Papa, kongolez?ve: tani, amnistia e zemr?s, shkruani nd?r dyer: “Paqja qoft? me ju!”
R.SH. / Vatikan
Në Meshën e parë të shtegtimit në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, në praninë e më se një milion besimtarëve, Françesku foli për paqen që Jezusi i ngjallur u solli dishepujve të tij dhe, në emër të Zotit u bëri thirrje atyre që pretendojnë se janë të krishterë, ndërsa vijojnë të përdorin dhunën: "Lëshojini armët, rrokni mëshirën!". Më pas i ftoi të gjithë të jenë misionarë të paqes, vëllezër dhe motra me gjithkënd, larg dallimeve etnike, shoqërore dhe fetare
"Paqja me ju!". Ashtu si Jezusi i Ngjallur përshëndeti dishepujt në dhomën e sipërme, siç njofton Ungjilli, kështu edhe Papa Françesku përshëndeti mbi një milion besimtarë entuziastë, që mbërritën në aeroportin N'dolo, në zonën veriore të Kinshasës, edhe nga vendet në kufi me Republikën Demokratike të Kongos. Në homelinë e Meshës së parë, kremtuar në Afrikë, kushtuar paqes dhe drejtësisë, ditën e dytë të udhëtimit apostolik që do ta çojë edhe në Sudanin e Jugut, Papa u kërkon të krishterëve kongolezë t'ia përcjellin botës "së zhgënjyer nga dhuna dhe nga lufta" këtë kumt të pashpresuar dhe profetik të paqes". U flet drejtpërdrejt atyre “që në këtë vend e quajnë veten të krishterë, por kryejnë dhunë. Zoti - u kujton - ju thotë: "Lëshoni armët, rrokni mëshirën!”.
Kush mban kryqin, të sjellë paqen!
Françesku u kërkoi të gjithëve ta mbajnë Kryqin në qafë, në xhepa ose në shtëpi, pranë zemrës! E më pas u propozoi "të shkruajnë ndër dhoma, në rroba, jashtë shtëpive" fjalët e të Ngjallurit: "Paqja qoftë me ju!”: “Përhapini - bëri thirrje - do të jenë profeci për vendin, bekim i Zotit për këdo që të takoni. Paqja qoftë me ju: t’i lutemi Zotit të na falë dhe të falim njëri-tjetrin!”.
Më pas, i ftoi të gjithë:
“Të jemi misionarë të paqes dhe kjo do të na japë paqe. Do të na ndihmojë t'i bëjmë vend të gjithëve në zemër, duke besuar se ndryshimet etnike, rajonale, sociale dhe fetare vijnë pas dhe nuk janë pengesë; se të tjerët janë vëllezër e motra, anëtarë të së njëjtës bashkësi njerëzore; se secili do të ketë në shpirt paqen, që solli në botë Jezusi”.
Në një festë të madhe popullore, të shoqëruar nga këngët e korit të madh dhe zërat e vallet e qindra mijëra njerëzve të mbledhur në shesh, Papa mbërriti me papamobil në aeroportin civil të komunës Barumbu. I ulur pranë tij, kryeipeshkvi i Kinshasës, kardinali Fridolin Ambongo Besungu. Liturgjia dhe këngët e kremtimit ishin në gjuhën frënge për Papën dhe në Lingala, gjuhë e folur nga Bantu Bangala, lingua franca në veri-perëndim të Republikës Demokratike të Kongos, në Kongo-Brazzaville, si dhe në disa zona të Angolës, të Republikës së Afrikës Qendrore dhe gjithashtu të Sudanit të Jugut. Lutjet e besimtarëve ishin në Tshiluba, Suahili dhe Kikongo.
Papa Françesku përshëndeti edhe në gjuhën vendase, duke zgjedhur që në fillim të predikimit, fjalët më simbolike: "paqe", "vëllazëri" dhe "gëzim". Fjalët e Jezusit: "Paqja qoftë me ju!", drejtuar dishepujve në dhomën e sipërme, shkëputur nga Ungjilli i Gjonit, janë më shumë se përshëndetje, janë "mandat". Sepse paqja e shpallur nga engjëjt natën e Betlehemit, e njëjta "që Jezusi premtoi t'ua linte të vetëve, tani, për herë të parë, u dorëzohet solemnisht dishepujve":
“Paqja e Jezusit, e cila na jepet edhe ne në çdo meshë, është paqja e Pashkëve: vjen me ringjalljen, sepse së pari Zotit i duhej t’i mundte armiqtë tanë, mëkatin dhe vdekjen, dhe ta pajtonte botën me Atin; i duhej të provonte vetminë dhe braktisjen tonë, ferrin tonë, të përqafonte dhe të kalonte distancat që na ndanin nga jeta dhe nga shpresa”.
