërish thirrjen: ndaleni zjarrin; të lirohen të gjitha pengjet; të respektohet plotësisht e drejta humanitare”.