杏MAP导航

K?rko

Gjon Pali II n? Shkod?r, 25 prill 1993 Gjon Pali II n? Shkod?r, 25 prill 1993

Papa Sh?n Gjon Pali II, nga vdekja deri n? nderimet e altarit

Papa Sh?n Gjon Palin II ishte shpirt i zgjedhur, q? kumtoi g?zimin e m?shir?n e Krishtit t? ngjallur, duke p?rqafuar shtr?nguar fort n? krah?, Kryqin. Gjon Pali II dhe shqiptar?t

R.SH.-Vatikan

Sot në 20-vjetorin e kalimit në Amshim të Papës Shën Gjon Palit II, po i kujtojmë çastet kryesore, nga thirrja e popullit të Zotit “Wojtila Shenjt, menjëherë”, në ditën e funeralit të tij, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 8 prill 2005, deri tek nënshkrimi përfundimtar i çështjes kanonike, që e lartoi Gjon Palin II në nderimet e altarit më 27 prill 2014.

“Shenjt, menjëherë”, shkruhej në parrullat, që shpalosën besimtarët në Rrugën romake të Pajtimit, përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, më 8 prill 2005, kur një turmë vigane merrte pjesë në salikimet e Gjon Palit II, në shekull, Karol Wojtila. Populli katolik e shikonte si njeri të shenjtë e dëshironte që edhe Kisha ta shpallte shenjt.

Papa Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005në orën 21. 37 minuta, në apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Ndërroi jetë pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit.

Pasi u dha lajmi për vdekjen e Papës Wojtila, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në shenjë mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim prekës. Pastaj të gjitha kambanat e Kishave të Romës ranë përnjëherësh përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit.

Gjon Pali II (latinisht Ioannes Paulus II), në shekull Karol Wojtila (Karol Józef Wojtyla), lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovit) më 18 maj të vitit 1920. I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI. I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.

Duke nisur që nga data e vdekjes e për nëntë ditë me radhë u kremtuan salikimet për pushimin e Tij të pasosur. Filluan menjëherë të gjitha procedurat e parashikuara në Kushtetutën apostolike “Universi Dominici gregis”, shpallur nga Gjon Pali II më 22 shkurt 1996. Sipas Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis” (Grigja Universale e Zotit), Konklavi për zgjedhjen e papës pasardhës, do të fillonte brenda 20 ditëve, pas vdekjes së Gjon Palit II. Kardinali Angelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kremtoi në Vatikan Meshën parë të nëntëditshit për shpirtin e Papës, e pikërisht në solemnitetin e Mëshirës Hyjnore. Trupi i Gjon Palit II u vendos në Bazilikën e Vatikanit për homazhet e besimtarëve duke nisur nga dita e hënë, 4 prill 2005, pasdite.

Që aso kohe, tek Lumnimi, kaluan vetëm 6 vjet. Kohë rekord, përjashtim nga ligji i Kishës, mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, që të nisë procesi, i cili mund ta çojë në nderimet e altarit. E që aso kohe, tek shenjtërimi, më 27 prill 2014, vetëm 9 vjet.

Më 14 janar 2011, Papa Benedikti XVI nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u shpall i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, i kryesuar nga Benedikti XVI. Ishte e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Wojtila e për mbarë popullin polak. Sigurisht ky lajm, që mori menjëherë dhenë, e vuri edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Wojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e Parkinsonit.

Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit, që filloi pa pritur të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike, sepse Benedikti XVI nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi i tij, kur ishte fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë, vdekur më 1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve - e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që gëzonte Papa Wojtila sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpjegoi se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy lehtësi. E para kishte të bënte me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta, me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike të Kongregatës përkatëse. Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej çdo dyshim e të kapërcehej çdo vështirësi, që mund të dilte më pas.

Më 14 janar 2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Wojtila). Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit 2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe në dioqeza të tjera.

Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike. Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit. Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar.

Më 19 dhjetor 2009 Papa Benedikti XVI autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga sëmundja e Parkinsonit.

Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht.

Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.

Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa FrançeskuKisha katolike, sipas kalendarit liturgjik, e kremton festën liturgjike të Papës Shën Gjon Pali II më 22 tetor. Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” dhe “Papa i të rinjve”, për të cilët krijoi Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e madh të Shën Gjon Palit II për Mëshirën Hyjnore.

Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Papës Wojtila, duam të kujtojmë me nderim të veçantë disa nga fjalët më domethënëse të Papës Shën Gjon Pali II në ndihmë të Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Karol Wojtila pat thënë në shumë raste e rrethana.

Gjon Pali II e Shqipëria

Së pari nga Otranto kur më 5 tetor 1980 Papa Shën Gjon Pali II dënoi persekutimin e besimtarëve dhe të qytetarëve të pafajshëm në Shqipërinë komuniste.  Duke kujtuar persekutimin e egër që pësonte popullsis shqiptare nga komunizmi në Shqipëri, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjte të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Shën Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”. “Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”.

Pastaj gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri 25 prillit 1993. Me atë rast në Sheshin Skënderbe të Tiranës, Shën Gjon Pali II iu drejtuar me këto fjalë shqiptarëve që lanë pas diktaturën komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!

Gjithnjë gjatë vizitës së tij të 25 prill 1993, në Shkodër, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës i drejtoi një përshëndetje të Lumes Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë Wojtilla ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Ganxhe Bojaxhiut, të së Lumes Nënë Terezë. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut t uaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tua箩”!

Në Tiranë, në përfundim të vizitës së tij të 25 prillit 1993, Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen mbarë kombit shqiptar “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”!

Gjon Pali II e Kosova

Shenjtëria e Tij Gjon Palit II e pat për zemrën edhe fatin e kosovarëve. Më 7 qershor 1998 Papa Wojtilla i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vinin lajme që tregonin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. Ja edhe fjalët e Papës Wojtila për paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Ishte koha kur në trojet kosovare zhvillohej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve. “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzihen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet të ikë larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje të ngushtme Autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”.&苍产蝉辫;

 

02 prill 2025, 10:05