Prandaj Papa ftoi të marrim anën e dishepujve, të cilët ditën e mundimeve "u zhgënjyen plotësisht nga shkandulli i kryqit, u plagosën në shpirt për shkak se e kishin braktisur Jezusin, duke ikur", të zhgënjyer nga fundi i premtimit dhe të frikësuar se do të përfundonin si Krishti: “E pra, Jezusi shpall paqen, ndërsa në zemrat e dishepujve ka rrënoja; shpall jetën, ndërsa ata ndjejnë në shpirt çapitjen e vdekjes":
“Paqja e Jezusit vjen në çastin kur për ta çdo gjë kishte marrë fund, në çastin më të papritur dhe më të pamenduar, kur paqja nuk dukej gjëkundi. Kështu bën Zoti: na mahnit, na shtrin dorën kur jemi gati të fundosemi, na ngre lart, kur prekim fundin”.
E kjo sepse - shpjegoi Françesku - "me Jezusin, e keqja nuk fiton kurrë, nuk e ka kurrë fjalën e fundit". Dhe ne "që i përkasim Jezusit" nuk mund të lejojmë të na sundojë trishtimi, dorëzimi, fatalizmi:
“Në një botë të çkurajuar nga dhuna dhe lufta, të krishterët bëjnë si Jezusi. Ai, pothuajse me këmbëngulje, u përsëriti dishepujve të tij: ‘Paqja qoftë me ju!’. Edhe ne jemi të thirrur ta bëjmë tonën dhe t'ia tregojmë botës këtë shpallje të papritur dhe profetike të paqes”.
Falja, burimi i parë i paqes
Më pas, Papa shpjegoi se vetë Jezusi na tregon "tre burime paqeje, tre burime për të vazhduar ta ushqejmë jetën": faljen, bashkësinë dhe misionin. Lidhur me të parin, duhet kujtuar se Jezusi, përpara se t'u jepte apostujve “fuqinë për të falur, i fali ata; jo me fjalë, por me gjeste”, duke treguar plagët në këmbë, në duar dhe në brinjë:
“Sepse ‘falja lind nga plagët’, kur këto ‘nuk lënë dregca urrejtjeje, por bëhen cak për t’u hapur vend të tjerëve dhe për t’i pranuar ligështitë e tyre”.
Nuk bëhet fjalë - sqaroi Papa Françesku - që “të lini gjithçka pas sikur të mos kishte ndodhur asgjë, por t'i hapni zemrën të tjerëve me dashuri”. Siç bën Jezusi “përballë mjerimit të atyre që e mohuan dhe e braktisën”. Kështu, kur faji dhe trishtimi na shtypin, ne shikojmë "plagët e Jezusit, gati të na falë me dashurinë e tij të plagosur dhe të pafund":
“Ai i njeh plagët tua, i njeh plagët e vendit tënd, të popullit tënd, të tokës tënde! Janë plagë përvëluese, të infektuara gjithnjë nga urrejtja dhe dhuna, ndërsa ilaçi i drejtësisë dhe balsami i shpresës duket se nuk mbërrijnë kurrë”.
Jezusi i sheh "plagët që keni në zemra dhe dëshiron t'ju ngushëllojë dhe t’ju shërojë, duke ju falur zemrën e tij të plagosur. Me Jezusin – pohoi me forcë Papa - "nuk mungon kurrë mundësia për t'u falur dhe për të filluar nga e para, e as forca për të falur vetveten, të tjerët dhe historinë!". Ai dëshiron të "na japë paqen dhe guximin për të falur", "për të kryer amnistinë e madhe të zemrës". Është koha ta "pastroni zemrën tuaj nga zemërimi, pendimi, nga çdo inat dhe urrejtje!", për ta "mirëpritur dhe për ta rijetuar faljen e Jezusit":
“Qoftë i favorshëm ky çast për ju që, në këtë vend, e quani veten të krishterë, por dhunoni; Zoti të thotë: ‘Lëshoi armët, përqafo mëshirën".
