Tek Papa, nj? grup jetimesh ukrainase, q? i dhuruan nj? kukull me cifla nga nj? bomb? ruse
R.SH. – Vatikan
Ciflën e një bombe ruse, që pothuajse e shporoi në zemër, ndërsa kishte dalë shëtitje me qenin, Veronika, një 18-vjeçare nga Kharkivi, e qepi në një kukull të vogël, Vilna (fjalë për fjalë "e lirë"), simbol i rezistencës dhe i rilindjes. Veronika - e cila mbijetoi falë mjekimit, që mori në Itali përmes një kanali të hapur nga kardinali Matteo Zuppi – ia dhuroi kukullën sot paradite Papës Françesku, gjatë një audience në dhomën e vogël pranë Sallës Pali VI me një grup jetimesh, adoleshentesh dhe vajzash ukrainase të moshës nga 6 deri në 19 vjeç. “Të gjitha kanë humbur prindërit, por edhe lirinë, kanë humbur ngjyrat e jetës dhe janë detyruar të jetojnë në bunkerë e jetimore”, deklaroi për mediat e Vatikanit Claudia Conte, gazetare, shkrimtare dhe aktiviste, e pranishme sot në audiencën papnore, si përfaqësuese e shoqatës “Memoria Viva” (Kujtesa e gjallë), që impenjohet për të mbajtur gjallë kujtesën e së kaluarës (nga Shoah deri te konfliktet e fundit) sidomos për të rinjtë.
"Si motra të vogla..."
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, shoqata ka qenë ndër të parat që ka dërguar ndihma e tani, shoqëron vajzat, që janë si motra e shkojnë kudo bashkë. Më pas, ato do të kthehen në Ukrainë, por nuk do t’u mungojë përkrahja e “Memoria Viva” dhe e vullnetarëve të saj. Kharkivi, tregon Claudia Conte, është një nga qytetet më të shkatërruara: "Fëmijët janë viktimat e vërteta të luftërave". Madje edhe të rinjtë si Veronika “janë gjallë për mrekulli”, edhe falë ndërhyrjes së mënjëhershme të mjekëve të Fondacionit Don Gnocchi në Milano, ku e çuan pasi u plagos, në gusht 2024, përmes një kanali të hapur nga kardinali Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë dhe i dërguari i Papës për paqen në Ukrainë.
Nga kjo përvojë mbetet Vilna, kukulla e qepur në një nga punishtet ukrainase të qëndistarisë dhe rrobaqepësisë, realizuar brenda bunkerëve, së bashku me studimet dhe me veprimtaritë e tjera. Një kukull e tillë iu dhurua edhe senatores italiane Liliana Segre dhe Sami Modianos, të dy, të mbijetuar nga kampet naziste të përqendrimit dhe dëshmitarë të shfarosjes së hebrenjve.
Përshëndetje dhe buzëqeshje me Papën
Papa e priti dhuratën me buzëqeshje, duke përshëndetur gjithë të pranishmit, të veshur me kostume tradicionale e me flamurin e Ukrainës. Françesku vuri firmën mbi flamur dhe i shtrëngoi duart me të gjithë.