Leoni XIV, mik i ?iklajos: "Bari me zem?r ati, q? b?ri p?r vete popull e besimtar?"
R.SH. / Vatikan
Një mik, ose më saktë: një prijës. Ishte 7 nëntori 2014 kur Atë Marcos Antonio Ballena Rentería u takua për herë të parë me Robert Francis Prevost, emëruar së fundmi Administrator Apostolik i dioqezës peruviane të Chiclayo-s ku, një vit më vonë, u shugurua ipeshkëv. “Ishim në bazilikën dioqezane ditën kur Prevosti nisi zyrtarisht detyrën e administratorit e ne, meshtarët, bashkëkremtuam meshën me të”. “Po atë ditë morëm pjesë edhe në një takim kushtuar edukatorëve dhe seminaristëve. Ishte gëzim i madh - kujton meshtari, i cili e kuptoi menjëherë se marrëdhënia me misionarin augustinian do të ishte aq intensive, sa do të shkonte përtej miqësisë, për t’u shndërruar në lidhje më të thellë shpirtërore e njerëzore.
Besimi dhe atësia
Atë Ballena Rentería, ndërkaq, nuk vonoi shumë për të ndjerë se mbi të u derdh gjithë besimi, mbështetja dhe atësia për të cilat ishte i aftë Papa i ardhshëm. Kjo ndodhi në vitin 2017, kur Prevosti e emëroi rektor i seminarit dioqezan Santo Toribio de Mogrovejo: “Nuk ishte periudhë e lehtë - i shpjegoi ai medias së Vatikanit - sepse në pesë vitet e mandatit tim na u desh të përballonim pasojat dramatike të një fenomeni ekstrem klimatik të quajtur El Niño, të një sëmundjeje ngjitëse të frymëmarrjes dhe të pandemisë Covid-19, që shkaktoi një krizë të rëndë ekonomike, e cila përfshiu të gjithë Perunë. E pra ipeshkvi ynë nuk e ndaloi kurrë veprimtarinë e tij ndihmëse, atërore e mbështetëse. "Nuk u ndjeva kurrë vetëm". Ashtu siç nuk e ndjeva kurrë mungesën e lirisë sepse, shton Ati Ballena Rentería, "ai na la të bënim punën tonë dhe na shoqëroi si atë me vizita të shpeshta periodike dhe me takime familjare për të festuar ditëlindjet, për të luajtur tenis dhe për të biseduar me seminaristët e me diakonët. Pastaj na nxiste gjithmonë të bëheshim meshtarë me erën e deleve dhe të mos i linim kurrë pas dore të varfrit, të sëmurët, emigrantët".
Dashuri e pakushtëzuar
Gjatë viteve, kur u kujdes për popullin e Çiklajos, Prevosti tregoi qartë gjithë afërsinë e tij, dashurinë për të afërmin, zellin apostolik, përvujtërinë dhe paqen e tij, të cilat e bënë popullor e të dashur jo vetëm ndër besimtarët katolikë. “Dukej qartë se në të jetonte Ungjilli”. Gjë që kuptohej edhe nga fakti se ai donte të kishte ndikim edhe në frontin kulturor, duke inkurajuar Universitetin Katolik Santo Toribio de Mogrovejo, duke e nxitur të ndjekë përsosmërinë akademike, pa lënë mënjanë fenë, dhe duke nisur në frontin e arsimit nisma jo vetëm në Chiclayo, por edhe në Prelaturën e Chota-s, në Dioqezën e Chachapoyas dhe në atë të Chimbote-s, e edhe përmes krijimit të Institutit Teologjik Santo Toribio de Mogrovejo”, shpjegon meshtari, i cili nuk harron të ndriçojë edhe një përmasë tjetër, plotësisht baritore.
“I vizitoi të gjitha famullitë dioqezane disa herë, pa harruar asnjë. Në mëngjes e gjeje në një famulli në malësi, pasdite në një tjetër, në bregdet. Pastaj inkurajoi dhe ungjillëzoi manifestime të ndryshme të besimeve popullore, siç është mrekullia eukaristike e Eten, ose ajo e kryqit Chalpón”.
Vërtet misionar
Leoni XIV i ardhshëm, para së gjithash, ishte misionar i vërtetë deri në atë pikë, sa t’i pushtonte reciprokisht zemrat: ia pushtoi, kështu, zemrat banorëve të Çiklajos, e edhe ata e pushtuan të tijën. “Ky i Çiklajos është popull besimtar, i dashuruar me Eukaristinë dhe me meshtarët”. Imzot Prevost nuk kërkoi nga njerëzit të përshtateshin me të, por pak nga pak u përshtat ai me ta".
Ovacione nga stadiumi
Askush nuk do të jetë kurrë në gjendje ta shlyej nga mendja e Atë Ballena Renterías çastin në të cilin Papa i ri u duk për herë të parë në Lozhën qendrore e Bazilikës së Vatikanit:
“Atë çast isha në auditorin e seminarit duke ndjekur një konferecë së bashku me dhjetëra njerëz të tjerë. Ishim të gjithë të emocionuar dhe zemrat na rrihnin fort. Kur Papa kujtoi emrin e dioqezës së tij të dashur të Çiklajos, pati një ovacion të jashtëzakonshëm: do ta krahasoja me fitimin e një Kupe Botërore në futboll”.
E ardhmja e Papnisë
Meshtari, i cili pas disa vitesh u rikthye si administrator në seminarin Santo Toribio de Mogrovejo, e njeh aq mirë Leonin XIV, sa të hamendësojë edhe tiparet dalluese të papnisë së ardhshme: “Ato do të jenë vazhdimësia e sinodalitetit të nisur nga Papa Françesku: mbrojtja dhe zhvillimi i më nevojtarëve dhe më të ligshtëve përmes një doktrine shoqërore reflektive e praktike të Kishës: dialog dhe pajtim në konfliktet botërore; formim fillestar dhe i vazhdueshëm i klerit".