Leoni XIV: Pap?t kalojn?, Kuria mbetet. Jini roje t? kujtes?s dhe nd?rtues t? unitetit
R.SH./ Vatikan
"Faleminderit! Kur duartrokitjet të zgjasin më shumë se fjalimi, do të më duhet të mbaj një fjalim më të gjatë! Pra… Kushtojini vëmendje! Faleminderit! Faleminderit!".
Nisi me shaka, për të qetësuar duartrokitjet që zgjatën rreth tre minuta, audienca e Papës Leoni XIV në Sallën Pali VI me zyrtarët e Kuries Romake dhe punonjësit e Selisë së Shenjtë, të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Vikariatit të Romës. Është takimi i parë i Papës me punëtorë të të gjitha niveleve dhe kategorive të shtetit më të vogël në botë, të shoqëruar edhe nga familjet e tyre.
"Faleminderit për shërbimin tuaj"
Papa Leoni u shprehu të gjithëve mirënjohjen për shërbimin e kryer dhe i inkurajoi të jenë ruajtës të kujtesës historike, të mos humbasin përmasën "misionare", të ndërtojnë unitetin, të kapërcejnë "keqkuptimet e pashmangshme me durim dhe përvujtëri", duke shmangur "paragjykimet". “Ky takim i parë i yni sigurisht nuk është çast i përshtatshëm për të mbajtur fjalime programatike. Përkundrazi! Për mua është rasti t'ju falënderoj për shërbimin që kryeni, të cilin unë, si të thuash, e 'trashëgoj' nga paraardhësit e mi”. E filloi kështu Papa Prevost bisedën, duke kujtuar më pas se deri pak më shumë se një muaj më parë, ai vetë ishte pjesë e kësaj Kurie.
Po, siç e dini – vijoi - unë mbërrita vetëm dy vjet më parë, kur Papa Françesku i dashur më emëroi prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë. Kështu që u largova nga Dioqeza peruviane e Çiklajos dhe erdha të punoja këtu. Çfarë ndryshimi!
Ta mbajmë gjallë kujtesën
Tani kjo thirrje e re, themelore, nga Zoti, gjithmonë me sigurinë - nënvizoi Ati i Shenjtë - se “Papët kalojnë, Kuria mbetet”. E kjo është e vërtetë në çdo Kishë të veçantë: si për kuriet ipeshkvnore, ashtu edhe për Kurien e Ipeshkvit të Romës. “Kuria është institucioni që ruan dhe transmeton kujtesën historike të një Kishe, të shërbesës së Ipeshkvijve të saj. Kujtesa është element themelor në një organizëm të gjallë. Nuk drejtohet vetëm nga e kaluara, por ushqen edhe të tashmen, të cilën e drejton drejt së ardhmes. Pa kujtesë, rruga humbet, humbet kuptimin e udhëtimit”.
Të punosh në Kurien Romake do të thotë të ndihmosh në mbajtjen gjallë të kujtesës së Selisë Apostolike, në kuptimin jetik që sapo e përmenda, me qëllim që shërbesa e Papës të mund të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme…
Përvoja e misionit
Një aspekt tjetër, “plotësues” i atij të kujtesës, që Papa nuk deshi ta kapërcejë, ishte përmasa misionare e Kuries. Aspekt, mbi të cilin paraardhësi i tij Françesku pati këmbëngulur aq shumë. “Në përputhje” me projektin e përcaktuar në Evangelii gaudium, Papa argjentinas - pohoi Leoni XIV - “reformoi Kurien Romake në perspektivën e ungjillëzimit, me Kushtetutën Apostolike Praedicate Evangelium, “duke ndjekur gjurmët” e Shën Palit VI dhe të Shën Gjon Palit II. Aspekt, ky, që prek zemrën e vetë Papës në detyrë:
Përvoja e misionit bën pjesë në jetën sime, dhe jo vetëm si i pagëzuar, ashtu si të gjithë ne, të krishterët, por sepse, si rregulltar augustinian, isha misionar në Peru dhe thirrja ime baritore e fitoi pjekurinë ndërmjet popullit peruan. Nuk mund ta falënderoj kurrë mjaftueshëm Zotin për këtë dhuratë!
Duhet t’i shërbesh bashkimit
Një mision tjetër në jetën e Papës ishte “thirrja për t’i shërbyer Kishës këtu, në Kurien Romake”: “Unë e vazhdoj dhe do ta vazhdoj, për sa kohë që Zoti do, në këtë shërbim që më është besuar” - siguroi Papa Leoni, duke përsëritur fjalët e tij - fjalët e tij të para - mbrëmjen e 8 majit nga Lozha e Bekimeve:
“Duhet të mendojmë së bashku si të jemi Kishë misionare, Kishë që ndërton ura, dialog, gjithmonë e hapur për të mirëpritur… me krahë hapur të gjithë, të gjithë ata që kanë nevojë për bamirësinë tonë, praninë, dialogun dhe dashurinë tonë”.
Një ftesë, prandaj, për t’i “shërbyer bashkësisë, unitetit, në mëshirë e në vërtetësi”. “Zoti ia dha këtë detyrë Pjetrit dhe pasardhësve të tij, dhe të gjithë ju bashkëpunoni në mënyra të ndryshme në këtë vepër të madhe”, theksoi. “Secili - shtoi - jep ndihmesën e tij duke e kryer punën e përditshme me përkushtim e me besim, sepse besimi dhe lutja janë si kripa në gjellë: i japin shije”.
T’i kapërcejmë keqkuptimet dhe t’i shmangim paragjykimet
Kësaj kauze të madhe uniteti dhe dashurie mund t’i shërbehet edhe në gjëra të vogla të përditshme, me “sjelljen në situata të përditshme” dhe në mjedisin e punës. Secili mund të jetë ndërtues uniteti me qëndrimet e tij ndaj kolegëve, duke kapërcyer keqkuptimet e pashmangshme me durim dhe përvujtëri, duke e vënë veten në vendin e të tjerëve, duke shmangur paragjykimet e edhe me një dozë të mirë humori, siç na mësoi Papa Françesku.
Përshëndetje, shtrëngime duarsh, vizatime
Në fund të fjalës së tij, Papa zbriti nga skena e Sallës dhe i kushtoi thuajse një gjysmë ore përshëndetjes së të gjithë të pranishmëve, duke nisur nga rreshtat e parë, ku ishin të shumtë fëmijët, dhe të porsalindur, të sjellë nga prindërit në audiencë.
Shtrëngime duarsh, buzëqeshje, bekime për të vegjlit, shaka me disa murgesha dhe përkëdhelje një vajze me aftësi të kufizuara në karrocë me rrota. Leoni XIV nënshkroi libra, bileta, flamuj e edhe një Bibël. Pastaj, mblodhi vizatime dhe bluza e, dy herë - lart e poshtë - kaloi korridorin e gjatë të Sallës Pali VI. Më në fund, u rikthye në skenë dhe i përshëndeti me dorë të gjithë turmën njëherësh.
Dalëngadalë turma u largua nga salla, për t’u kthyer në detyrë, po në hapësirën e saj mbeti, e do të mbetet, jehona e fjalëve që ushtuan në atë vend, prej nga Ati i Shenjtë i flet mbarë njerëzimit:
“Papët kalojnë, po Kuria mbetet. Jini roje të kujtesës dhe ndërtues të unitetit”.