杏MAP导航

K?rko

Papa: dita II e shtegtimit Apostolik n? Malt? Papa: dita II e shtegtimit Apostolik n? Malt? 

Dita e dyt? e Pap?s n? Malt?: n? gjurm?t e Sh?n Palit, e t? migrant?ve

Vizita n? Shpell?n e Sh?n Palit, n? Rabat dhe takimi me t? s?mur?t, m? pas, Mesha dhe lutja e Engj?llit t? T?nzot n? Floriana. Shtegtimin e 36-t? Apostolik do ta mbyll? takimi me 200 migrant?, n? Peace Lab Hal Far.

R. SH. - Vatikan

Sot, dita e dytë dhe e fundit e angazhimeve, takimeve e lutjeve të Papës Françesku gjatë këtij shtegtimi të 36-të apostolik në Republikën e Maltës. Pas një takimi të shkurtër privat me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit, që kryejnë misionin e tyre në Ishull, Papa do të shkelë mbi gjurmët e Shën Palit, që e predikoi i pari Ungjillin në këto troje. Si Shën Gjon Pali II në vitin 1990, e Benedikti XVI në vitin 2010, do të zbresë në Shpellën  ku, sipas traditës, Apostulli i Popujve kaloi tre muaj pas përmbytjes së anijes me të cilën shtegtonte në vitin 60 pas Krishtit, siç tregohet në Veprat e Apostujve.

Vizita në Shpellën e Shën Palit   

Pas lutjes  kushtuar Shën Palit, Papa do të ngjitet drejt Bazilikës së Shën Publios, përmbi shpellë e aty do të takohet me 14 udhëheqës fetarë dhe disa të sëmurë, të asistuar nga Karitasi maltez, që koordinon 26 organizata asistenciale të lidhura me Kishën. E do të takohet edhe me rreth 30 vetë: të droguar të qendrave të edukimit, të sëmurë të famullive e të pastrehë, disa prej të cilëve,  banorë  të “Shtëpisë së Papës Françesku”, në Santa Venera.

Në Floriana, Mesha dhe Engjëlli i Tënzot

Papa do ta kremtojë Meshën e së dielës së pestë të Kreshmëve në orën 10.15, në Sheshin e Hambareve të Florianës. Eshtë një nga qendrat më të mëdha të Maltës, që e merr emrin nga depot e grurit  ku deri në vitin 1962 ruhej drithi për gjithë Ishullin. Mijëra besimtarë do të jenë të pranishëm në liturgjinë eukaristike. Në përfundim, imzot Charles Scicluna do t’i drejtojë Papës disa fjalë falënderimi. E, më pas, lutja e Engjëllit.

Takimi me migrantët e Peace Lab

Pasdite, takimi i fundit i parashikuar. Papa do të takohet me 200 migrantë  në teatrin e vogël të Peace Lab, kushtuar Shën Gjonit XXIII në Hal Far, themeluar në vitin 1971 nga ati françeskan Dionysius Mintoff. Sot strehon 55 migrantë pa dokumenta, ardhur kryesisht nga Mali, Eritrea, Etiopia, Guinea, Senegali. Kjo qendër lindi që kur preku bregun barka e parë me këta refugjatë të pastrehë, të cilët tani kanë edhe  shkollë e klinikë e janë integruar në bashkësinë malteze.

Kthimi në Romë

Pasi të largohet nga Peace Lab di Hal Far, Papa do të pritet nga presidenti i Republikës së Maltës, Vella, në aeroportin ndërkombëtar të vendit ku, në orën 18.15  do të  niset për Romë. Arritja parashikohet për orën 19.40.

03 prill 2022, 10:10