Leoni XIV: t? nd?rtojm? nj? Kish? t? themeluar mbi dashurin? e Zotit, shenj? uniteti, Kish? misionare
R.SH. - Vatikan
“U zgjodha pa asnjë meritë e, me frikë e duke u dridhur, vij tek ju si vëlla që dëshiron të jetë shërbëtor i fesë dhe i gëzimit tuaj, duke ecur me ju në rrugën e dashurisë së Zotit, i cili na dëshiron të gjithëve të bashkuar në një familje e vetme”.
Fjalët e Leonit XIV ngarkohen me emocionin dhe ngazëllimin që u pa në fytyrën e tij gjatë zgjedhjes, ndërsa sot shkaktohen nga duartrokitjet e Sheshit të Shën Pjetrit mbushur me njerëz, afërsisht 150,000 vetë të cilët, ashtu si kolonat e Berninit që duken si krahë të hapur, e përqafojnë Papën dhe të gjithë Kishën, duke treguar fytyrën e saj të gëzueshme, plot ngjyra, të vëmendshme dhe unike. Një pasazh që zhvillohet nën vëzhgimin e Zojës së Këshillit të Mirë të Shenjtërores së Gjenacanit, jashtë Romës, e kujdesur nga Augustinianët, ku ruhet Figurja e Marisë nga Shqipëria, para së cilës Papa Leoni XIV u gjunjëzua dy ditë pasi qe ulur në Fronin e Pjetrit. Në lutje!
Në Meshën, që shënon fillimin e shërbesës së tij papnore, të dielën e pestë të Pashkëve, Ipeshkvi i Romës rikthehet në ditët e dhimbshme të vdekjes së Papës Françesku, duke e rijetuar trishtimin dhe ndjenjën e braktisjes së një turme që mbeti pa Bari. Një turme, që e jetoi gjithçka në dritën e Ngjalljes së Pashkëve, me sigurinë se Zoti ecën përkrah të gjithëve dhe se e mbledh grigjën e tij të shpërndarë.
Shpirti që krijon melodi
Pastaj Leoni XIV ndalet tek Konklavi, i përbërë nga “histori dhe shtigje të ndryshme”, që e lë në dorë të Zotit zgjedhjen e një Pape të ri, mbrojtës të fesë së krishterë, me vështrim largpamës “për të përballuar pyetjet, shqetësimet dhe sfidat e sotme”.
“Të shoqëruar nga lutjet tuaja, ndjemë veprën e Shpirtit Shenjt, që ishte në gjendje të akordonte instrumentet e ndryshme muzikore, duke bërë që telat e zemrave tona të kumbojnë në një melodi të vetme.
Përjetoje dashurinë
Uniteti: këtë ofron Konklavi, një nga përmasat - nënvizoi Papa - e "misionit që Jezusi ia besoi Pjetrit". Tjetra është dashuria e pafundme që Zoti ka për ne. Pjetri është peshkatari i njerëzve, siç na e mësoi Mësuesi duke e shpëtuar njerëzimin nga ujërat e së keqes. I takon atij dhe dishepujve të hedhin “rrjetën për të zhytur shpresën e Ungjillit në ujërat e botës, e për të lundruar në detin e jetës, në mënyrë që të gjithë të mund ta gjejnë veten në përqafimin e Zotit”:
“Si mund ta kryejë Pjetri këtë detyrë? Ungjilli na tregon se kjo është e mundur vetëm sepse dikush e ka jetuar në jetën e vet dashurinë e pafundme dhe të pakushtëzuar të Zotit, madje edhe në orën e dështimit dhe të mohimit”.
Nuk ka vend për shtypje as propagandë fetare
Zoti ofrohet pa rezerva e pa llogaritje e vetëm prekja nga kjo dashuri të çon në atë “më shumë” për të ofruar, duke dhënë jetën për vëllezërit. Kështu, e përshkroi Leoni XIV shërbesën e Papës, duke e bazuar atë në dashurinë e Krishtit, në bamirësi dhe pa imponime; fjalë që të sjellin ndërmend ato të shqiptuara nga Benedikti XVI, gjithashtu i dashur nga Françesku, sipas të cilit “Kisha nuk rritet nëpërmjet prozelitizmit, por nëpërmjet tërheqjes, nëpërmjet dëshmisë”.
