Imami i Madh Ahmad Al-Tayyeb: Papa, fener i paqes dhe i p?rvujt?ris?
R.SH. / Vatikan
Ahmad Al-Tayyeb, Imami i Madh i Al-Azharit, një nga qendrat kryesore të mësimit fetar të Islamit Sunit me qendër në Kajro, nënshkroi me Papën Françesku, më 4 shkurt 2019, në Abu Dhabi, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen në Botë, të jetuar së bashku. Në mesin e shumë reagimeve nga bota myslimane, i Tiji është ndoshta më i rëndësishmi. Al-Tayyeb vajton vdekjen e "një miku dhe vëllai të dashur në njerëzim", të "një simboli të jashtëzakonshëm" i cili "nuk kurseu asnjë përpjekje për mbrojtjen e kauzës së dinjitetit njerëzor", veçanërisht të shtypurve, refugjatëve dhe të përjashtuarve. Imami i Madh kujton "angazhimin e palëkundur" të Papës për të ndërtuar ura me Al-Azhar-in dhe botën islame në përgjithësi, "nëpërmjet vizitave në vende të ndryshme muslimane dhe arabe", dhe "pozicionet e tij të guximshme dhe të paanshme" në veçanti për mbrojtjen e civilëve të pafajshëm. E akoma, për kontributin ndaj paqes globale dhe harmonisë fetare. Këshilli i Myslimanëve të Evropës e quan atë "fener paqeje dhe përvujtërie" dhe shpreson se "trashëgimia e tij e dashurisë, e drejtësisë dhe e dialogut ndërfetar mund të vazhdojë të na frymëzojë të gjithëve".
Në një letër, Yassine Lafram, president i Bashkimit të komuniteteve Islame të Italisë, flet për një ëndërr të përbashkët, "atë të një bote në të cilën të krishterët dhe muslimanët, së bashku me të gjithë njerëzit e tjerë vullnetmirë, të mund të jetojnë në harmoni, duke respektuar dhe duke mbështetur njëri-tjetrin". Bota humbet “një prijës shpirtëror të jashtëzakonshëm” por “drita e tij nuk shuhet”, shpirti i tij “do të vazhdojë të ndriçojë rrugën tonë”, përfundon ai.
Kongresi Botëror Hebraiki bën homazhe Papës me Presidentin Ronald Lauder duke e quajtur "lider të vërtetë moral, njeri me besim të thellë dhe njerëzor e mik besnik i popullit hebre. Që nga vitet e tij të hershme në Argjentinë, deri në papninë e tij, Françesku ishte thellësisht i përkushtuar për të promovuar dialogun ndërfetar dhe për të siguruar një brez të shëndoshë për të ardhmen".
Lauder thekson, ndër të tjera, hapjen e një zyre të Kongresit Botëror Hebre në Via della Conciliazione, në tetor 2023, për të forcuar marrëdhëniet me katolikët. Në Itali, Bashkimi i Komuniteteve Hebraike, duke u shprehur "motrave dhe vëllezërve të krishterë ngushëllimet për humbjen e papritur të Papës Françesku", vëren se "papnia e tij e gjatë, e lidhur ngushtë me vitin aktual jubilar, ka kaluar nëpër ndryshime epokale dhe kriza globale, që krijojnë reflektime të rëndësishme, për të sotmen dhe të nesërmen, duke thelluar vëmendjen në vazhdën e besimit".
Kryerabini i Romës, Riccardo Di Segni, bashkohet me ngushëllimet e një bote të tërë! “Për të papnia e tij ishte kapitull i ri, i rëndësishëm, në historinë e marrëdhënieve ndërmjet judaizmit dhe katolicizmit, me dëshirë për një dialog që ndonjëherë ishte i vështirë, por gjithnjë respektues”.
Asambleja e Rabinëve të Italisë nxjerr në pah "cilësitë e njerëzimit, me të cilat Papa mundi t'i fliste botës në kohë jashtëzakonisht të vështira" dhe kujton vizitën në Sinagogën e Romës, më 17 janar 2016, "si dialog veçanërisht domethënës në një çast të ndjeshëm për botën e çifutëve, rishfaqjen e antisemitizmit". Unioni Budist Italian thekson përkushtimin e palodhshëm ndaj dialogut ndërfetar: "Papa Françesku ka qenë në gjendje të thurë lidhje respekti, miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet traditave të ndryshme shpirtërore të botës. Në veçanti, ftesa e tij e vazhdueshme për të ndërtuar ura dhe jo mure ishte mesazh i kohës dhe shpresë e presidentit për marrëdhëniet dypalëshe "….
Gjatë viteve të papnisë, Unioni Hindu Italian "pati nderin dhe gëzimin ta takonte Françeskun në shumë audienca të përgjithshme dhe private, duke ndarë idealet e paqes, drejtësisë sociale dhe respektit të madh për të gjithë diversitetin". Ndaj kujton sot përvujtërinë, mirësinë dhe mençurinë e tij të madhe.
"Papa Françesku ishte dritë në botë për çdo besimtar, për humanizmin e tij, për vëmendjen e tij e për dëgjimin e më të ligshtëve, më të fundmëve, gjithnjë në lëvizje dhe në dëgjim, nga qendra në fund e nga periferia, në qendër”.