杏MAP导航

K?rko

Papa n? dialogun online me t? rinjt? ukrainas Papa n? dialogun online me t? rinjt? ukrainas

Papa dialogon me t? rinjt? ukrainas: jini patriot?. Lufta vret, por ju falni gjithnj?!

Fran?esku n? lidhje video me grupe djemsh dhe vajzash n? Kiev dhe n? qytete t? tjera t? Evrop?s dhe Amerik?s p?r nj? ngjarje n? internet, organizuar nga Nunci Kulbokas dhe Kryepeshkopi ?ev?uk. Papa u p?rgjigjet pyetjeve dhe na nxit t? falim edhe n?se “?sht? e v?shtir?” e edhe n?se instinkti na nxit t'i p?rgjigjemi grushtit me grusht. Ai gjithashtu na fton “ta duam atdheun ton?", duke kujtuar Oleksandrin, ushtarin q? kishte me vete nj? Ungjill t? vog?l n? front: "Kujtoni gjithmon? heronjt?".

R.SH. / Vatikan

Të jesh “patriot”, domethënë “ta duash Atdheun” tani, “të plagosur” nga lufta që vret e sjell famë. Më pas edhe “të falësh”, sepse “është e vërtetë që duhet të mbrohemi”, por duhet edhe të jemi gjithmonë të gatshëm të falim, ndonëse “është shumë e vështirë” ngaqë instinkti na nxit t'i përgjigjemi grushtit me grusht. Së fundi, dialogu: “gjithmonë”, “mes nesh”, edhe me ata “që janë kundër” e edhe pavarësisht “nga kokëfortësia e disave”, të sigurtë se “paqja arrihet përmes dialogut”. Për një orë, Papa Françesku u lidh nga Shtëpia e Shën Martës me 250 të rinj ukrainas për një takim në internet, të përbërë nga dëshmi, lutje, pyetje e përgjigje. Me Papën flasin djem e vajza të ritit latin dhe greko-katolikë nga Kievi, Dioqeza e Lutsk-ut dhe Ekzarkati i Donetskut, por edhe nga Varshava, Mynihu, Londra, Çikago, Toronto, ku emigruan me familjet e tyre.

Përshëndetje nga Shevçuku dhe Kulbokas

"Ky është takim historik, takimi i parë në histori i Papës së Romës me të rinjtë ukrainas" - tha Kryeipeshkvi Svyatoslav Shevchuk në përshëndetjen e tij të hapjes. Kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës shoqëron grupin e mbledhur në Katedralen e Ngjalljes në Kiev, ku Papa duket në një ekran gjigant. "Nëse bie sirena e sulmit ajror, ne do ta ndërpresim lidhjen dhe do të zbresim në bodrum" - thotë Imzot Shevchuk. “Është mrekulli që kemi dritë dhe rrymë elektrike: mbrëmë pësuam një tjetër sulm ajror, por dikush rilidhi kabllot: kemi dritë dhe lidhje interneti!”. I lidhur on line është edhe Ipeshkvi latin Jan Sobilo, ndihmës i dioqezës Kharkiv-Zaporizhzhia, ndër më të prekurit nga bombardimet dhe, mbi të gjitha, i lidhur me Papën është edhe Nunci Apostolik Visvaldas Kulbokas, një nga arkitektët e kësaj ngjarjeje, që ia paraqet të ftuarit Françeskut ("I zoti, ky, komenton Papa duke parë dukjen e nuncit apostolik në ekran  ...!").

Shpresat e trazirat

Papa - i shoqëruar nga një përkthyes - është ulur në një tavolinë në dhomën e ndenjes të Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan, ku bie në sy piktura e Zojës Mari që zgjidh nyjet. Përgatit një fletë të bardhë dhe një stilolaps për të shkruar pyetjet. Përshëndet fytyrat e ndryshme që duken në ekran dhe pohon se është prekur thellë veçanërisht nga një nënë, që mban në krah vajzën e saj të vogël, Esterën: "Është e bukur!". Më pas,  Shenja e Kryqit dhe Atyna, e thënë në kor para se të fillojnë takimin. Kryeipeshkvi imzot Kulbokas lexon një fragment nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, ku shkruhet: “… ne krenohemi me shpresën e lavdisë së Zotit… krenohemi në mundime, duke ditur se mundimi krijon qëndrueshmëri…”.

Shpresa, ashtu si dhe “mundimet” e kuptuara si tmerr që vuajti rreth tri vjetve me radhë populli ukrainas nga agresionin rus, janë në vijim të shkëmbimit të mendimeve ndërmjet Françeskut dhe bashkëbiseduesve të tij ukrainas: “Bëni pyetjet që dëshironi!”- u thotë Papa të rinjve.

