Profecia Pap?s Wojtila p?r paqen, pas nj?zet vjet?sh
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Kanë kaluar njëzet vjet nga ajo mbrëmje e së shtunës, 2 prill 2005, kur miliona njerëz në mbarë botën vajtuan për vdekjen e Gjon Palit II. Dy dekada më vonë kujtohet, me të drejtë, si mbrojtës i madh i jetës, i dinjitetit njerëzor, i lirisë fetare. E, mbi të gjitha, theksohet me ngulm antikomunizmi i tij. Megjithatë, pak-e-kush i kujton mësimet e tij të tjera profetike, veçanërisht të freskëta në këtë orë të errët të historisë.
Ishte viti 2000… Pas rënies së Murit të Berlinit një pjesë e mirë e botës sonë jetonte ende në dehje “për fundin e historisë”. E ndërsa në Viset e ish-perdes së hekurt, në vend të rilindjes së fesë, nisën të përhapen konsumizmi e laicizimi, Papa i ardhur nga Polonia solli shtatoren e Zojës së Fatimes në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shqiptuar fjalë që pak e kush i kuptoi në atë kohë: "Njerëzimi është në udhëkryq. I ka të gjitha mjetet e forcës së padëgjuar: mund ta bëjë këtë botë kopsht me lule, ose ta shndërrojë në grumbull gërmadhash”. Një vit më vonë, tragjedia e 11 shtatorit e tmerroi rishtas Perëndimin.
Gjon Pali II, që e kishte kundërshtuar që në vitin 1991 Luftën I të Gjirit, mbeti i vetmi ndërmjet liderëve perëndimorë, të cilët deri dy vjet më parë e kishin lartuar rolin e tij ndaj vendeve të Evropës Lindore. Papa e përsëriti “jo”-në e tij kundër luftës edhe më qartë në vitin 2003, kur, në bazë të provave të rreme, disa vende perëndimore i shpallën luftë Irakut për herë të dytë. Papa Wojtila, tashmë i sëmurë dhe i ligështuar fizikisht nga Parkinsoni, e ndjeu për detyrë t’i paralajmërojë krerët "e rinj" të qeverive, prijës të fushatës së re ushtarake në Gjirin Persik, duke kujtuar tmerret e konfliktit të fundit botëror të cilin ai, pasardhësi i moshuar i Pjetrit, bir i një kombi martir, e kishte jetuar personalisht. Prandaj ia shtoi këtë thirrje tekstit të lutjes së Engjëllit të Zotit: “Unë i përkas atij brezi që jetoi Luftën II Botërore e mbijetoi. E kam për detyrë t'u them gjithë të rinjve, atyre më të rinj se unë, që nuk e kanë jetuar këtë përvojë: ‘Kurrë më luftë!’, siç pati thënë Pali VI gjatë vizitës së tij të parë në Kombet e Bashkuara. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi!”
Sot, më shumë se kurrë, me botën në zjarr e flakë, me shtetet që nxitojnë të mbushin arsenalet e tyre e me propagandën që krijon klimë alarmi dhe frike për të justifikuar investimet e mëdha në armë, duhet të kujtojmë fjalët profetike të Ipeshkvit të Romës, ardhur nga "një vend i largët", të cilave sot u bën jehonë Pasardhësi i tij, edhe ai i lënë vetëm për britmën kundër marrëzisë së luftës.