Fran?esku, trash?gimia e madhe e diplomacis? shpirt?rore
R.SH. / Vatikan
Më 9 nëntor 1989 binte Muri i Berlinit. Që nga ajo ditë, mijëra berlinezë e rrenuan këtë simbol, që i kishte mbajtur peng për gati tridhjetë vjet. Kjo është datë emblematike e perëndimit së totalitarizmit. Dukej se po agonte një epokë e re, ajo e globalizimit. Ndërsa sot ka tiparet e indiferencës dhe të konfliktit, siç e ka përsëritur shpesh Papa Françesku. Përballë një muri të shembur, lindën shumë të tjerë, në të gjithë botën. Papa, duke folur para një grupi jezuitësh, nuk i pati kursyer fjalët: “Ka mure që ndajnë edhe fëmijët nga prindërit e tyre. Më vjen ndër mend Herodi. E as për drogën, nga ana tjetër, nuk ka mure që mund ta përballojnë”.
Kisha si spital fushor
Kur Françesku, në intervistën që bëri në vitin 2013, foli për Kishën si “spital fushor pas një beteje”, nuk e kishte ndërmend të përdorte një figurë të bukur dhe retorikisht të suksesshme. Çka kishte para sysh, tashmë ishte skenar global i një “lufte botërore pjesë-pjesë”. E pikërisht kjo luftë, që nisi në shkurt të vitit 2022, me pushtimin rus të Ukrainës, mori tiparet e përgjakshme të një sfide ndaj rendit botëror ndërkombëtar, deri në kërcënimin e bombës atomike. Kriza globale merr forma të ndryshme dhe shprehet në konflikte, tarifa, tela me gjemba, kriza migratore, regjime në rënie, aleanca të reja kërcënuese dhe rrugë tregtare, që hapin shtegun drejt pasurisë, por edhe drejt tensioneve. Françesku krijoi harta të këtyre plagëve të hapura, që rrjedhin gjak në fjalimet e tij të ndryshme para Trupit Diplomatik, e jo vetëm në këto raste.
Krishti, në qendër të botës
Është e vështirë të gjykosh se cili është epiteti më shumë i përshtatshëm - e cili më pak - ndërmjet atyre që komentuesit ia atribuan Papës Bergoglio dhe rolit të tij në fushën e politikës ndërkombëtare. Spektri shtrihet nga “revolucionari” i habitur dhe admirues i Eugenio Scalfarit - tek përkufizimet e panumërta e jo shumë dashamirëse “marksist” ose “populist”, deri te skepticizmi që e konsideroi veprimin e Selisë së Shenjtë të parëndësishëm në nivel ndërkombëtar. Për Françeskun, ky konflikt interpretimesh nuk dukej të ishte problem dhe, me shumë konkretësi, ai e bëri të qartë se sa e rëndësishme është diplomacia e Vatikanit, duke krijuar nga e para një seksion të ri - të tretin - të Sekretarisë të Shtetit të Vatikanit, kushtuar nuncëve, domethënë përfaqësuesve diplomatikë të Selisë së Shenjtë në vendet me të cilat ka marrëdhënie të rregullta. Rezoluta me të cilën Papa e krijoi këtë seksion të ri, përmblidhet në një letër papnore shkruar më 18 tetor 2017 e drejtuar Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin. Në të Papa shprehte bindjen se ishte e nevojshme të sigurohej "shoqërim më i shpejtë" për ata që shërbejnë në rolin diplomatik të Selisë së Shenjtë, duke dëshmuar "vëmendjen dhe afërsinë e Papës" me personelin e këtij roli.
Kur Françesku ndërhynte personalisht në debatin e politikës ndërkombëtare - kujton Kardinali Parolin - këtë e bënte gjithnjë me forcë dhe në mënyra inovative, që herë pas here krijonin ndjenja habie. Për disa, kjo mënyrë ishte vërtet shqetësuese. Pata mundësi t’i bëja një pyetje në lidhje me planet e tij në sferën kishtare: “A doni ta reformoni Kishën?”, e pyeta. Përgjigja e tij ishte e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë: “Jo.” Dhe vazhdoi: “Dua vetëm që Krishti të jetë gjithnjë e më shumë në qendër të Kishës. Pastaj do t’i bëjë Ai vetë reformat e nevojshme".
Edhe në kontekstin politik ndërkombëtar, Papa Françesku donte të bënte të njëjtën gjë: ta vendoste Krishtin në qendër të botës. Bergoglio ishte prijës i madh shpirtëror i krishterë. E vetëm si i tillë mund të fliste për politikë e diplomaci.
Të jesh "revolucionar"
Françesku kishte vetëdije të saktë për detyrën e tij në rrethanat ndërkombëtare, vetëdije të zjarrtë, që u poq me kalimin e kohës. Mënyra e tij e të jetuarit të këtij angazhimi mund të përmblidhet në gjestin e gjunjëzimit në mbrëmje, në kapelë, duke medituar ditën, një çast në të cilin pushteti papnor e vuri në pikëpyetje vetveten, duke u përulur para Zotit. Por pikërisht në këtë gjest përvujtërie, në këtë mënjanim, për t’ia lënë qendrën e skenës Krishtit, Bergoglio u bë vërtet “revolucionar”. Kjo fjalë - kini kujdes - që mori kuptime të ndryshme për të, do të keqkuptohej nëse do të ndiqej shpjegimi i fjalorëve politikë. Ajo që synonte të arrinte, kishte një rrënjë të dukshme shpirtërore dhe synonte të çonte përpara veprën e Zotit në histori. E kjo në vetvete është revolucionare. “Një i krishterë, nëse nuk është revolucionar, në këtë kohë, nuk është as i krishterë!” - pati shpjeguar në muajt e parë të papnisë së tij. «Duhet të jetë revolucionar, për hir të hirit!”. Është pikërisht hiri, të cilin Ati na e jep përmes Jezu Krishtit të kryqëzuar, të vdekur dhe të ngjallur, ai që na bën revolucionarë, sepse - po citoj Benediktin XVI - “është ndryshimi më i madh në historinë e njerëzimit”. Sepse e ndryshon zemrën".
