Papa: sh?rbimi i armatosur vet?m p?r vet?mbrojtje, kurr? p?r t? imponuar sundimin
R.SH. / Vatikan
Në përfundim të Meshës, kremtuar sot për Jubileun e Forcave të Armatosura, të Policisë dhe Sigurisë, kryesuar nga Ati i Shenjtë Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa ripohoi porosinë e tij në dritën e Kushtetutës baritore Gaudium et Spes që, në paragrafin n.79 thekson pikërisht detyrën për të zbutur çnjerëzimin e luftës.
Shërbimi i armatosur të ushtrohet vetëm për mbrojtje legjitime
Mësimi i Kishës u theksua përpara lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, ndërsa më pas u falënderuan autoritetet civile të pranishme sot në Vatikan për shtegtimin e tyre, për shërbimin baritor dhe për kapelanët ushtarakë. Ushtarëve të shpërndarë nëpër botë, Papa u kujtoi një nga dokumentet kryesore të Koncilit II të Vatikanit. Në të theksohet: “Ata që, në shërbim të vendit të vet, ushtrojnë profesionin në ushtri, duhet ta konsiderojnë veten edhe si shërbëtorë të sigurisë e të lirisë së popujve të tyre”.
Ky shërbim i forcave të armatosura duhet të ushtrohet vetëm për vetëmbrojtje, për të mos imponuar kurrë sundimin mbi kombet e tjera, duke respektuar gjithnjë konventat ndërkombëtare për konfliktet. E, para së gjithash, jetën e Krijimit.
Të lutemi për paqen në zonat e prekura nga konflikti
Duke ia drejtuar lutjen Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes, Ati i Shenjtë Françesku, si zakonisht, nuk i harroi "Ukrainën e martirizuar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin, gjithë Lindjen e Mesme, Kivunë, Sudanin".
Të heshtin armët kudo dhe të dëgjohet klithma e popullit, që kërkon paqe.
Fjalët e Papës jehojnë pasi skenarët e konfliktit në disa rajone të botës po shkaktojnë shqetësim tek kancelaritë dhe popujt. Lidhur me luftën në Ukrainë, në një intervistë për New York Post, presidenti i SHBA-së Trump kujtoi se foli në telefon me homologun e tij rus, Putin, në përpjekje për të diskutuar përfundimin e konfliktit. Nuk pati as konfirmim e as mohim nga pala ruse.