Kongregacioni i dhjet? i kardinajve: Papa i ri pritet t? jet? bari pran? njer?zve
R.SH. – Vatikan
Papën e ri, të gjithë e presin si një bari afër popullit, një portë-hyrje drejt bashkimit, që i mbledh të gjithë në gjakun e Krishtit, në një botë ku rendi botëror është në krizë. Kështu e përshkroi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, Atin e Shenjtë, për të cilin kardinajtë do të votojnë vetëm pas dy ditësh. Në konferencën për shtyp, ai paraqiti rezultatet e kongregacionit të dhjetë të përgjithshëm të kardinajve, të cilët sot mblidhen dy herë, paradite e pasdite. E, natyrisht, duke diskutuar për problemet e botës e të Kishës, ata përvijojnë figurën e Papës së ri, që nevojitet në këto kohë të vështira.
Natyra misionare e Kishës
Kongregacioni a mbledhja e kardinajve filloi në orën 9.00, me lutje, në praninë e 179 kardinajve, prej të cilëve 132 me të drejtë vote. Në 26 ndërhyrje, përveç karakteristikave të Papës së ri, u fol edhe për të drejtën kanonike dhe për rolin e Shtet-Qytetit të Vatikanit; për rolin e grave në Kishë në kuadrin e sinodalitetit; për natyrën misionare të Kishës e për rolin e Karitasit në mbrojtjen e të varfërve. Bruni nënvizoi praninë e shumë gazetarëve për hapjen e Konklavit, gjë që dëshmon se Ungjilli ka ende kuptim për botën e sotme e është thirrje për përgjegjësi edhe në trasnmetimin e lajmeve nga ana e tyre. Kardinajtë, sqaroi më tej drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, përmendën gjatë mbledhjes lutjen e Papës Françesku gjatë pandemisë së Covid-19, duke nënvizuar se ajo ishte portë e hapur drejt shpresës në frikën, që kishte pushtuar botën. Ishte shenjë e Bariut të Kishës, që u bë një me njerëzit, ashtu siç pritet edhe nga Papa i ri.
Sfidat në transmetimin e fesë
Tema të tjera të diskutuara në kongregacionin e dhjetë të përgjithshëm ishin edhe sfidat në transmetimin e fesë, kujdesi për Krijimin, lufta e përhapur kudo e bota e përçarë, tipar ky, nga i cili nuk shpëton as Kisha me ndarjet e saj. U fol për thirrjet në meshtari e në jetën rregulltare, për familjen dhe edukimin e fëmijëve. U përmendën dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, në veçanti kushtetuta apostolike “Dei Verbum”, për të nënvizuar se Fjala e Zotit është ushqim për besimtarët dhe i ndihmon ata të kapërcejnë vështirësitë e të gjejnë rrugën e drejtë në jetë. Në kremtimin e Eukaristisë, kardinajtë theksuan se nuk duhet harruar Sakramenti i Krishtit në të varfërit.
Kardinajtë mund të shkojnë në Shtëpinë e Shën Martës
Kardinali dekan informoi se të shtunën pasdite Kamerlengu përcaktoi me short dhomat ku do të qëndrojnë kardinajtë në Shtëpinë e Shën Martës (e reja dhe e vjetra). Kush dëshiron mund të shkojë në dhomën e caktuar për të që nesër paradite. Kardinajtë kanë një rrugë të sigurt për të shkuar nga Shën Marta në Konklav, ku mund të mbërrijnë në këmbë, ose me automjet. Perimetrit, në të cilin do të lëvizin kardinajtë, do t’i vendosen vulat. U nënvizua gjithashtu se janë të pranishëm në Romë të 133 kardinajtë me të drejtë vote, që do të hyjnë në Konklav të mërkurën, më 7 maj. Punimet në Kapelën Sikstine kanë përfunduar pothuajse dhe Xhandarmëria vatikanase ka marrë të gjitha masat e sigurisë. Gazetarët nuk do të mund ta shohin, por do të bëhen të njohura pamje nga Kapela e rregulluar për Konklavin.
Nesër do të ketë vetëm një kongregacion të përgjithshëm. Po bëhet ç’është e mundur që të flasin të gjithë kardinajtë, që kanë kërkuar fjalën, përfundoi Matteo Bruni.