Mons. Renzo Pegoraro ?sht? presidenti i ri i Akademis? Papnore p?r Jet?n
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV ka emëruar Monsinjor Renzo Pegoraron president të ri të Akademisë Papnore për Jetën. Që nga viti 2011 ai ishte kancelar i Akademisë e tani pason Kryeipeshkvin Vincenzo Paglia, i cili më 21 prill mbushi 80 vjeç. Monsinjor Pegoraro ka lindur në Padova më 4 qershor 1959. U shugurua meshtar më 11 qershor 1989, duke u inkardinuar në Dioqezën e Padovës. Ai u diplomua për Mjekësi dhe Kirurgji në vitin 1985 në Universitetin e Padovës. Pastaj mori Licencën në Teologjinë Morale në vitin 1990 në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, duke marrë Diplomën e Specializimit në Bioetikë në Università Cattolica del Sacro Cuore (Universitetin Katolik të Zemrës së Shenjtë).
Monsinjor Pegoraro ka qenë sekretar i përgjithshëm i Fondacionit Lanza të Padovës dhe pedagog i Bioetikës në Fakultetin Teologjik të Trivenetos. Që nga viti 2000, ai është profesor i Etikës së Infermierisë në Spitalin Pediatrik "Bambino Gesù" të Romës. Nga viti 2010 deri në vitin 2013, ka qenë president i EACME (Shoqata Evropiane e Qendrave të Etikës Mjekësore). Nga 1 shtatori 2011 ishte kancelar i Akademisë Papnore për Jetën. Ka botuar disa libra, artikuj dhe ese.
Falënderimi i Papës për Paglian
Në një letër të nënshkruar nga kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, Papa Prevost, "i shtyrë nga mirënjohja e gjallë", i shpreh monsinjor Paglias "falënderimet më të përzemërta" për shërbimin e kryer që nga viti 2016 si president i Akademisë Papnore për Jetën (Pav) dhe kancelar i madh i Institutit Teologjik Papnor Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe Familjes. Në një intervistë të botuar të hënën, më 26 maj, nga gazeta italiane La Stampa, monsinjor Paglia kujtoi se "është praktikë e zakonshme në Kurien Romake" që në moshën 80-vjeçare të gjitha detyrat të përfundojnë: "Unë i mbusha ato në ditën kur vdiq Papa Françesku dhe situata bëri që njoftimi të vonohej". Më pas theksoi se "që në moshën 75-vjeçare, si të gjithë", ai i kishte paraqitur dorëheqjen Papa Françeskut, i cili i tha "të vazhdonte deri në moshën 80-vjeçare".