Papa: n? Evrop?, ka humbur entuziazmi p?r t? b?r? f?mij?
R.SH. – Vatikan
"Profesion i bukur", "thirrje", "himn për jetën". Papa Françesku përdor fjalë lavdërimi dhe entuziazmi për të përshkruar punën e bërë nga mamitë dhe gjinekologët, veçanërisht tani që "në Itali, por edhe në vende të tjera, duket se ka humbur entuziazmi për të pasur fëmijë". Ati i Shenjtë priti sot (6 shkurt) një grup mamish, gjinekologësh dhe punonjësish shëndetësorë nga provincat kalabreze të Catanzaro, Cosenza, Crotone dhe Vibo Valentia. Audienca u mbajt në Shtëpinë e Shën Martës, pasi Papa është pak i ftohur e nuk u largua nga banesa e vet.
Të jesh prind: horizont krijimtarie dhe lumturie
Françesku fillimisht u drejtohet të pranishmëve pa lexuar tekstin e shkruar, të cilin ua dorëzoi. I inkurajoi në misionin e tyre për të ndjekur fëmijët jo vetëm para, por edhe pas lindjes, si edhe tregoi disa kujtime personale. Ndërkaq, në tekst, vihen në dukje të dhënat e denoncuara prej vitesh për rënien e madhe të lindshmërisë në Itali dhe në Evropë: “Duket se entuziazmi për të qenë prindër ka humbur”, shkruan Françesku, pasi fëmijët “shihen më shumë si burim vështirësish dhe problemesh, sesa si hapje e një horizonti të ri krijimtarie dhe lumturie”. Një fenomen, që “varet shumë nga kuadri shoqëror dhe kulturor”. Prandaj, synimi i profesionistëve mjekësorë të lindjes së fëmijëve është, sipas Atit të Shenjtë “përmbysja e prirjes për uljen e lindshmërisë”. Për këtë duhet profesionalitet, ndjeshmëri njerëzore dhe “për atë që beson në Zotin”, edhe lutje.
Prindërit të ndihmohen me delikatesë
Pasi nënvizon rëndësinë e zgjidhjes me profesionalitet të vështirësive të ndryshme në lindjen e fëmijëve, Papa pranon se prindërit e rinj janë shpesh të pambrojtur e të brishtë dhe kanë nevojë “për afërsi, butësi, ngrohtësi”. Prandaj, i këshillon punonjësit shëndetësorë që “përveç aftësisë profesionale të kultivojnë edhe një ndjenjë të madhe humanizmi, e cila konfirmon në shpirtrat e prindërve dëshirën dhe gëzimin për jetën e re, lulëzuar nga dashuria e tyre dhe kontribuon që t’i sigurojë fëmijës një lindje të shëndetshme dhe të lumtur”. Së fundi, i fton ata të luten për pacientët, pasi kështu kujdesen jo vetëm për turpin, por edhe për shpirtin e tyre.