Dëshmitë e të rinjve

Së pari, ka tri dëshmi. Njëra është ajo e një vajze 18-vjeçare, nga një familje shumë e madhe dhe e devoçme. Tregon për vëllain e saj të dërguar në front dhe të plagosur disa herë. Ai mbeti vetëm për javë të tëra, i rrethuar nga “armiqtë”: “Iu luta natën Engjëllit tim rojës që ta mbronte atë dhe të gjithë ushtarët”. Djali u lirua më vonë. E dyta është një e re nga Donetsk, e persekutuar nga dhuna që në fëmijëri: “Kam lindur me ndjenjën e padrejtësisë, por me dëshirën për të ardhmen. Besimi më jep forcën për të ecur përpara”. Forcë, pra, për të dëshmuar dhe për t'i rezistuar frikës, lotëve, qyteteve të shkatërruara, valëve të refugjatëve. “Po ju drejtohem juve - i thotë Papës - në emër të të gjithë të rinjve të Doneckut. Duam paqe, paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila do të na lejojë të kthehemi në qytetet dhe në ëndrrat tona. Ne besojmë se e mira është më e fortë se e keqja”. Një 17-vjeçar nga Kharkiv flet i fundit; kujton njerëzit e tij që vdiqën ndër bombardime: “Shumë vdesin…. Armiku kërkon të shkatërrojë qytetet, por edhe besimin në të ardhmen”. Edhe njerëzit e thjeshtë vdesin, thotë ai; si Maria, 12 vjeçe, e vrarë nga një raketë në  supermarket bashkë me nënën e saj: “Ajo na ndihmoi të përgatisnim ndihma për nevojtarët. Pavarësisht dhimbjes torturuese, ne besojmë se Maria dhe nëna e saj janë me Zotin, ata janë engjëjt tanë”.

Dialogoni, gjithnjë

Iliana Dobra, 21 vjeçe, mësuese e anglishtes në një shkollë famullie në Uzhhorod, ishte e para që i bëri Papës një pyetje: “A ia vlen të vdesësh për atdheun? Si mund ta ushqejmë besimin tonë në luftën për jetën kur vetë jeta zhvlerësohet në botë?”. Françesku e shpjegon këtë koncept: “Jeta sot është e zhvlerësuar. Kanë më shumë vlerë paratë, e më shumë vlerë edhe qëndrimi luftarak! “Jeta nuk e zë më vendin e parë”, thekson ai. Kujton, më pas, një shtegtim në një vend të Evropës Qendrore, ku njerëzit dolën nga shtëpitë e tyre për ta përshëndetur: kishte të rinj dhe fëmijë e edhe disa zonja të moshuara. Burrat më të mëdhenj, të gjithë të vdekur në luftë. "Lufta gjithmonë shkatërron". Kundërhelmi është dialogu: “Gjithmonë dialog, dialog mes nesh, edhe me ata që janë kundër nesh. Ju lutem mos u lodhni me dialog. Paqja ndërtohet përmes dialogut. Vërtetë që ndonjëherë nuk është e mundshme, për shkak të kokëfortësisë së disave, por ju bëni gjithmonë përpjekje”.

Mall për Atdheun

Anastasies nga Varshava, qytet që ka mirëpritur miliona ukrainas të arratisur e që pyet se si mund të mos humbasë besimi në mes të këtyre tragjedive, Papa Françesku i përgjigjet me shprehjen: "Mall për atdheun". “Malli është forcë. Ju, ukrainas jashtë vendit, ju lutem të mos e humbisni mallin për atdheun tuaj. Shumë herë është vuajtje, por ne ecim përpara!”. Anastasia buzëqesh nga ekrani; Papa e vëren dhe thotë: “Mendo për Atdheun dhe buzëqeshi Atdheut”.

Uria, një nga gjërat më të këqija të luftës

Julia, 27 vjeçe, është zëdhënësja e shumë të rinjve, duke filluar nga ata të Kharkivit dhe Poltavës, që panë qytetet e tyre të bombarduara vetëm disa netë më parë, ndërsa po mblidheshin për t'u përgatitur për takimin. “Qytete të tëra u shkatërruan nga predhat dhe raketat e armikut. Është gjenocidi i popullit tonë”, denoncon vajza. "Si mund të presim paqen në gjithë këtë?" Papa Françesku, dukshëm i prekur, e tregon me gisht luftën “që shkatërron gjithmonë” dhe famën, një nga pasojat e para të konflikteve: “Është e tmerrshme! Është një nga gjërat më të këqija të luftës”- thotë- duke kujtuar se çdo mbrëmje thërret famullinë e Gazës: “Më thonë se shpesh janë të uritur. Ngaqë këtë bën lufta… lufta jo vetëm që shkakton urinë, por edhe vret”.

