Papa n? Udh?n e Kryqit t? DBR-s? n? Lisbon?: t? rinjt?, shpresa e Krishtit p?r bot?n
R.SH. – Vatikan
“Ne besojmë se Jezu Krishti mori përsipër gjithë të këqijat dhe dhimbjen e botës, që e keqja dhe dhimbja të mos mbeten më pa kuptim e pa rrugëdalje”. Me këtë lajtmotiv, Papa Françesku u foli sot në mbrëmje të rinjve, të mbledhur në Parkun Eduardi VII të Lisbonës, për kremtimin e Udhës së Kryqit të Ditës së 37-të Botërore të Rinisë.
Jezu Krishti është “udha”
Pas drekës në nunciaturë, me 10 të rinj të kombësive të ndryshme, shoqëruar nga patriarku i Lisbonës, kardinali Manuel José Macário do Nascimento Clemente, Ati i Shenjtë mori pjesë në kujtimin e Mundimeve të Krishtit, që karakterizon çdo të premte të Ditëve rinore, siç ndodhi edhe me këtë portugeze, gjatë së cilës, Papa theksoi faktin se pikërisht Jezu Krishti është “udha”, që duhet të ndjekë çdo i krishterë. Ajo udhë, që Ai vetë e përshkon gjatë jetës së tij, siç tregohet në Ungjijtë, të cilët e pasqyrojnë në sheshe, në breg të liqenit, në male, në tempull, gjithnjë në lëvizje, pa u kufizuar në ceremoni e rite, gjithnjë me vëmendje për ata, që vuajnë e kërkojnë shpresë, të cilëve u zgjat dorën me dhembshuri, derisa jep jetën në kryq.
“Kryqi, që shoqëron çdo DBR – shpjegoi Françesku – është ikona e këtij rrugëtimi. Është shenja e shenjtë e dashurisë më të madhe, e dashurisë me të cilën Krishti dëshiron ta përqafojë jetën tonë. Atëherë, ky kryq na zbulon bukurinë e dashurisë”.
“Bukuria e Kryqit”
Ky është paradoksi i fesë sonë, vijoi Papa: “Bukuria e Kryqit”, sepse është shprehje e dashurisë pa interes, dhuratë për të tjerët. Bukuri e dashurisë, që bart plagët e botës; dashuri pa masë e konkrete. Përmes kësaj dashurie, vërejti Ati i Shenjtë, “Jezusi është për udhë me ne. Ecën krah nesh pa u ndalur, pa pushuar, pa menduar aspak se kjo është e kotë, duke shpresuar gjithnjë për ne, duke na dashur gjithnjë”. Françesku e mori përkufizimin e Udhës së Kryqit nga shkrimtari e poeti francez Christian Bobin, i cili në librin e tij “Njeriu që ecën” shkruan: Jezu Krishti “ecën kokëzbuluar. Vdekja, era, fyerjet: gjithçka i përplaset në fytyrë, por nuk ia ngadalëson hapin. Mund të thuhet se çka e mundon s’është asgjë në krahasim me çka shpreson”.
Shpresa e Jezu Krishtit për botën
“E çfarë shpreson Jezusi? – pyeti Papa secilin prej të rinjve. - Të hapë dritaret e shpirtit tënd për t’i dhuruar plotësinë e jetës dhe të dashurisë së tij; të t’i thajë lotët e fshehura me butësinë e tij; ta mbushë vetminë tënde me afërsinë e tij, frikën me ngushëllimin e tij; t’i lehtësojë peshat e rënda mbi shpirt, që të shtypin; t’i shërojë plagët e mëkateve; të të nxjerrë nga paraliza e trishtimit, e dorëzimit, e asaj plogështie shpirtërore, që ta shuan entuziazmin; të të shtyjë të rrezikosh për dashurinë, që të bëhesh protagonist i dhurimit falas, plot vëmendje për më të varfrit, duke marrë përsipër përgjegjësinë për kohën në të cilën jeton, për shoqërinë dhe Krijimin”.
Ta çojmë gjithçka tek këmbët e kryqit
Jezu Krishti, nënvizoi sërish Papa, ndërsa të rinjtë përgatiteshin për të përshkuar 14 ndalesat e Udhës së Kryqit, dëshiron “të na ndezë në shpirt dritën e bukurisë, të na bëjë lajmëtarë të shpresës, në gjendje për të hedhur me guxim hapa të reja në terrin e natës, për të mos mbetur në të kaluarën e për të mos u frikësuar nga e ardhmja”.
“Duke u ngjitur në Kalvar me të, - i këshilloi Françesku të rinjtë e mbledhur nga e gjithë bota në Lisbonë, për Ditën e tyre Botërore - t'i paraqesim atij ëndrrat, dëshirat dhe gëzimet tona, së bashku me vuajtjet, frikën, situatat e pashpresa. T’i bashkojmë me braktisjen e tij, vetmitë tona më të hidhura; me refuzimin që e mundoi, padrejtësitë që kemi pësuar. Ta çojmë tek këmbët e kryqit gjithçka pret Kisha, që të jetë më tepër e tija dhe gjithçka pret bota, që të jetë më e drejtë, më mikpritëse dhe më vëllazërore. T'i kërkojmë të marrë edhe një herë mbi vete padrejtësitë, dhunën, diskriminimet, tmerret e luftës dhe gjithçka lëndon të varfërit e shkatërron krijimin”.
Para Krishtit, britmat e njerëzimit të etur për paqe
Në fund të reflektimit të Papës Françesku nuk mungoi një citim nga mistikja, poetesha e asistentja sociale franceze, Madeleine Delbrêl, që, në Besojmën e saj për Jezu Krishtin, shkruan të vërtetën e stampuar në kryqin, të cilit i lutej përditë Nënë Tereza, shenjtja shqiptare e bamirësisë: “deshe a s’deshe, britma e tmerrshme e [Jezu Krishtit], “Kam etje”, buçet në shpirtin tënd”. E pastaj, përgjigjja për këtë etje, të cilën e pati kuptuar edhe Nënë Tereza, që e dëshmoi me jetën e saj: “Kur në mjerimin më të madh do të thuash ‘O Zot, s’kam asgjë për të të dhënë’, Ai vetë do të të dhurojë ujin e gjallë”.
Në këtë Udhë Kryqi, përfundoi Papa, duke iu drejtuar të rinjve, që pas DBR-së do të shpërndahen nëpër udhët e botës, “t’i çojmë para Krishtit britmat zemërthyese të njerëzimit të shkrumbuar, të etur për paqe. Ta shikojmë me besim Atë, që ‘është paqja jonë’. Atij, shporuar për ne, t’ia hapim zemrat. Të kemi besim tek Ai. Gjaku dhe uji, që i rrjedhin nga brinjët, zbritshin mbi ne, na pastrofshin e na shndërrofshin. Na bëfshin profetë të apasionuar të Ungjillit, dëshmitarë të guximshëm të shpresës”. Ky, urimi dhe lutja e Françeskut.