Papa Fran?esku b?n thirrje p?r paqe n? Sudan dhe Kolumbi
R.SH. – Vatikan
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje për t'i dhënë fund konfliktit në Sudan, filluar në prill 2023, duke nënvizuar se ai po shkakton "krizën më të rëndë humanitare në botë, me pasoja dramatike edhe në Sudanin e Jugut". Ati i Shenjtë i ftoi palët ndërluftuese të ulen në tryezën e bisedimeve, duke i kërkuar edhe bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë bisedimet për paqen dhe të lehtësojë ndihmën humanitare.
“U qëndroj pranë njerëzve të të dyja vendeve dhe i ftoj ata në vëllazërim, solidaritet, i ftoj të shmangin të gjitha format e dhunës dhe të mos manipulohen”, ngriti zërin Papa, duke shprehur shqetësimin e tij edhe për situatën në rajonin Catatumbo të Kolumbisë, ku shumë civilë janë vrarë në përleshjet ndërmjet grupeve të armatosura, të cilat kanë detyruar mbi 30.000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Tmerret e antisemitizmit
Ati i Shenjtë kujtoi më pas Ditën Botërore të të Gërbulurve, që u kremtua sot, duke i inkurajuar të gjithë t’i integrojnë në shoqëri të sëmurët nga lebra. E, para Ditës së nesërme Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, vuri në dukje se këtë vit bëhen 80 vjet nga çlirimi i kampit të përqendrimit të Aushvicit.
"Tmerri i shfarosjes së miliona hebrenjve dhe njerëzve të tjerë me fe të ndryshme, gjatë atyre viteve, nuk duhet harruar a mohuar kurrë", nënvizoi ai, duke kujtuar shembullin e poetes me origjinë hungareze Edith Bruck, e cila jeton në Romë.
Edhe shumë të krishterë, shtoi Papa Françesku, u vranë në kampet naziste të vdekjes, "mes të cilëve, shumë martirë".
“Përsëris thirrjen që të gjithë të punojmë së bashku për të çrrënjosur plagën e antisemitizmit, së bashku me çdo formë diskriminimi dhe persekutimi fetar”, theksoi Papa. “Së bashku, të ndërtojmë një botë më vëllazërore, më të drejtë, duke i edukuar të rinjtë t’i kenë zemrat të hapura, me frymën e vëllazërimit, faljes dhe paqes”.
Jubileu i Komunikimit
Në përfundim, Papa përshëndeti të gjithë profesionistët e medias, që kanë ardhur në Romë për të marrë pjesë në Jubileun e Botës së Komunikimit.