Papa u shkruan ipeshkvijve amerikan?: d?bimi i personave dhunon dinjitetin njer?zor
R.SH. – Vatikan
Fillimisht, ishte kardinali Blaise Cupich i Çikagos ai, që deklaroi, para betimit të presidentit të ri Donald Trump, se nuk ishte dakord me programet e dëbimit masiv të emigrantëve, pastaj, ipeshkvi i El Pasos, Mark Joseph Seitz, nënvizoi se nuk do të toleronte asnjë formë padrejtësie dhe, së fundi, e gjithë Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-së shprehu shqetësimin e saj për masat e shpallura nga lideri republikan, që dëshiron të riatdhesojë miliona e miliona emigrantë të paligjshëm dhe të militarizojë kufirin Shtetet e Bashkuara-Meksikë.
Tani është vetë Papa ai, që ndërhyn në krizën e rëndësishme të SHBA-së, për shkak të programit të “dëbimit masiv“ të emigrantëve, filluar nga administrata e re amerikane, pas marrjes së detyrës nga ana e presidentit. Ati i Shenjtë Françesku, i cili siguron se e ka ndjekur krizën “nga afër”, u dërgon një letër ipeshkvijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shprehur afërsinë dhe mbështetjen në këto “çaste delikate” dhe, njëkohësisht, për të denoncuar disa dispozita ligjore, që dëmtojnë dinjitetin njerëzor. “Çka ndërtohet mbi forcën dhe jo mbi të vërtetën e dinjitetit të barabartë të çdo qenieje njerëzore, fillon keq dhe do të përfundojë keq”, qorton Papa.
Plagë për dinjitetin njerëzor
“Akti i dëbimit të njerëzve, që në shumë raste janë larguar nga toka e tyre për arsye varfërie të skajshme, pasigurie, shfrytëzimi, persekutimi, ose përkeqësimi serioz të mjedisit, dëmton dinjitetin e shumë burrave dhe grave, të familjeve të tëra dhe i vendos ata në një gjendje të veçantë brishtësie”, pohon Papa Françesku në letrën e ndarë në dhjetë pika, botuar sot në anglisht dhe spanjisht, pak më shumë se dy javë pasi Shtëpia e Bardhë publikoi në platformën X fotografitë e rreth dhjetë emigrantëve, që ecnin në radhë, të prangosur dhe me zinxhirë, drejt një avioni ushtarak, që do t’i kthente në vendlindje.
E drejta për të mbrojtur vetveten
Në tekst, Papa nënvizon se “ndërgjegjja e formuar drejt nuk mund të mos shprehë një gjykim kritik dhe mospajtim me çdo masë, që e identifikon, heshturazi a haptazi, qëndrimin pa dokumente të disa migrantëve me krimin”. Natyrisht, Papa ripohon nevojën për të njohur “të drejtën e një kombi për mbrojtje dhe për garantimin e sigurisë së bashkësive nga ata, që kanë kryer krime të dhunshme apo të rënda gjatë qëndrimit në vend, ose përpara se të mbërrijnë atje”. Por akti i dëbimit merr formën e një plage për dinjitetin njerëzor, të atij “dinjiteti të pamasë dhe transhendent”, dhuruar prej “Zotit, që është gjithmonë afër, i mishëruar, migrant dhe refugjat”. Françesku citon fjalët me të cilat Papa Piu XII fillon kushtetutën e tij apostolike për ndihmën ndaj emigrantëve, "konsideruar si Magna Carta e mendimit të Kishës për migrimin".
“Familja e Nazaretit në mërgim, Jezusi, Maria dhe Jozefi, të cilët emigruan në Egjipt dhe u strehuan atje për t'i shpëtuar zemërimit të një mbreti të pabesë, janë modeli, shembulli dhe ngushëllimi i emigrantëve dhe i shtegtarëve të çdo epoke dhe të çdo vendi, të të gjithë refugjatëve në çdo lloj gjendje që, nën barrën e persekutimit a të nevojës, detyrohen të largohen nga atdheu, familja dhe miqtë e tyre të dashur, për të shkuar në tokë të huaj”.