Bota, si kantier i Zotit
Papnia e tij ishte “profetike” sepse i dha lëvizjes së kohës marrëdhënien e saj me Zotin, i dha kuptim në marrëdhënien me të mbinatyrshmën. Rëndësia e saj politike është e padiskutueshme, por shumë shpesh keqkuptohet për lidhjen e thellë ndërmjet politikës dhe përshpirtërisë, rrafshuar nga perspektiva "mondane" e shpjegimit të udhëheqësit e të karakteristikave të tij. Françesku, si besimtar, e dinte se bota është kantieri i ndërtimit të Zotit dhe detyra e tij, si Papë, ishte të shoqëronte proceset historike, në vend që të pushtonte hapësira pushteti. Në këtë kuptim, qe në gjendje të kapërcejë kohë krize. Për Papën, termi "krizë" nuk ka kuptim negativ në vetvete. E nëse ka një fjalë, e cila përmbledh situatën globale që po jeton sot bota, ajo është pikërisht fjala "krizë".
Në fjalimin para Kuries Romake me rastin e paraqitjes së urimeve të Krishtlindjes për vitin 2020, Françesku e përmendi atë jo më pak se dyzet e gjashtë herë. Në Krishtlindjet e pandemisë - kujtoi Papa - "kriza ka pushuar së qeni vend i zakonshëm i fjalimeve dhe i grupimeve intelektuale, për t'u bërë realitet që u përket të gjithëve".
Rëndësia e krizës
Françesku donte të vinte në dukje kuptimin e krizës, rëndësinë e saj. Ndaj e pranoi menjëherë se "kriza është fenomen që i prek të gjithë dhe gjithçka. Është e pranishme kudo dhe në çdo periudhë të historisë, përfshin ideologjinë, politikën, ekonominë, teknologjinë, ekologjinë, fenë". Prandaj është përvojë themelore njerëzore dhe "fazë e detyrueshme e historisë personale dhe historisë shoqërore". Nuk mund të shmanget, ndaj efektet e saj janë gjithmonë "ndjenja frike, ankthi, çekuilibri dhe pasigurie në zgjedhjet që duhen bërë".
Papa Françesku kishte vizion ungjillor dialektik të historisë: si të kishte thënë se kur nuk ka krizë, nuk ka më as jetë. Në këtë kuptim, megjithatë, kriza ngjall shpresë. Prej këndej, mesazhi i tij: “Në kohë krize duhet të jemi realistë” dhe "leximi i realitetit pa shpresë, nuk mund të quhet realist”. Shpresa u jep analizave tona atë që sytë tanë me shikim të shkurtër shpesh nuk janë të aftë ta perceptojnë". Prej këndej nisi edhe pjekuria e idesë së Jubileut të Shpresës. E edhe vizioni i tij për politikën ndërkombëtare, gjithmonë i hapur ndaj adresimit të krizave. Hermeneutika e Françeskut u themelua mbi kohën, mbi "hapjen ndaj së ardhmes". E është pikërisht ky projektim mbi të ardhmen, që e formoi "diplomacinë e tij shpirtërore". Sepse e ardhmja nuk mund të mos jetë “eskatologjike”: nuk është vetëm ajo që do të vijë pas së sotmes, por edhe fundi i kohës. Për të, njeri besimi, ekziston Zoti që e lëviz procesin historik dhe e shtyn “me rënkime tepër të thella për t’u përshkruar”, siç do të thoshte Shën Pali, të bëjë çdo përpjekje të mundshme që të synojë “integrimin”. Gjë që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë kompromis diplomatik i pastër dhe i thjeshtë.
Një rol i ri global për katolicizmin
Kjo është arsyeja pse, nga një perspektivë diplomatike, Françesku mori përsipër përgjegjësinë e pozicioneve të rrezikshme. Kombinoi kujdesin tradicional diplomatik, me ushtrimin e parresisë të krijuar nga qartësia e, ndonjëherë, edhe nga padia. Qëndrimet e mbajtura kundër kapitalizmit spekulativ financiar, kujtimi i vazhdueshëm ndaj tragjedisë së emigrantëve, "çështje e vërtetë politike globale", e i "gjenocidit" armen… Jehonat e vazhdueshme, lindur prej tyre, janë ato, të cilat vijnë nga një "zë i cili bërtet në shkretëtirë", për të cituar Izainë, profetin biblik. Por Papa i mëshirës nuk ngurroi t’i quante “të mallkuar”, gjatë një meshe në Shën Marta, ata që nxisin luftëra dhe përfitojnë prej tyre. Nuk ngurroi as ta përkufizonte situatën në Gaza si “të përçmuar” dhe as ta përmendte martirizimin, kur përshkroi kombin ukrainas. Françesku u ballafaqua me rolin e ri global të katolicizmit në kontekstin e sotëm. E në këtë kontekst, vizioni i tij ishte në thelb vizion shpirtëror dhe ungjillor i marrëdhënieve diplomatike, të cilat - në një takim privat më 3 maj 2018 në Akademinë Kishtare - i quajti “diplomaci e gjunjëve”, domethënë, të rrënjosura dhe të themeluara në lutje.