杏MAP导航

K?rko

Papa Leoni nderohet nga qyteti i Rom?s: “P?r ju e me ju, jam romak”

N? Piazza dell'Ara Coeli, n? Rom?, rr?z? shkall?ve t? Campidoglio-s, kryebashkiaku Roberto Gualtieri i dor?zoi Pap?s Leonit XIV mir?njohjen e qytetit: "Roma shquhet gjithnj? p?r ato vlera t? humanizmit dhe t? qytet?rimit, q? e marrin nga Ungjilli limf?n jetike ".

R.SH. / Vatikan

Turmës së njerëzve që u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit mbrëmjen e 8 majit, për të festuar zgjedhjen e tij, Leoni XIV, duke cituar Shën Augustinin, iu drejtua me fjalët: "Me ju jam i krishterë, për ju jam ipeshkëv”. Këtë pasdite, qytetarëve të shumtë romakë – përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve, administratës, policisë dhe besimtarë të thjeshtë – të cilët, në fillim të pasdites u mblodhën rrëzë shkallëve të Campidoglio-s për t’i bërë nderimet e Qytetit, Papa Leoni XIV, duke parafrazuar fjalët e Shenjtorit të Urdhrit të Augustinianëve, të cilit i përket, tha:

"Sot mund të them se për ty dhe me ty unë jam romak!"

Një gjest dashurie

Papa i Amerikës së Veriut, misionar në Peru, me rrënjë familjare franceze, spanjolle dhe italiane, sot idealisht mori edhe një “identitet” të ri, atë të  qytetarit të Romës, dioqezës në të cilën fillon zyrtarisht shërbesën e tij si ipeshkëv dhe bari, me vendosjen e tij në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë. Ceremonia në Sheshin “Ara Coeli” u zhvillua pak para kremtimit për marrjen në zotërim të Katedrales së Shën Gjonit në Lateran, në Romë.

Një traditë e lashtë është ndalesa e shkurtër tek këmbët e “shtëpisë së administratës qytetare dhe demokratike të qytetit”, e cila është konfirmim - siç nënvizoi kryebashkiaku i Romës Roberto Gualtieri në fjalën e tij përshëndetëse - i “dashurisë” që Papa ka për Qytetin e Amshuar. Dashuri "për të cilën jemi thellësisht mirënjohës dhe të cilën e shkëmbejmë me gjithë bujarinë për të cilën - siç keni mundur ta shihni ditët e fundit - qyteti ynë është i aftë". Papa Prevost, nga ana e tij, shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që mori në këto hapa të parë të papnisë e, në veçanti, në këtë ditë kaq të rëndësishme.

E ndjej përgjegjësinë e rëndë, por edhe të pasionuar për t’u shërbyer të gjithë anëtarëve të saj, duke pasur në zemër, para së gjithash, besimin e popullit të Zotit dhe, si pasojë, të mirën e përbashkët të shoqërisë.

Bashkëpunëtorë për kë vuan

“Ne jemi bashkëpunëtorë, secili në sferën e vet institucionale”, shtoi Papa Leoni në bisedën me kryetarin e bashkisë. Për dy mijëvjeçarë ‘Kisha e ka jetuar apostollimin e saj në Romë, duke e shpallur Ungjillin e Krishtit dhe duke iu kushtuar bamirësisë”:

Edukimi i të rinjve dhe ndihma për ata që vuajnë, përkushtimi për më pak  fatlumët dhe kultivimi i arteve janë shprehje e kujdesit për dinjitetin njerëzor, që duhet ta mbështesim gjithmonë, veçanërisht ndaj të vegjëlve, të ligshtëve, të varfërve.

Pasuria e Romës dhe impenjimi për Jubileun

Tani në Jubileun e Shpresës, të shpallur dhe të nisur nga Françesku, ende në vazhdim, i njëjti shqetësim i Kishës shtrihet edhe te shtegtarët që vijnë nga çdo pjesë e botës dhe “përfiton gjithashtu nga përpjekjet e Administratës së Kapitolit”, do të thotë e Bashkisë së Romës. Shpresa e Papës Prevost për Vitin e Shenjtë është që “Roma, e pakrahasueshme për pasurinë e trashëgimisë së saj historike dhe artistike, të shquhet gjithmonë edhe për ato vlera të njerëzimit dhe të qytetërimit, që e marrin frymëzimin e tyre nga Ungjilli”.

