Ipeshkvi argjentinas Giobando: Papa ?sht? lajm?tar i v?rtet? i paqes, lider p?r t? varf?r e p?r t? pushtetsh?m
R.SH. – Vatikan
Lutja ndërfetare për paqen dhe shëndetin e Atit të Shenjtë karakterizon sot në Argjentinë 12-vjetorin e zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglio-s në fronin e Shën Pjetrit, më 13 mars 2013. Marrin pjesë shoqata të ndryshme si “Shtëpia e Përbashkët”, Lëvizja e Shën Egjidit, fokolarinët, por edhe përfaqësues të botës hebraike e myslimane. Kuvendi i Shën Katerinës së Sienës, në Buenos Aires, ku mbahet lutja, është vend historik dialogu dhe takimi. Vetëm disa muaj para se Françesku të bëhej Papë, aty u paraqit revista Vida Nueva, për shembull, e cila trajton lajme fetare, me vëmendje të veçantë për Atin e Shenjtë e Vatikanin.
Aty lindi edhe dialogu argjentinas në kohën e krizës politiko-ekonomike, që arriti kulmin në vitin 2001, dialog i çuar përpara nga Kisha në Argjentinë. Kultura e takimit është tipari dallues i magjisterit të Papës Françesku, që e ka mësuar atë në një vend si Argjentina ku polarizimet bëhen më të mprehta. Kështu mendon Administratori Apostolik i dioqezës së Mar del Plata, imzot Ernesto Giobando, mik i vjetër i Papës Bergoglio, jezuit, i cili flet për mediat e Vatikanit.
Cila është karakteristika e papnisë së Françeskut, që ju pëlqen ta nënvizoni sot?
Qe surprizë kur Françesku u zgjodh Papë, sepse në të vërtetë, po bëhej gati të dilte në pension, ndërsa Kisha, kardinajtë, panë tek ai një person, që mund të përballonte sfidat e atëhershme e të sotme të ungjillëzimit. Kjo është arsyeja pse gjëja e parë që dëshiroi të shprehë Françesku, përmes Nxitjes apostolike “Evangelii Gaudium”, është si të ungjillëzohet bota e sotme. Përmes gëzimit, i cili nuk është thjesht humor i mirë, por dhuratë e Shpirtit Shenjt. Gëzimi është një nga frytet e Shpirtit Shenjt dhe përfaqëson Lajmin e Mirë, prandaj, prej këtej vjen emri i Nxitjes Apostolike. Ungjilli është lajm i mirë, Ungjilli është gëzim dhe besoj se ky është çelësi i gjithë papnisë së Françeskut: si ta shpallim Ungjillin në këtë botë të vështirë, duke ditur ta dëshmojmë gëzimin si dhuratë të Shpirtit Shenjt.
Shkëlqesia Juaj, çfarë urimi do t'i bënit Papës me rastin e këtij përvjetori?
Para së gjithash shëndet, që Papa të shërohet dhe të vazhdojë të japë dëshminë e tij të përkushtimit ndaj Kishës. Shpresoj që Papa të vazhdojë - për sa kohë që do t’ia lejojë Zoti - ta shoqërojë dhe ta "fashojë" Kishën në këtë kohë. Shumë njerëz larg Kishës, që nuk shkojnë në kishë, ose jokatolikë, më kanë thënë, në rrethana të ndryshme, se ka pak udhëheqës të vërtetë në botë e njëri prej tyre është Françesku. Është lider, sepse, akoma sot, njerëzit e rëndësishëm të kësaj bote – le t’i quajmë kështu - shkojnë ta vizitojnë dhe të varfërit kanë besim tek ai. Shërbesa e tij pjetrine është shenjë e Zotit, sepse nuk është vetëm për të pushtetshmit, por është shenjë për më të përvuajturit, për më të vegjlit, për të cilët Papa ka një zemër të madhe. Një shenjë tjetër është edhe lutja e botës për shërimin e Papës. Është shenjë që flet vetë.
Këto ditë, kardinali De Mendonça foli për Magjisterin e brishtësisë…
Kur je i dobët, je i fortë, thotë Shën Pali. Pra, pikërisht në brishtësi, shihet forca e Zotit dhe brishtësia është edhe shenjë se nuk duhet të tërhiqemi derisa të mos e thotë Zoti. Bota po përjeton rrethana shumë të rënda dhe të gjithë duhet të jemi dëshmitarë deri në fund. Më pëlqeu shumë meditimi i parë i Ushtrimeve Shpirtërore, bërë nga Predikatari Papnor, i cili tha: fundi është fillimi. Shprehje shumë e bukur.
E, kjo jetë e amshuar fillon këtu, siç kujtoi gjithnjë predikatari i Shtëpisë Papnore gjatë ushtrimeve shpirtërore me Kurien Romake...
Po, jeta e amshuar fillon këtu. Nuk mund të mos e vërejmë faktin se kur, nga spitali, na thonë se Papa kaloi "një natë të qetë", "u përmirësua", kjo është shenjë e vërtetë shprese për Vitin Shenjt. Jemi si familjarët dhe miqtë në dhomën e pritjes e besoj se kjo është shenjë shprese.