Shërbesa e Pjetrit karakterizohet pikërisht nga kjo dashuri vetëmohuese, sepse Kisha e Romës kryeson në bamirësi dhe autoriteti i saj i vërtetë është bamirësia e Krishtit. Nuk ka të bëjë kurrë me kapjen e të tjerëve nëpërmjet shtypjes, propagandës fetare apo mjeteve të pushtetit, por ka të bëjë gjithmonë dhe vetëm me dashurinë, siç bëri Jezusi.
Jo padronë të njerëzve, që na janë besuar
Një dashuri që ndryshon dhe që na kërkon të mbrojmë “gurët e gjallë”, burra, të thirrur për të “ndërtuar ndërtesën e Zotit në bashkim vëllazëror, në harmoninë e Shpirtit, në bashkëjetesën e diversitetit”, pa egoizëm.
Ai - thotë vetë Apostulli Pjetër – “është guri që ju, ndërtuesit, e flakët tutje, e që u bë guri i këndit” (Vap 4, 11). E nëse guri është Krishti, Pjetri duhet ta kullosë grigjën pa iu dorëzuar kurrë tundimit për të qenë udhëheqës i vetëm ose një kryetar mbi të tjerët, duke e bërë veten zotërues të njerëzve që i janë besuar (shih 1 Pj 5:3); përkundrazi, atij i kërkohet t’i shërbejë fesë së vëllezërve të tij, duke ecur së bashku me ta: kur të gjithë të jemi bërë “gurë të gjallë” (1 Pj 2, 5), të thirrur me Pagëzimin tonë për të ndërtuar ngrehinën e Zotit në bashkim vëllazëror, në harmoninë e Shpirtit, në bashkëjetesën e larmisë. Siç pohon Shën Agustini: “Kisha përbëhet nga të gjithë ata që janë në harmoni me vëllezërit dhe që e duan të afërmin e tyre” (Diskursi 359, 9).
Kjo, vëllezër e motra, do të doja të ishte dëshira jonë e parë e madhe: një Kishë e bashkuar, shenjë uniteti dhe bashkësie, që bëhet shujtë për një botë të pajtuar.
Një propozim dashurie
Kisha, si “tharm i vogël uniteti, bashkësie, vëllazërie”, dëshiron t’i tregojë botës, “me përvujtëri e me gëzim” se Fjala e Krishtit ngushëllon, shndrit, se propozimi i tij është dashuri, që i bën të gjithë një familje të vetme.
E kjo është rruga që duhet të ndjekim së bashku, ndërmjet nesh, por edhe me Kishat e krishtera simotra, me ata që ndjekin rrugë të tjera fetare, me ata që kultivojnë dëshirën për ta kërkuar Zotin, me të gjitha gratë dhe burrat vullnetmirë, për të ndërtuar një botë të re, në të cilën mbretëron paqja.
Bashkim, duke respektuar dallimet
Kisha e dëshiruar nga Papa Leoni XIV është, pra, një Kishë misionare, jo e mbyllur në një grup të vogël, ose superiore, por e gatshme t'u "ofrojë dashurinë e Zotit të gjithëve, në mënyrë që të arrihet ai unitet, që nuk i zhduk dallimet, por e pasuron historinë personale të çdo njeriu dhe kulturën shoqërore e fetare të çdo populli".
Vëllezër, motra, kjo është ora e dashurisë! Dashuria e Zotit, që na bën vëllezër ndërmjet nesh është zemra e Ungjillit... të ndërtojmë një Kishë të themeluar mbi dashurinë e Zotit dhe shenjë uniteti, një Kishë misionare, që i hap krahët botës, që kumton Fjalën, që shqetësohet nga historia dhe që bëhet tharm i harmonisë për njerëzimin.