Papa, Takimit t? Parisit p?r Inteligjenc?n Artificiale: “Sfida jon? mbetet gjithnj? njeriu”
R.SH. – Vatikan
Inteligjenca Artificiale dhe pasojat e përdorimit të saj, në mesazhin e Papës Françesku drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron për Takimin ndërkombëtar “AI Action Summit” (Samiti i Veprimit për Inteligjencën Artificiale), që u mbajt dje e sot në Paris. Ati i Shenjtë u flet jo vetëm më se njëmijë ekspertëve të mbledhur në kryeqytetin e Francës për të përcaktuar bazat e trajtimit global të Inteligjencës Artificiale, por edhe të gjithë atyre që punojnë në këtë fushë, në gjithë botën.
IA të mos bëhet kërcënim për dinjitetin njerëzor
Papa përmend ndërhyrjet e tij të shumta për etikën e Inteligjencës Artificiale, duke filluar me fjalimin e tij në G7-ën e Puljes, ku vuri në dukje rëndësinë e “kontrollit njerëzor mbi procesin e zgjedhjes së programeve të inteligjencës artificiale", në mënyrë që ajo të mos bëhet kërcënim për dinjitetin njerëzor. Për të vijuar me enciklikën “Dilexit nos”, ku, duke ndjekur reflektimin e filozofit dhe shkencëtarit të madh francez Blaise Pascal, Papa dallon kategorinë e algoritmeve nga ajo e "zemrës", e cila, duke qenë seli e ndjenjave më intime e më të vërteta të njeriut, nuk mund ta mashtrojë kurrë atë, në ndryshim nga algoritmet. Koncept kyç i mbrojtur nga filozofi, të cilit Ati i Shenjtë i pati kushtuar një Letër Apostolike me rastin e 400-vjetorit të lindjes (Sublimitas et miseria hominis, 2023).
“Dashuria vlen më shumë se inteligjenca”
« Të gjithë atyre, që marrin pjesë në Samitin e Parisit, - shkruan Françesku - u kërkoj të mos harrojnë se vetëm nga “zemra” e njeriut rrjedh kuptimi i ekzistencës së tij (shih Blaise Pascal, Pensées). Kërkoj të pranohet si aksiomë parimi i shprehur në mënyrë kaq elegante edhe nga një tjetër filozof i madh francez, Jacques Maritain: “Dashuria vlen më shumë se inteligjenca” (Jacques Maritain, Réflexions sur l’intelligence, 1938) ».
Eko-qëndrueshmëria e planetit
Papa vlerëson më pas përpjekjet e pjesëmarrësve në Takim për ta bërë Inteligjencën Artificiale « mjet të fuqishëm për shkencëtarët dhe ekspertët që, së bashku, kërkojnë zgjidhje të reja dhe krijuese në favor të eko-qëndrueshmërisë së planetit. Pa harruar se konsumi i energjisë i lidhur me funksionimin e infrastrukturave të inteligjencës artificiale është në vetvete tejet i madh », denoncon Ati i Shenjtë.
Platformë e interesit publik për Inteligjencën Artificiale
Papa përmend një dokument tjetër, Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2024 mbi inteligjencën artificiale, ku bën thirrje që në përcaktimin e rregullave për këtë mjet të ri teknologjik, të merren parasysh edhe zërat e të varfërve, të mënjanuarve e të atyre, që shpesh nuk përfshihen në proceset globale të vendimmarrjes. Në këtë këndvështrim, Françesku uron që « samiti i Parisit të krijojë një platformë të interesit publik për Inteligjencën Artificiale », « në mënyrë që çdo komb të gjejë në të një mjet, nga njëra anë, për të favorizuar zhvillimin dhe luftën kundër varfërisë dhe, nga ana tjetër, për të mbrojtur kulturat dhe gjuhët lokale. Vetëm në këtë mënyrë – thekson Ati i Shenjtë - të gjithë popujt e tokës do të kontribuojnë në krijimin e të dhënave, të cilat do të përdoren nga Inteligjenca Artificiale, duke përfaqësuar larminë dhe pasurinë e vërtetë, që karakterizon gjithë njerëzimin ».
Pyetjet themelore për përdorimin e IA
Së fundi, Papa nuk harron të përmendë Notën e përbashkët të Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë dhe të atij për Kulturën dhe Edukimin me temë “Inteligjenca Artificiale dhe Inteligjenca Njerëzore”. Aty shtrohen pyetje themelore për përdorimin e kësaj teknologjie, që do të vijojnë të mbeten bazë edhe për Samitin e ardhshëm mbi këtë temë. « Sidoqoftë, - përfundon Ati i Shenjtë - pyetja themelore mbetet dhe do të mbetet gjithmonë antropologjike: "nëse njeriu, si njeri" në kuadrin e përparimit teknologjik "do të bëhet vërtet më i mirë, domethënë më i pjekur shpirtërisht, më i vetëdijshëm për dinjitetin e tij, më i përgjegjshëm, më mendjehapur ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj nevojtarëve dhe më të ligshtëve”. Sfida jonë përfundimtare është njeriu dhe do të mbetet gjithmonë njeriu; të mos e harrojmë kurrë ».