杏MAP导航

K?rko

VATICAN-RELIGION-POPE-HEALTH-VIRUS-EASTER-MASS

Fjala e Zotit e fjala e njeriut: papnia e Fran?eskut dhe Ungjilli p?r udh?

Q? nga zgjedhja n? Selin? e Sh?n Pjetrit, n? vitin 2013 e, deri n? vdekjen e tij nj? muaj m? par?, m? 21 prill, Jorge Mario Bergoglio i dha kumtimit t? Lajmit t? Mir? nj? hov t? ri, b?r? nga Fjala e Zotit, por edhe nga fjala e njeriut e nga dialogu i p?rditsh?m me “t? gjith?, t? gjith?, t? gjith?”

R.SH. – Vatikan

"Formë e pashtjelluar e foljes, që përdoret për të treguar një proces". Fjalori jep këtë përkufizim për përcjelloren. Një përkufizim, që i përshtatet në mënyrë të përkryer papnisë së Atit të Shenjtë Françesku - e cila përfundoi me vdekjen e tij, një muaj më parë, më 21 prill – sidomos, po të mbahet parasysh motoja "Miserando atque eligendo" (Duke e mëshiruar, e zgjodhi) e zgjedhur prej tij që nga dita e shugurimit ipeshkvnor, më 27 qershor 1992.

"Miserando atque eligendo"

Kjo moto, shumë e njohur sot, është marrë nga homelitë e Shën Bedës së Nderuar, i cili, duke komentuar episodin ungjillor të thirrjes së Shën Mateut, shkruan: “Jezusi pa një tagrambledhës, e shikoi me ndjenjë dashurie dhe e zgjodhi”. Por Papa Françesku ka preferuar gjithmonë ta përkthejë këtë fragment në një mënyrë tjetër: “Përcjellorja latine ‘miserando’ më duket e papërkthyeshme si në italisht ashtu edhe në spanjisht. Më pëlqen ta përkthej me një përcjellore tjetër, që nuk ekziston: ‘misericordiando’”, pati shpjeguar ai në një intervistë me revistën e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, në shtator 2013.

Zgjedhja e përcjellores

Ja, pra, parapëlqimi për përcjelloren, për të treguar një veprim, që vazhdon me kalimin e kohës, që nuk mbaron këtu dhe tani, por që vijon dhe ripërtërihet gjithmonë. Nga ana tjetër, Françesku pati shkruar në Nxitjen e tij të parë Apostolike, “Evangelii gaudium”: “Koha ka epërsi ndaj hapësirës”. Dhe nuk ka kohë më të pacaktuar në koordinatat e saj sesa përcjellorja, e cila tregon fillimin e një veprimi, por jo përfundimin e tij.

Marrëdhënie vëllazërore dhe hapësira diskutimi

Për të filluar: ja një fjalë tjetër e dashur për Jorge Mario Bergoglio-n. Për të filluar, për të filluar proceset, sepse – siç e përsëriti shumë herë gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit – Ungjilli shpallet duke dalë për t’u takuar me botën, jo duke qëndruar i mbyllur në një Kishë-muze dhe në siguri të rreme personale. Kisha, që vihet për udhë, është ajo me dyer të hapura, që takon shoqërinë bashkëkohore në dialog, që thur marrëdhënie vëllazërore dhe krijon hapësira për diskutim.

Përpara drejt popullit të Zotit

Të gjitha veprime, që nuk kryhen në një moment të saktë, të caktuar dhe të përkufizuar - e Françesku e ka dëshmuar këtë gjatë papnisë së tij – por, përkundrazi, vazhdojnë dhe zhvillohen pak nga pak, fara të vogla të fshehura që mbijnë ngadalë, por qëndrueshëm. Në 47 udhëtimet e tij apostolike ndërkombëtare, si dhe në audienca me grupe të vogla dhe të mëdha besimtarësh, Bergoglio nuk i është shmangur kurrë konfrontimit: që kur u duk në Lozhën e Bazilikës së Vatikanit, më 13 mars 2013 e, deri në udhëtimin e tij të fundit me papamobil në Sheshin e Shën Pjetrit, më 20 prill, të dielën e Pashkëve, një ditë para se të ndërronte jetë, Papa që erdhi "nga fundi i botës" e bëri gjithmonë i pari, hapin drejt "popullit të shenjtë të Zotit".

