Konklavi: tymi i dyt?, i zi
R.SH. - Vatikan
Në ditën e dytë të Konklavit, 133 kardinajtë nuk e kanë zgjedhur ende Pasardhësin e Shën Pjetrit, në fund të paradites, gjatë së cilës votuan dy herë, sipas rregullit. Kështu, në orën 11.51, nga oxhaku i Kapelës Sikstine, doli sërish tym i zi. Në Sheshin e Shën Pjetrit e ndoqën me vëmendje rreth 15 mijë vetë, që ishin mbledhur për të parë tymin, pamjet e të cilit transmetohen edhe në ekranet e mëdha të vendosura në shesh, por edhe për t’u lutur për zgjedhjen e Papës së ri. Shumë e përjetësuan momentin me telefonat e tyre celularë, ndërsa televizionet e gjithë botës filmuan tymin, që dilte nga oxhaku.
Sot, 8 maj, në orët e para të ditës, kardinajtë zgjedhës u mblodhën në Kapelën Pauline për të kremtuar meshën dhe lutjet e mëngjesit, ndërsa në Kapelën Sikstine thanë lutjet e orës së mesme, përpara se të vazhdonin me votimin. Dreka është planifikuar në Shtëpinë e Shën Martës e pastaj, nisja për në Pallatin Apostolik në orën 15.45. Pasi të kenë zënë vend të gjithë, në orën 16.30, Kapela Sikstine mbyll dyert për të vazhduar me dy votime të tjera.