Papa, Salezian?ve: "Sh?rbejuni t? tjer?ve, pa mbajtur asgj? p?r vete"
R.SH. - Vatikan
“Megjithëse nga larg, dëshiroj t'ju inkurajoj ta jetoni me besim dhe përkushtim këtë kohë të dëgjimit të Shpirtit dhe të frymës sinodale”. Kështu nis mesazhi i Papës Françesku drejtuar Kongregacionit Salezian, i cili nga data 16 shkurt deri më 12 prill po përjeton Kapitullin e tij të njëzet e nëntë të përgjithshëm e po feston edhe 150-vjetorin e ekspeditës së parë misionare të Don Boskos në Argjentinë.
Urimet më të mira Rektorit të ri të Madh
Papa, ende në shërim në Shtëpinë e Shën Martës, pohon se i vjen keq që nuk mundi t’i takojë pjesëmarrësit në kapitull dhe, në letër, përshëndet rektorin e ri të madh, Don Fabio Attard, zgjedhur më 25 marsin e kaluar, të cilit i uron suksese në punë. Me këtë rast Papa falënderon edhe kardinalin Ángel Fernández Artime, dhjetë vjet rektor kryesor i Kongregatës (2014-2024) "për shërbimin që i bëri Institutit vitet e fundit dhe që tani ia ofron Kishës universale".
"Të pasionuar" dhe "të dorëzuar"
Më pas Françesku u ndalua në moton e zgjedhur për punën: “Salezianët, të pasionuar pas Jezu Krishtit e të dorëzuar të rinjve”. “Program i bukur – vëren - të jesh ‘pasionant’ dhe ‘i dorëzuar’, të përfshihesh plotësisht në dashurinë e Zotit dhe t'u shërbesh të tjerëve, pa mbajtur gjë prej gjëje për vete, ashtu siç bëri, në kohën e tij, themeluesi yt”. Sot, krahasuar me të kaluarën, “sfidat që duhen përballuar kanë ndryshuar pjesërisht”, por, nënvizon akoma Papa, “feja dhe entuziazmi mbeten të njëjta, të pasuruara me dhurata të reja, si ajo ndërkulturore”.
Faleminderit për të mirën në botë
Në përfundim të mesazhit, Papa Françesku falënderon salezianët “për të mirën” e bërë në mbarë botën, duke i inkurajuar “të vazhdojnë me këmbëngulje”.
Ju kërkoj “të luteni për mua e t’ia besoni të gjithë kapitullarët, si dhe vëllezërit e shpërndarë në të pesë kontinentet, Marisë-Ndihma e të krishterëve, që "t’ju shoqërojë gjithmonë e gjithkund".