Dor?zoju Atij, q? prin Kish?n
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Dioqeza e Romës ka Ipeshkvin e vet, Kisha universale, Bariun. Me shpejtësinë që mund të habisë vetëm ata të cilët e lexojnë jetën e Kishës përmes lentes së politikës, konklavi zgjodhi Pasardhësin e Pjetrit. Faleminderit, Atë i Shenjtë, që pranuat. Faleminderit që thatë “po” dhe që u lëshuat në dorë të Atij, që prin Kishën.
Të vijnë rishtas në mendje fjalët e paharrueshme thënë nga Pali VI para ish-studentëve të Kolegjit Lombard, në dhjetor 1968, në periudhën e vështirë të mosmarrëveshjeve pas-konciliare: “Shumë - pati thënë Ati i Shenjtë - presin nga Papa gjeste të bujshme, ndërhyrje energjike e vendimtare. Po Papa nuk e konsideron të nevojshme të ndjekë ndonjë vijë tjetër, përveç asaj të fesë në Jezu Krishtin, i cili kujdeset më shumë për Kishën e tij, sesa për çdo gjë tjetër.
Do të jetë Ai, që do ta qetësojë stuhinë. Sa herë përsëriti Mësuesi: "Konfidite in Deum. Creditis in Deum, et in me credite!". Papa do të jetë i pari që do ta zbatojë këtë urdhër të Zotit dhe do ta braktisë veten, pa ankth a mall të papërshtatshëm, në lojën misterioze të ndihmës së padukshme, por më të sigurt të Jezusit për Kishën e tij. Kjo nuk është pritje e shterpët as e amullt, por më tepër pritje vigjilente në lutje. E ky, kushti që vetë Jezusi e zgjodhi për ne, në mënyrë që të mund të veprojë plotësisht. E edhe Papa ka nevojë të ndihmohet me lutje”.
Sot bota është në mes të stuhisë, e tronditur nga luftërat e nga dhuna. Të lutemi për paqe. Të lutemi me Pjetrin e për Pjetrin, i cili mori emrin Leon, ashtu si Papa i “Rerum novarum”. E duke u përforcuar prej tij në fe, edhe ne mësojmë të lëshohemi në dorë të Atij, që mbretëron nga druri i kryqit, duke mbartur mbi vete varrët e njerëzimit.