Kisha “në dalje”

Edhe “udhëtimi” i tij i fundit – ai që të shtunën, më 26 prill, pas funeralit, e çoi nga Shën Pjetri në Shën Marinë e Madhe, vendi i varrimit – ishte pasqyrë e një papnie dhe e një Kishe “në dalje”. Sepse Zoti nuk rri pa lëvizur duke na pritur, por na paraprin gjithmonë. Sidomos në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale ku njerëzimi rrezikon ta humbë rrugën.

Kultura e takimit dhe apostullimi i veshit

Edhe dialogu e takimi – ose më saktë “kultura e takimit” – përmendur kaq shpesh nga Papa Françesku, sidomos, si rrugë për dhuratën e paqes, nuk janë “mjete”, që sjellin menjëherë rezultate, por kërkojnë punë të vazhdueshme, mjeshtëri plot dashuri, me vetëdije për identitetin e secilit, me respekt për tjetrin dhe me gatishmëri për ta dëgjuar atë. Françesku e quajti këtë “apostullimi i veshit”, duke përdorur një tjetër shprehje të re. Fliste mbi aftësinë për të kuptuar historinë dhe nevojat e të tjerëve, duke u kushtuar kohë dhe duke i dëgjuar ata jo vetëm fizikisht, me veshë, por edhe me zemër e shpirt.

Një mision për të gjithë

Fjala e Zotit dhe fjala e njeriut, pra, ishin për Papën Françesku një dhe të pandashme, në emër të misionit ungjillëzues, një mision që u drejtohet të gjithëve, pa përjashtuar askënd, madje: “të gjithëve, të gjithëve, të gjithëve”, siç tha vetë në vitin 2023 në Lisbonë, gjatë Ditës Botërore të Rinisë. Sepse Kisha nuk është “bashkësia e më të mirëve”, por “Nëna e të gjithëve”: një vend vëllazëror dhe mikpritës, ku mbizotëron logjika e “krahëve të hapura” dhe jo ajo e “tregimit me gisht”, sepse të gjithë - të rinj e të vjetër, të shëndetshëm e të sëmurë, të drejtë e mëkatarë - janë të rëndësishëm dhe askush nuk është “i padobishëm”, ose “i tepërt”.

Magjisteri i brishtësisë

“Të rinj e të moshuar”, “të shëndetshëm e të sëmurë”: për një ndërthurje të çuditshme – të çuditshme vetëm për ata, që nuk besojnë në Provaninë Hyjnore – menjëherë pas vdekjes së Papës Françesku, pasuan njëra-tjetrën dy ngjarje të Vitit Shenjt: Jubileu i Adoleshentëve (25-27 prill) dhe ai e Njerëzve me Aftësi të Kufizuara (28-29 prill). Mund të duken si dy kategori të kundërta: nga njëra anë, gjallëria dhe gëzimi i të rinjve; nga ana tjetër, dhimbja dhe vuajtja e atyre, që preken nga patologji të ndryshme. E megjithatë, nuk është ashtu: kurrë si në ato ditë, shtegtarët e të dyja grupeve nuk kanë qenë aq të bashkuar, në emër të Krishtit. Lidhja e tyre u forcua nga kujtimi i Papës Françesku, që fliste hapur dhe drejtpërdrejt me të vegjlit, por s’kishte problem t’i tregonte botës dobësitë e tij fizike, duke i dhënë jetë, në vitet e fundit të papnisë, kaluar kryesisht në karrocë me rrota, një “magjisteri të vërtetë brishtësie”.

Shpresë dhe durim

Ungjillëzimi i Jorge Mario Bergoglio-s ishte edhe ky: ungjillëzim i kryer me shpresën e të rinjve dhe me durimin e të moshuarve dhe të sëmurëve, sepse, siç shkroi ai vetë në Bulën për shpalljen e Jubileut të tanishëm, Spes non confundit, “durimi është bir i shpresës e, njëkohësisht, e mbështet atë”.

21 maj 2025, 13:59