杏MAP导航

K?rko

Hera e par? n? Korsik? p?r Pap?n: 'U ndjeva si n? sht?pin? time'

Gjat? udh?timit t? tij t? 47-t? apostolik, m? 15 dhjetor n? Ajaccio, Fran?esku u la banor?ve t? Korsik?s, ku vuri k?mb?n p?r her? t? par? nj? Pap?, shum? mesazhe, duke filluar nga thirrja p?r paqen n? rolin e r?nd?sish?m t? p?rshpirt?ris? popullore, nga koncepti i laicitetit n? k?rkes?n p?r t? ndihmuar m? shum? t? af?rmin

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë në histori e vetëm pak ditë para fillimit të Jubileut. Papa Françesku kreu dje, 15 dhjetor, udhëtimin e tij të 47-të apostolik, që e çoi në Ajaccio të Korsikës, për t’iu drejtuar përfaqësuesve nga Kishat e Mesdheut, të mbledhur në kongresin me temë 'La Religosité Populaire en Mediterranee' (Përshpirtëria popullore në Mesdhe).

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Në një telegram, synimi i shtegtimit papnor

Shumë takime për Papën, i cili përpara se të largohej nga ishulli, bisedoi për rreth një orë me presidentin e Republikës Franceze, Emmanuel Macron. Françesku e falënderoi presidentin, që shkoi në ishullin francez për ta takuar - "gjest, që tregon personalitetin tuaj", i tha – ndërsa Macron u tregua "krenar" që priti Papën. Në telegramin, që Ati i Shenjtë i dërgoi presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në kthim nga Korsika, përmblidhet gjithë synimi i këtij shtegtimi, i cili, sipas Papës, "mund të ngjallë një interes më të madh për të rizbuluar dëshirën e mbështetjes së vlerave të shëndetshme, që kanë formuar burra e gra, në mënyrë që përmes dialogut të frytshëm ndërmjet feve, institucioneve politike dhe botës së dijes, të promovohet respekti për rrënjët, liria për të dëshmuar besojmën personale dhe përgjegjësia për të ardhmen”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Mesazhi i Papës për paqen

Si zakonisht, Papa u la korsikanëve një sërë mesazhesh, duke filluar nga thirrja për paqe: "Nga ky ishull i Mesdheut, i lartojmë Zojës - "Madunnuccia" - lutjen për paqe: paqe për të gjitha tokat rreth këtij deti, sidomos për Tokën Shenjte, ku Maria lindi Jezusin; paqe për Palestinën, për Izraelin, për Libanin, për Sirinë, për të gjithë Lindjen e Mesme”, ngriti zërin Françesku, pa harruar konfliktin ukrainas. Nëse fëmijët, kujtoi ai, "e kanë humbur buzëqeshjen", të rriturit duhet të gjejnë mënyrën për t’u marrë vesh: "Zoti siguroftë paqen e shumëpritur për popullin ukrainas dhe për popullin rus. Ata janë vëllezër, kushërinj, nuk e di… por të merren vesh”, kërkoi ai.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Roli i përshpirtërisë popullore

Mesazhi i dytë i Françeskut ka të bëjë me rolin e përshpirtërisë popullore. Një element që “duke shprehur fenë me gjeste të thjeshta dhe me gjuhën simbolike të rrënjosur në kulturën e popullit, zbulon praninë e Zotit në ‘mishin e gjallë’ të historisë, forcon marrëdhëniet me Kishën dhe, shpesh, bëhet mundësi për takime, për shkëmbime kulturore dhe festë”. Pra, një mundësi e madhe, e cila, gjithsesi, nuk duhet ngatërruar me "aspekte të jashtme apo folklorike", theksoi Papa.

Bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve civile dhe kishtare

Ati i Shenjtë nuk mungoi të flasë edhe për shekullarizimin. Koncepti i laicitetit, nënvizoi Papa nuk duhet të jetë "i dhënë një herë e përgjithmonë dhe i ngurtë, por një koncept që zhvillohet me dinamizëm, i aftë për t'iu përshtatur situatave të ndryshme e të papritura, si edhe për të nxitur bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve civile dhe kishtare, për të mirën e gjithë bashkësisë, secili, brenda kufijve të kompetencave të veta dhe brenda hapësirës së tij". Françesku denoncoi se në Evropë "kërkimi i Zotit duket se po shuhet".

  (Vatican Media)

Ky është popull, që bën fëmijë

Bergoglio u ndie “si në shtëpinë e tij" në Korsikë e duke e falënderuar popullin, në avionin e kthimit nga Ajaccio, por edhe në meshën e pasdites, që mbylli veprimtaritë e tij publike, vuri në dukje përshtypjen që i bëri prania e fëmijëve të shumtë: "Ky është gëzimi juaj" u tha korsikanëve e, “ky është popull, që bën fëmijë”, u tha gazetarëve.

Kush nuk ka duar për të ndihmuar nuk do të jenë kurrë i lumtur

Së fundi, nxitja për të mos jetuar me ankthin e konsumizmit: "Këto ditë në Romë kam parë njerëz të shqetësuar për të blerë gjërat për Krishtlindje. Por, pasi e bën këtë, nuk mbetet asgjë. Kush nuk ka duar për të ndihmuar nuk do të jenë kurrë i lumtur. Të gjithë, edhe Papa. Një shoqëri si kjo plaket e pakënaqur, sepse nuk di të dhurojë: ata që jetojnë vetëm për vete nuk do të jenë kurrë të lumtur”.

16 dhjetor 2024, 10:43