Menjëherë pas, ftesa:
“E pse të mos i shkruani fjalët e tij në dhomat tuaja, në rrobat tuaja, jashtë shtëpive tuaja: Paqja qoftë me ju! Tregojauni të gjithëve, do të jenë profeci për vendin, bekimi i Zotit për këdo që takoni. Paqja qoftë me ju! Na faltë Zoti e falshim njëri-tjetrin!”.
Bashkësia, burimi i dytë i paqes
Duke folur, pastaj, për burimin e dytë të paqes, bashkësinë, Papa kujtoi se Jezusi i jep paqen e tij bashkësisë së parë të dishepujve. Burrave, që para Pashkëve, arsyetonin në një mënyrë tepër njerëzore, duke folur për një "Mesi pushtues", i cili do t'i dëbonte armiqtë dhe do të rriste prestigjin e tyre. Dëshira të kësaj bote që "ia rrëmbyen paqen bashkësisë, duke krijuar diskutime dhe kundërshtime". Një rrezik që na kërcënon edhe ne: “të rrimë bashkë, por të ecim përpara vetëm, duke kërkuar në shoqëri, e edhe në Kishë, pushtetin, karrierën, ambicjet...”. Por në këtë mënyrë “përfundojmë si ata dishepujt: të mbyllur në shtëpi, pa shpresa e plot frikë dhe zhgënjim”.
“E, megjithatë, në çastin e Pashkëve, ‘ata gjejnë rrugën e paqes falë Jezusit’ i cili u jep atyre Shpirtin Shenjt, në sajë të të cilit ‘ata nuk do të shikojnë më atë që i ndan, por atë që i bashkon; ata do të shkojnë në botë jo më për veten e tyre, por për të tjerët”.
Mënyra "për të mos rënë në grackat e pushtetit dhe të parasë", për të mos u dorëzuar para ndarjeve, "iluzioneve të rreme të kënaqësisë dhe të magjisë" - kujtoi Papa Françesku - është të rrish "me të shtypurit dhe të poshtëruarit, si na porosit Zoti, nëpërmjet Isaisë profet”.
Ftesa e Papës: të fillojmë nga të varfërit
Ftesa e Papës, pra, është të fillohet së pari nga të varfërit, të zbulohet se…
“… vëllazëria është pasuria e vërtetë e të krishterëve. Të ndërtojmë një Kishë të zbrazët nga shpirti i kësaj bote dhe plot me Shpirtin Shenjt, të lirë nga pasuria për veten dhe të pasur me dashuri vëllazërore!".
Burimi i tretë i paqes: misioni
Së fundi, duke folur për burimin e tretë të paqes, misionin, Françesku kujton se Ati e dërgoi Jezusin "për të gjithë: jo vetëm për të drejtët, por për të gjithë" për ata që janë larg, sidomos "e edhe për ata që janë afër: jo vetëm për 'tonët', por për të gjithë".
Duhet të besojmë se ne të krishterët jemi të thirrur të bashkëpunojmë me të gjithë, për të thyer ciklin e dhunës, për të çmontuar komplotet e urrejtjes. Sepse të krishterët “janë të thirrur të ndërgjegjësohen për paqen e botës”, dëshmitarë të dashurisë, nuk pretendojnë të drejtat e tyre, por ato të Ungjillit, “që janë vëllazëria, dashuria dhe falja”. Ata nuk kërkojnë interesat e tyre, por janë ‘misionarë të dashurisë së çmendur, që Zoti ka për çdo qenie njerëzore’":
“Paqja qoftë me ju, i thotë Jezusi sot çdo familjeje, bashkësie, grupi etnik, rrethi dhe qyteti të këtij vendi të madh. Paqja me ju! Këto fjalë të Zotit tonë le të tingëllojnë në zemrat tona në heshtje. Le t'i dëgjojmë ndërsa na drejtohen ne dhe të zgjedhim rrugën e dëshmitarëve të faljes, protagonistë në bashkësi, njerëz në misionin e paqes nëpër botë”.
Kjo, përshëndetja e fundit e homelisë së Meshës, ndjekur, sipas vlerësimeve të para nga forcat e rendit, nga më shumë se një milion besimtarë, rreth 3,000 priftërinj, 9,000 vullnetarë, 2,500 mjekë dhe infermierë, 7,500 policë në të gjithë zonën e ngjarjes.