Papa ipeshkvijve t? Indis?: “hapni dyert p?r t? pritur t? varf?rit dhe t? pambrojturit”
R.SH. / Vatikan
Në shërbesën tuaj “hapni dyert” e Kishës “për të pritur të varfërit dhe të pambrojturit. Ky mandati që Papa Françesku u beson ipeshkvijve indianë në një mesazh dërguar hapjes së Asamblesë Plenare të 36-të të Konferencës Episkopale Katolike të Indisë (CCBI), Konferenca Episkopale më e madhe kombëtare në Azi dhe e katërta më e madhe në mbarë botën, që përfaqëson 132 dioqeza dhe 209 ipeshkvij. Asambleja mbahet në Universitetin XIM në Kryedioqezën e Cuttack-Bhubaneswar, në shtetin Orissa (alt. Odisha) .
"Shenjë shprese" gjatë Jubileut
Në mesazh - lexuar në fillim të punimeve nga Kryeipeshkvi imzot George Antonysamy, nënkryetar i Konferencës Episkopale Katolike të Indisë (CCBI) – Papa Françesku siguron mbështetjen e tij ndaj episkopatit indian, të cilin e inkurajon t’i udhëheqë Kishat lokale në zbatimin e udhëzimeve që dolën nga Sinodi. “Lutem që vendimet tuaja të mund t'i ndihmojnë Kishat vendore të dallojnë se si të zbatojnë më së miri frytet e rrugës sinodale të Kishës dhe kështu të frymëzojnë besimtarët në thirrjen e tyre për të qenë dishepuj misionarë”, shkruan Papa. Duke iu referuar jubileut, Ati i Shenjtë shpreh besimin se Kisha në Indi “do të vazhdojë të jetë një shenjë shprese për mbarë kombin, duke u përpjekur gjithmonë të hapë dyert e saj gjerësisht për të pritur të varfërit dhe më të pambrojturit, në mënyrë që të gjithë të kenë shpresë në një të ardhme më të mirë”.
Temat dhe ndërhyrjet
Siç informon vetë Konferenca Episkopale e Indisë, seanca plenare filloi me ndërhyrjen e Kryeipeshkvit imzot Leopoldo Girelli, nunc apostolik në Indi dhe Nepal, i cili gjithashtu kryesoi edhe kremtimin solemn Eukaristik. Kryeipeshkvi Imzot John Barwa, SVD, më pas përshëndeti të gjithë ipeshkvijtë dhe personalitetet që kishin ardhur për ngjarjen në Orissa, një vend me “kultura të gjalla fisnore”. Në fjalën e tij, kardinali Filipe Neri Ferrão, president i Konferencës Episkopale Katolike të Indisë (CCBI) dhe Federatës së Konferencave Episkopale Aziatike, nënvizoi sfidat domethënëse në rritje për jetën e krishterë dhe lirinë fetare në India“.
Kardinali Ferrão theksoi miratimin e ligjeve kundër konvertimit në 18 shtete dhe numrin në rritje të incidenteve të dhunës që janë regjistruar kundër të krishterëve për këtë arsye. Ai bëri thirrje për solidaritet, lutje dhe veprime të bashkërenduara për të mbështetur dinjitetin dhe lirinë e Kishës: "Pavarësisht fatkeqësive, Kisha në Indi mbetet e gjallë dhe e palëkundur. Një nga temat e zgjedhura për reflektim është “Shoshitja e shtigjeve sinodale për mision”. Më pas, ipeshkvijtë do të shqyrtojnë raportet dyvjeçare të 16 komisioneve, gjashtë departamenteve, katër apostolatëve dhe 14 këshillave episkopale rajonale, duke ofruar kështu një pasqyrë gjithëpërfshirëse të punës së Konferencës Episkopale Katolike të Indisë (CCBI).