Përshëndetja e Kryetarit të Bashkisë Gualtieri

Kryetari i bashkisë së Romës Gualtieri e përmendi edhe Jubileun në përshëndetjen e tij fillestare, kur foli për “misione të rëndësishme që duhen përballur” dhe përmendi, në veçanti, ngjarjen e Jubileut kushtuar të rinjve nga 28 korriku deri më 3 gusht, kur mijëra djem dhe vajza do të mbërrijnë në Kryeqytet. Në emër të autoriteteve, kryebashkiaku përsëriti edhe angazhimin për të përfunduar "shumë kantiere ndërtimi, materiale dhe jomateriale, të nisura për ta bërë Romën qytet më të drejtë, më të qëndrueshëm, më të këndshëm për të  gjithë" e, sidomos "më të vëmendshëm ndaj më të fundmëve, më të brishtëve".

“Ky qytet është gati për të Ju shoqëruar, për të ndihmuar në afirmimin e paradigmës të politikës së re, të marrëdhënieve të reja ndërmjet popujve dhe shteteve, të përmirësimit të modelit shoqëror” - nënvizoi Gualtieri - që theksoi gjithashtu “lidhjen ndërmjet përmasës universale të Kishës dhe Romës”, e cila “e ushqeu këtë qytet gjatë shekujve, duke krijuar kulturë, qytetërim, marrëdhënie”, por edhe “përgjegjësi të përbashkëta”, siç është paqja. Duke kujtuar edhe thirrjen për paqe, shqiptuar dhjetë herë nga Leoni XIV në mbrëmjen e zgjedhjes së tij, Gualtieri pohoi se “paqja është thirrja më e fortë universale e Romës".

Fjala e Leonit XIV drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Romës  

Z. Kryetar i Bashkisë,

Ju jam shumë mirënjohës për mirëseardhjen e përshëndetjet që më drejtuat. Falënderoj, njëheresh me Ju, administratën qytetare, si dhe autoritetet civile e ushtarake, për ditën e emërimit tim Ipeshkëv i Romës.

Ndërsa filloj zyrtarisht shërbesën time si Bari i kësaj Dioqeze, ndiej përgjegjësinë e rëndë, por edhe të zjarrtë, për t'u shërbyer të gjithë anëtarëve të saj, duke pasur, para së gjithash, në zemër besimin e popullit të Zotit e, si pasojë, të mirën e përbashkët të shoqërisë. Për këtë qëllim të fundit jemi bashkëpunëtorë, secili në sferën e vet institucionale. Menjëherë pas zgjedhjeve, u kujtova vëllezërve dhe motrave të mbledhura në Sheshin e Shën Pjetrit se unë jam me ta i krishterë - e për ta ipeshkëv: në mënyrë të veçantë sot mund të them se për ju, e me ju, jam romak!

Për dy mijëvjeçarë, Kisha e jetoi apostullimin e saj në Romë, duke shpallur Ungjillin e Krishtit dhe duke iu kushtuar bamirësisë. Edukimi i të rinjve dhe ndihma ndaj atyre që vuajnë, përkushtimi ndaj më pak fatlumëve dhe kultivimi i arteve janë shprehje e kujdesit për dinjitetin njerëzor që duhet ta mbështesim gjithmonë, veçanërisht ndaj të vegjëlve, të ligshtëve dhe të varfërve.

Në Vitin e Shenjtë të Jubileut ky shqetësim shtrihet edhe tek shtegtarët nga të katër anët e botës, e përfiton edhe nga angazhimi i Bashkisë së Romës, së cilës i shpreh mirënjohjen time të thellë.

Z. Kryetar i Bashkisë, shpresoj se Roma, e pakrahasueshme për pasurinë e trashëgimisë së saj historike dhe artistike, do të shquhet gjithmonë për ato vlera të njerëzimit dhe të qytetërimit që e marrin frymëzimin e tyre nga Ungjilli. Me këto ndjenja, i jap Bekimin Apostolik këtij Qyteti dhe të gjithë banorëve të tij.

25 maj 2025, 14:16