Fran?esku n? Kongo: kushdo q? m?njanon njer?zit d?mton shoq?rin?
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku takoi, sot pasdite në Nunciaturën Apostolike në Kinshasa, përgjegjësit e veprave bamirëse të Kongos dhe të asistuarit e tyre, duke përfshirë disa jetimë, lebrozë, të sëmurë, fëmijë me aftësi të kufizuara: "Shpërndarja e padrejtë dhe e pabarabartë e të mirave shkakton varfëri". Thirrje e re për mediat: "Sa do të doja t‘i jepnin më shumë hapësirë ??këtij vendi dhe gjithë Afrikës!” Pastaj inkurajimi për "veprimtarët bamirës”: bëhuni shembull për të rinjtë, ata kanë nevojë të shohin duar që nuk marrin armët dhe nuk shpërdorojnë me para.
Ishte një festë e vërtetë, takimi i Papës me përfaqësuesit e disa veprimtarive bamirëse të pranishme në vend, pranë Nunciaturës Apostolike në Kinshasa, të cilët i përshëndeti me dashuri dhe i falënderoi për këngët, dëshmitë dhe fjalët që i thanë e, mbi të gjitha për gjithçka që bëjnë! E biseda e Papës me përfaqësuesit e disa veprimtarive bamirëse të pranishme në Kongo, sot pasdite në Nunciaturën Apostiolike në Kinshasa, nisi me një krahasim të gjetur: atë të pemës që pritet me potere e të asaj që rritet, duke e mbushur atmosferën me erë të mirë. Pema që rritet është e mira, janë zemrat e duart që shtrihen drejt të tjerëve, që u afrohen të ligshtëve, në emër të Jezusit. Është e vërtetë fjala e urtë; "Një mijë hapa fillojnë gjithmonë me një!".
Falënderimi i Papës
Pasi pati dëgjuar disa histori prekëse, Papa, pohoi çka i bëri më shumë përshtypje: bamirësit nuk renditën thjesht problemet sociale dhe nuk numëruan të dhënat e shumta për varfërinë, por mbi të gjitha folën me dashuri për të varfrit:
“Ju folët për veten dhe për njerëzit që nuk i njihnit më parë e që tani u bënë të njohur për ju: emra dhe fytyra. Faleminderit për këtë shikim, që di ta njohë Jezusin në vëllezërit e tij më të vegjël. Zoti duhet kërkuar e duhet dashur në të varfërit dhe, si të krishterë, duhet të jemi të kujdesshëm nëse distancohemi prej tyre, sepse ka diçka që nuk shkon kur besimtari largohet nga të preferuarit e Krishtit”.
Ndërsa shumëkush sot i flak, ju i përqafoni - vijoi t’u kujtojë Papa atyre, që dinë të bëjnë mirë, me të cilët po takohej në zemër të Afrikës. - Ndërsa bota i shfrytëzon, ju i ndihmoni! Ndihmë kundër shfrytëzimit - shtoi Papa – dhe kujtoi rishtas pyllin që rritet, ndërsa shpyllëzimi tërbohet dhunshëm! Unë do të doja t'i jepja zë asaj që po bëni – pohoi në vijim - për të nxitur rritjen dhe shpresën në Republikën Demokratike të Kongos dhe në mbarë kontinentin:
“Erdha këtu i shtyrë nga dëshira për t'i dhënë zë të pazërit. Sa do doja që media t'i jepte më shumë hapësirë ??këtij vendi dhe gjithë Afrikës! Që të njihen popujt, kulturat, vuajtjet dhe shpresat e këtij Kontinenti të ri të së ardhmes! Do të zbulojnë talente dhe histori të pafundme të madhështisë së vërtetë njerëzore dhe të krishterë, histori të lindura në një klimë të pastër, që njeh mirë respektin për të vegjlit, për të moshuarit dhe për krijimin”.
Ndihma konkrete dhe promovimi rrjeteve të bashkëpunimit
Është bukur t'ju jap zë edhe këtu, në Nunciaturë - vijoi akoma Papa - sepse Përfaqësitë Papnore, "shtëpitë e Papës" të përhapura nëpër botë, janë dhe duhet të jenë qendra bamirësie, në vijë të parë të frontit të diplomacisë së mëshirës, në mbështetje të ndihmës konkrete dhe në promovimin e rrjeteve të bashkëpunimit. Kjo po ndodh tashmë në heshtje - shtoi - në shumë vende të botës, e edhe këtu, prej shumë kohe. Kjo shtëpi ka qenë prani e afërt prej dekadash: e përuruar nëntëdhjetë vjet më parë si Delegacion Apostolik, pas pak ditësh do të kremtojë gjashtëdhjetëvjetorin e lartimit të saj në rang Nunciature.
Papa kujtoi më pas se veprimtaria e këtyre njerëzve, është e mrekullueshme, por aspak e lehtë. Të vjen të qash duke dëgjuar histori si ato që u treguan, për njerëz të vuajtur, të lënë pas dore nga indiferenca e përgjithshme ndaj jetës endacake, e cila i katandis të jetojnë në rrugë, të pambrojtur nga rreziku i dhunës fizike dhe i shpërdorimit seksual, madje edhe nga ndjekja penale me akuzën e magjisë, ndërsa ata kanë nevojë vetëm për dashuri dhe kujdes .
Varfëria dhe refuzimi e fyejnë njeriun
Më befasoi ajo që na tregove, Tekadio – iu drejtua me emër Papa, njërit nga ata, që folën për historinë e jetës së tyre. Ishte një lebroz që edhe sot, në vitin 2023, ndjehet "i diskriminuar, i përbuzur, i poshtëruar", ndërsa njerëzit, me një përzierje turpi, keqkuptimi dhe frike, nxitojnë të pastrohen aty ku ka kaluar deri hija e tij. Varfëria dhe refuzimi e fyejnë njeriun, i shpërfytyrojnë dinjitetin. U trishtova, kur dëgjova se edhe këtu, si në shumë vende të botës, po hidhen poshtë fëmijët dhe të moshuarit:
“Përveçse shkandulluese – theksoi në përfundim Papa - kjo është edhe e dëmshme për gjithë shoqërinë, e cila ndërtohet duke nisur nga kujdesi për të moshuarit dhe për fëmijët, për rrënjët dhe për të ardhmen. Të mos harrojmë: nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë njerëzor, pa kujtesë dhe pa të ardhme”.