Trajtim i denjë për të gjithë
Për Papën kjo nuk është një çështje dytësore: “Një shtet vërtet ligjor shihet se është i tillë pikërisht në trajtimin dinjitoz, që meritojnë të gjithë njerëzit, veçanërisht më të varfërit dhe më të mënjanuarit”, shkruan ai. “E mira e vërtetë e përbashkët promovohet kur shoqëria dhe qeveria, me krijimtari dhe respekt rigoroz për të drejtat e secilit - siç e kam deklaruar në shumë raste – mirëpresin, mbrojnë, promovojnë dhe integrojnë më të brishtët, më të pambrojturit dhe më të përjashtuarit. Kjo nuk pengon favorizimin e “një politike, që organizon migracionin e rregullt dhe të ligjshëm”, me kusht që ajo të mos mendohet si “privilegj për disa dhe sakrificë për të tjerë”.
Të shihen normat në dritën e të drejtave të njeriut
Jorge Mario Bergoglio u kujton ipeshkvijve se Jezu Krishti na mëson ta njohim gjithnjë dinjitetin e çdo qenieje njerëzore: "Askush nuk përjashtohet". Prandaj, u bën thirrje "të gjithë besimtarëve të krishterë dhe njerëzve vullnetmirë" që "ta shikojnë ligjshmërinë e normave dhe të politikave publike në dritën e dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij themelore dhe jo anasjelltas". “Njeriu është subjekt me dinjitet, që, përmes marrëdhënieve themeltare me të gjithë, veçanërisht me më të varfërit, mund të maturohet gradualisht në identitetin dhe në thirrjen e tij”, thekson Papa.
Në letër ai i referohet edhe parimit të “ordo amoris” në teologjinë e Shën Agustinit, për të pohuar se gjithçka duhet dashur në mënyrën e duhur. Koncepti u përmend kohët e fundit nga zëvendëspresidenti JD Vance për të justifikuar masat kundër imigracionit të paligjshëm në SHBA. “Ordo amoris i vërtetë për t’u promovuar është ai, që zbulojmë duke medituar vazhdimisht mbi shëmbëlltyrën e “Samaritanit të Mirë”, domethënë, duke medituar mbi dashurinë që sjell vëllazërimin e hapur për të gjithë, pa përjashtuar askënd”, shpjegon Papa Françesku në letër. Dhe përfundon: “Shqetësimi për identitetin personal, komunitar apo kombëtar, pa marrë parasysh këto konsiderata, fut lehtësisht një kriter ideologjik, që e shtrembëron jetën shoqërore dhe imponon vullnetin e më të fortit si kriter të së vërtetës”.
Jo “narrativave”, që diskriminojnë dhe shkaktojnë vuajtje
Ipeshkvi i Romës tregon afërsinë e tij me sivëllezërit përtej oqeanit, duke ua njohur "përpjekjet e tyre të çmuara" për të punuar "në kontakt të ngushtë" me migrantët dhe refugjatët dhe ato në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Zoti do t’ua shpërblejë gjithçka bëni për të mbrojtur ata, që konsiderohen më pak të çmuar, më pak të rëndësishëm, ose më pak njerëzorë!” Së fundi, Papa u drejtohet besimtarëve katolikë dhe burrave e grave vullnetmira, duke u bërë thirrje "të mos dorëzohen para narrativave, që diskriminojnë dhe bëjnë që vëllezërit tanë migrantë dhe refugjatë të vuajnë pa nevojë". “Me dashuri dhe qartësi, të gjithë jemi të thirrur të jetojmë në solidaritet dhe vëllazëri, të ndërtojmë ura që na afrojnë gjithnjë e më shumë, të shmangim muret e poshtërimit dhe të mësojmë ta dhurojmë jetën tonë, siç bëri Jezu Krishti, për shpëtimin e të gjithëve”.
Një lutje për Zojën e Guadalupes
Papa e përfundon letrën me një lutje për Zojën e Guadalupes, pajtore e Meksikës, që ajo të "mbrojë njerëzit dhe familjet, të cilat jetojnë me frikë, ose me dhimbje, për shkak të migrimit dhe/ose dëbimit". “Morenita”, lutet Ati i Shenjtë, i ndihmoftë të gjithë të bëjnë “një hap përpara në ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore, më gjithëpërfshirëse dhe me respektuese të dinjitetit të të gjithëve”.