Papa n? Gemelli, kushte t? q?ndrueshme dhe p?rmir?sime graduale nga terapit?
R.SH. / Vatikan
“Kushtet klinike të Atit të Shenjtë vijojnë të jenë stabile, duke ripohuar progresin e treguar në javën e fundit. Vazhdon terapia me oksigjen të lartë, duke reduktuar në mënyrë progresive nevojën për ventilim mekanik joinvaziv gjatë orëve të natës.
Ati i Shenjtë ka ende nevojë për terapi mjekësore spitalore, fizioterapi motorike dhe respiratore; këto terapi, aktualisht tregojnë përmirësime të mëtejshme, graduale”.
Ky, njoftimi i djeshëm i buletinit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, publikuar mbrëmë, të shtunë 15 mars, për gjendjen shëndetësore të Papës Françesku, shtruar që prej datës 14 shkurt në Policlinico Gemelli, në Romë.
Papa e kalon pjesën më të madhe të ditës mes terapive, lutjes, pushimit e pak edhe punës. Engjëlli do të transmetohet sot, si të dielave të mëparshme. Buletini mjekësor i radhës pritet të dalë të martën ose të mërkurën e ardhshme, por Salla e Shtypit do të vazhdojë të japë në mbrëmje disa informacione të përgjithshme për gazetarët.