Ungjilli i vogël i Aleksandrit

Pastaj Papa merr në dorë një kopje të vogël të Ungjillit me një kopertinë mimetike. Është ai i Oleksandr, ushtarit të ri ukrainas për të cilin foli në disa audienca të përgjithshme. Djaloshi, kur e vranë, kishte me vete Besëlidhjen e Re dhe Psalmet. Binte në sy nënvizimi i Psalmit 129: “Në thellësi të thërras, o Zot; o Zot, dëgjoje zërin tim…”. Oleksandr "është një prej jush", theksoi Françesku - duke u treguar të rinjve në internet edhe Rruzaren me të cilën lutej ushtari: “Për mua kjo është relike e një prej djemve tuaj, që dha jetën për paqe. E mbaj në tavolinën time dhe lutem çdo ditë me të. Duhet t’i kujtojmë këta heronjtë tanë, që mbrojtën atdheun e tyre. Populli ukrainas vuan, vuan nga fama. Le t’i hapim sytë! E të shohim se çfarë bën lufta!”.

Mistika e  Atdheut

Ashtu si Oleksandr, Papa u kërkon të rinjve të kenë gjithmonë me vete një Ungjill të vogël me madhësi xhepi: “Lexoni një fragment gjatë ditës. Kjo është jeta!”. Dhe si Oleksandr, të rinjtë ukrainas thirren të jenë patriotë: "Të gjithë të rinjtë kanë një mision" - thotë Françesku, në përgjigje të një pyetjeje tjetër. Kur ka vështirësi në një vend, në një atdhe, të rinjtë kanë për detyrë të çojnë përpara 'mistikën e atdheut'. Sot, misioni i të rinjve ukrainas është të jenë patriotë. Nuk keni pse të fshiheni nga të gjitha problemet që krijon lufta. Patriotë, duajeni vendin tuaj! Në këtë çast vendi juaj është i plagosur nga luftërat... Por duajeni vendin tuaj! Është gjë shumë e bukur”!

Falja, gjëja më e vështirë

Papa gjithashtu u kërkon të rinjve “të së tashmes dhe të së ardhmes” të çdo vendi, të ëndërrojnë: “Një i ri që nuk është i aftë të ëndërrojë, është plakur”. Duke folur për "të moshuarit", këmbëngulni në ftesën për të mos i lënë pas dore gjyshërit që t’ju ushqejnë "kujtesën". Vështrimi ynë shkon edhe te fëmijët, falë Tatianës, 35 vjeçe, e lidhur nga Çikago, e cila kujton të vegjlit e shumtë që shpëtuan nga “Herodët e sotëm”. "Si mund t'i falim dhe t'i mësojmë fëmijët të falin kur dhimbja dhe padrejtësia e luftës lënë plagë të thella në zemrat tona?". “Një nga gjërat më të vështira është të falësh, e kjo është e vështirë për të gjithë, duke më përfshirë edhe mua”, thotë Papa Bergoglio. “Por kjo fjali më ndihmon: duhet të fal, ashtu siç jam falur. Secili prej nesh duhet të kërkojë si iu fal jeta e vet. Falja është shumë e vështirë. Ne gjithmonë përpiqemi të bëjmë luftë dhe t'i përgjigjemi një grushti me një grusht tjetër”. "Mua - shton Françesku, "më ndihmon mendimi: më falën e duhet të fal. Dhe nuk është e lehtë… Arti i faljes nuk është i lehtë, por ne duhet të ecim përpara. Ne duhet ta falim njëri-tjetrin. Gjithmonë".

Vazhdo, edhe nëse e ke gabim

Në përfundim, ftesa për të vazhduar, edhe nëse gabon: “Të gjithë kemi bërë gabime në jetë, por kur gabon duhet të ngrihesh, të ngrihesh dhe të vazhdosh. Mos kini frikë! Rrezikoni e, nëse bini, mos rrini të rrëzuar”. Prej këtu, pas këngës së Himnit Shpirtëror të Ukrainës, përpara bekimit dhe mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve “Rroftë Papa”, porosia e fundit:

“Ju lutem, mos i harroni heronjtë tuaj të rinj, si Oleksandr, të rinjtë që dhanë jetën për Atdheun”.

02 shkurt 2025, 14:10