Papa nuk mungoi të dërgojë, edhe nga spitali ku ndodhet ende i shtruar, mesazhin e afërsisë për viktimat e përmbytjes në Bahia Blanca…
Qe i pranishëm me një telegram, që e dërgoi për t’i shoqëruar viktimat në fatkeqësinë e përmbytjes. Rreth 15 vetë kanë humbur jetën dhe të tjerë nuk gjenden akoma, prandaj Papa, megjithëse i shtruar në spital, shpreh admirueshëm afërsinë e tij.
Nuk harron kurrë ç’po ndodh në botë, veçanërisht në zonat e luftës…
Lufta është shumë e dhimbshme për të si për të gjithë, por është edhe lajmëtar i paqes, lajmëtar i paqes deri në fund të fundit.
Shkëlqesia juaj, ju keni të njëjtën karizëm injaciane, pasi jeni të dy jezuitë. Sipas mendimit tuaj, cila karakteristikë e përshpirtërisë së themeluesit të Shoqërisë së Jezusit përfaqësohet më mirë në papninë e Françeskut?
Mendoj se është aftësia për të parë Zotin në të gjitha gjërat, thënë me pak fjalë. Ky ishte hir për Shën Injacin e mendoj se është hir për thirrjen e jezuitëve. Të jemi në gjendje të shohim Zotin në të gjitha gjërat, sepse ky zbulim i Jezusit na çon edhe në një vendim radikal: nuk mund të jemi të vakët, duhet të shkojmë në thellësi, sepse edhe Jezu Krishti shkoi në thellësi. E këtë “shkuarje në thellësi” e konsideroj si magis ignatianus, që do të thotë: “për lavdinë më të madhe të Zotit, por edhe për shërbimin më të madh, për lavdërimin më të madh”, madje – siç shkruan Papa në “Gaudete et Exsultate” – jo si “pelagjianë”, por si njerëz, që përpiqen të kuptojnë vullnetin e Zotit, gjë që është krejt tjetër.
Mund të na kujtoni disa episode emblematike të miqësisë suaj me Bergoglio-n?
Duhet të kthehemi pesëdhjetë vjet më parë. Unë isha 15 vjeç dhe Bergoglio, kur ishte provincial i jezuitëve në Argjentinë, shkoi në qytetin tim, në Santa Fe, ku ka një shkollë. Aty i thashë se doja të bëhesha jezuit dhe ai më pyeti: sa vjeç je? I thashë 15, dhe ai m’u përgjigj: "Je ende shumë i ri, eja të më takosh vitin që vjen". E kështu ndodhi që në çdo vit të shkollës së mesme i kërkoja Bergoglios - kur vinte në Santa Fe - të bëhesha jezuit. Për këtë arsye, një herë i pata thënë se i kisha kërkuar të hyja në Shoqërinë e Jezusit me pantallona të shkurtra, sepse isha vërtet shumë i vogël. Por nëse do të më kishte pranuar dhe prindërit do të më kishin lejuar, do të kisha hyrë vërtet në Shoqëri në moshën 15 vjeç, pasi tashmë e kisha vendosur. Bergoglio e kujton gjithmonë me buzëqeshje këtë episod.
Çfarë stine po jeton Kisha në Argjentinë?
Jetojmë në kohë të vështira, kohë me një situatë shoqërore të rëndë, pavarësisht se ekonomikisht, inflacioni - taksa më e rëndë për ata, që kanë më pak mundësi – është ulur. Ka varfëri të madhe e, sidomos, mungon shpresa. Besoj se pikërisht kjo është sfida për këtë Vit të Shenjtë: duhet të forcojmë shpresën dhe për këtë duhet dialog, që është shumë i vështirë, pasi ndërmjet politikanëve ka shumë beteja, shumë konflikte. Duhet të jemi njerëz, që krijojnë të paktën hapësirë ??për dialog. Besoj se Argjentina nuk e ka lexuar dhe nuk e ka vënë në praktikë atë, për të cilën Papa Françesku ka këmbëngulur kaq shumë gjatë kësaj periudhe e, jo sepse Papa vjen a nuk vjen në Argjentinë. Ne si Kishë në Argjentinë, duke e ditur që kemi një Papë, i cili na përfaqëson, duhet të vëmë në praktikë mësimet e tij, gjë që po përpiqemi ta bëjmë, por ende kemi një rrugë të gjatë përpara.
Cila është shenja e shpresës, që vjen nga shoqëria argjentinase në këtë epokë?
Mendoj se është dialogu, domosdoshmëri dhe shenjë e solidaritetit të këtij populli, sepse në Argjentinë ka aftësi të mëdha për solidaritet. Kur ndodh ndonjë fatkeqësi, si ajo në Bahía Blanca, i gjithë vendi ngrihet për të ndihmuar. Mendoj se kjo është shenjë shprese, pasi duhet jo vetëm të përballemi me emergjencën, por edhe të mendojmë si të ecim përpara në kohë afatgjata, jo afatshkurtra. Papa Françesku e ka kritikuar “dritëshkurtësinë e perspektivave tona”. Duhet të kemi një horizont të gjerë, që të kërkojmë fatin e vendit, i cili duhet të jetë më i drejtë dhe më i barabartë për të gjithë.