At? Spadaro: Papa d?shiron nj? Kish? t? hapur p?r sfida t? m?dha
R. SH. - Vatikan
Dialog me zemër në dorë, ai që pati sot paradite Françesku me jezuitët e Maltës, sipas zakonit të mirënjohur të papnisë së tij për t’u takuar me sivëllezërit gjatë shtegtimeve apostolike. E për t’i botuar, më pas, bisedat në revistën e Shoqërisë së Jezusit “La Civiltà Cattolica”. Për bisedën, që u bë ditën e dytë të vizitës së Papës në Maltë, na flet drejtori i revistës, Atë Antonio Spadaro, në grupin shoqërues të Atit të Shenjtë gjatë shtegtimit.
E pyetëm për atmosferën e krijuar në këtë takim të Papës jezuit - me jezuitët…
“Tashmë në të gjitha shtegtimet, ku e kur është e mundur, Papa takohet me bashkësinë e jezuitëve, të pranishme në vendin ku shtegton. Takime vërtet të bukura, interesante e, sidomos, familjare. Në një atmosferë të çkujdesur, të lirshme, në të cilën mund të preken një mori temash. Por gjëja më e bukur është të dëgjosh sesi Papa, në gjysmë të shtegtimit, të flet për mbresat e tij, të bën ta kuptosh më mirë temperaturën e mikpritjes e gjëra të tjera, që dëshiron t’i thotë”.
Përmbajta e kësaj bisede?
“Tani për tani përmbajtja është private. Por më pas do ta botojmë në “Civiltà Cattolica”, kur Papa do të dëshirojë, e nëse do të dëshirojë. Por mund të themi se u fol kryesisht për Shoqërinë e Jezusit e, prej këndej, për mënyrën si duhet ungjillëzuar sot. Papa e përsëriti gëzimin e ungjillëzimit, për të cilin pati folur dje. Foli për mënyrën si e percepton, kujtoi dëshirën që ka për ta parë Kishën përballë sfidave të mëdha. Ishulli, ku ndeshen sfidat e mëdha, është udhëkryqi në zemër të Mesdheut… ku Papa dëshiron t’i japë hov të ri ungjillëzimit”.
Ç’mund të na thoni për theksin e veçantë, që vuri Papa në Engjëllin e Tënzot, duke folur për luftën në Ukrainë, të cilën Françesku e quajti, për të tretën herë “sakrilegje”?
“Pikërisht. Kjo temë e përshkon tej e ndanë këtë shtegtim - gjatë meshës pamë shumë flamuj ukrainas - Papa nuk mund të mos e bënte këtë. Që në takimin me autoritetet qe tejet i qartë. Kujtoi përgatitjet e kushteve që duhen për të bërë luftë, jo sot, por prej kohe, gjë që kërkon riarmatimin. Prej këndej mesazhi ishte tejet i fortë”.