Mir?sia, q? na t?rheq
R.SH. – Vatikan
Andrea Monda
Nga 21 prilli, sytë e botës janë kthyer nga shteti më i vogël i globit, nga Qyteti i Vatikanit. Ndodh kështu kur ndërron jetë një Papë e Kisha Katolike duhet të zgjedhë Pasardhësin e ri të Shën Pjetrit.
Si mund të shpjegohet ky fenomen? Pse gjithë kjo vëmendje? Ndoshta fjalët e shkëmbyera ndërmjet Papës shenjt Pali VI dhe shkrimtarit italian Giuseppe Prezzolini mund të japin një çelës interpretimi.
Papa Montini e pati pyetur shkrimtarin: “Ju deklaroheni larg Kishës! Çfarë sugjeroni për t’i afruar më shumë me Kishën ata, që janë larg saj?” “Atë i Shenjtë – iu përgjigj Prezzolini - ka vetëm një rrugë: përgatisni njerëz të përvuajtur dhe vërtet të mirë, sepse vetëm mirësia tërheq. Ka, madje tepër, njerëz të kulturuar; ka, madje tepër, njerëz inteligjentë. Por nuk janë ata, që e bëjnë botën më të mirë. Inteligjenca ngjall admirim dhe kultura duartrokitje, por vetëm mirësia i tërheq njerëzit drejt Zotit dhe i shtyn ata të bëjnë kthesë”.
Mirësia të tërheq. Ndoshta kjo e shpjegon vëmendjen dhe kuriozitetin e të gjithë botës për Kishën. Në të gjithë këta njerëz, që shohin drejt Romës këto ditë, jeton ndjesia, ndoshta e fshehur thellë në zemra, se përtej të gjitha riteve, liturgjive dhe procedurave kaq të çuditshme për botën e, pikërisht për këtë arsye interesante, ka diçka që lidhet me mirësinë (dhe me mundësinë e një kthese). E kështu, shpresojnë që njeriu, i cili do të zgjidhet në krye të Kishës, nuk do të jetë aq më i kulturuari apo më inteligjenti, por më i miri.
Edhe vetë mirësia është tashmë e çuditshme, jo në sintoni me botën, pasi duket si në kontradiktë me të, diçka, që shkon në drejtim të kundërt. Nëse bota ecën duke ndjekur instinktet e egoizmit, vetë-afirmimit dhe legalizmit, mirësia që predikon Kisha është ajo e faljes, e mohimit të vetvetes dhe e dashurisë së paarmatosur për tjetrin, të ndryshmin, madje, edhe për armikun. Kjo kontradiktë, ky paradoks i guximshëm dhe marramendës është ai, që i tërheq njerëzit drejt Kishës, si dje, ashtu edhe sot.
Edhe ata, që e shohin Kishën thjesht si organizatë pushteti, e ndiejnë se ky shpjegim nuk qëndron në planin afatgjatë dhe se ka, duhet të ketë diçka tjetër, që i shtyn katolikët të bëjnë gjithçka bëjnë në botë, nga laikët te rregulltarët, nga meshtarët e periferive te misionarët. Për të gjitha këto realitete nuk mund të zbatohen kategoritë politike sikur të ishin ndonjë parti. Edhe ata, që e gjykojnë Kishën dhe e dënojnë, sepse është fajtore për mëkatin më të keq, hipokrizinë, tipike për ata, që tjetër thonë e tjetër bëjnë, që përhapin mesazhin e dashurisë ungjillore, por sillen në mënyrë të papajtueshme me atë mesazh, ndonjëherë duke u njollosur me mëkate të rënda - edhe në këtë rast, në atë dënim, i cili, shpesh, përforcohet pa të drejtë aq sa bëhet paragjykim, ka diçka tjetër që del në pah, si zemërimi për pritshmërinë e zhgënjyer, për dashurinë e tradhtuar.
Kush dënon Kishën, shpesh, e bën këtë, sepse e do, por ndihet i lënduar, pasi do ta kishte pranuar atë mesazh, por nuk beson më në të, për shkak të dëshmisë së keqe të katolikëve. Në fund të fundit, nëse këta njerëz e konsiderojnë hipokrizinë si mëkatin më të keq, e bëjnë këtë, sepse vetë Jezusi në Ungjill hyn ashpër në konflikt me hipokritët e kohës së tij ( e, edhe të kohës sonë), sepse ai mesazh i mrekullueshëm, fisnik, të cilin të gjithë e admirojmë dhe do të donim ta ndiqnim, pavarësisht nga gjithçka, pavarësisht nga vetë katolikët, që e kalojnë nëpër duar të brishta e të njollosura me mëkat, ka arritur deri tek ne, në një mënyrë apo në tjetrën.
E kjo, falë Kishës, nuses jo besnike të Krishtit. Drejt kësaj nuseje të pabesë, drejt këtij shërbëtori të padobishëm e të papërshtatshëm si Papa, janë kthyer sytë e gjithë botës, ndoshta për të gjetur edhe sot, në mesin e trazirave të një bote të ndërlikuar, një shenjë sado të vogël shprese.